Pandemia COVID-19 dhe tërmeti në Thumanë rritën varfërinë në Shqipëri, ndërsa ajo vijon të jetë më e larta në rajon.

Në Shqipëri, në vitin 2020, që përkon me kulmin e pandemisë, një e treta e popullsisë apo 32.6 për qind konsiderohej e varfër nga 31.8 për qind vitin e mëparshëm. Në kontrast, mbrojta social për popullsinë është ndër më të ulëtat. Për vitin 2021, niveli i varfërisë pritet të ulet lehtë në 30.8 për qind.

Shifrat janë bërë të ditura në raportin e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për ecurinë e vendit.

“Shkalla e varfërisë në Shqipëri është një nga më të lartat në Ballkanin Perëndimor, ndërsa mbulimi i saj me mbrojtje sociale është ndër më të ulëtat”, thotë FMN.

Fondi Monetar e vlerëson treguesin bazuar në të dhënat e Bankës Botërore, kur të varfër quhen ata që jetojnë me më pak se 5.5 dollarë në ditë [4.80 euro], të matur sipas standardit të barazisë së fuqisë blerëse, i njohur si PPP.

Sipas FMN-së, varfëria në vend vlerësohet të jetë rritur me 0.8 pikë përqindje pas tërmetit dhe pandemisë, duke iu rikthyer përkeqësimit të pjesshëm, pas një periudhe përmirësimi që kishte nisur që nga viti 2014.

“Falë rimëkëmbjes së fortë ekonomike në 2021 dhe masave mbështetëse të qeverisë, Banka Botërore vlerëson një rënie të shkallës së varfërisë nën nivelet e para-pandemisë në vitin 2021. Duke pasur parasysh nivelin e lartë të informalitetit, përqindjet relativisht të ulëta të pjesëmarrjes në fuqinë punëtore dhe burimet e kufizuara të qeverisë, mbulimi i mbrojtjes sociale është ndër më të ulëtit në rajon”, thuhet në raportin e FMN-së.

Sipas të dhënave, në vitin 2020, niveli i varfërisë në Kosovë u rrit në 23.4 për qind në 2020-n nga 20.9 për qind në 2019-në. Në Maqedoninë e Veriut tregues arriti në 18 për qind nga 16.9 për qind, ndërsa në Mal të Zi u rrit ndjeshëm nga 14.5 për qind në 20 për qind. Më e ulët varfëria është në Serbi, në nivelin e 17.4 për qind, pothuajse e pandryshuar në raport me vitin para pandemik me 17.3 për qind. Të dhënat për Bosnjë Hercegovinën nuk janë të përditësuara.

Në përgjigje të pandemisë, autoritetet zgjeruan me shpejtësi dhe përkohësisht programet ekzistuese të mbrojtjes sociale me rreth 1 për qind të PBB-së në 2020-2021. Por FMN thotë se ky zgjerim ishte ndër më të ulëtit në Ballkanin Perëndimor.

Informaliteti i lartë dhe mbulimi i ulët i mbrojtjes sociale nënkuptojnë stabilizues të dobët automatikë, duke mos arritur të mbështesin gjerësisht popullatën e prekur. Qeveria e Shqipërisë prezantoi përfitime përkohësisht më të larta të ndihmës sociale, zgjati sigurimin e papunësisë dhe ofroi subvencione për pagat për punëtorët formalë, anëtarët e papaguar të bizneseve familjare dhe punëtorët në sektorin informal nëse ato formalizohen.

FMN rekomandon që rritja e mbulimit të programeve të mbrojtjes sociale do të kërkojë rritjen e të ardhurave tatimore dhe të kontributeve të sigurimeve shoqërore duke zgjeruar pjesëmarrjen e fuqinë punëtore dhe duke reduktuar informalitetin. Për më tepër, do të jetë e rëndësishme të përmirësohet kuadri i sistemit të mbrojtjes sociale, duke përfshirë një mbulim më të shënjestruar dhe më të lartë të mbrojtjes sociale për të ndihmuar ata që kanë më shumë nevojë, dhe duke reduktuar gabimet e përjashtimit dhe pasaktësitë e informacionit të përfituesve. /Monitor/