LAJMI I FUNDIT:

FMN rishikon rritjen e ekonomisë globale

FMN rishikon rritjen e ekonomisë globale

Fondi Monetar Ndërkombëtar rishikoi projeksionet për rritjen ekonomike botërore në vitin 2018 dhe 2019, duke theksuar se ndryshimet tatimore në SHBA pritet të nxisin investimet në ekonominë më të madhe të botës si dhe të ndihmojë partnerët kryesorë tregtarë.

Në përditësimin e “Perspektivës Ekonomike Botërore”, FMN paralajmëroi gjithashtu se rritja e ekonomisë së Shteteve të Bashkuara ka gjasa të ngadalësohet pas vitit 2022, ku dhe incentivat nga uljet e taksave do të normalizohen.

Këto të fundit, ka gjasa të zgjerojnë deficitin e llogarisë korrente të SHBA, fuqizojnë dollarin dhe ndikojnë flukset ndërkombëtare të investimeve.

Paketa tatimore, që shënon ndryshimin më të madh që prej viteve 80′, ka ulur taksën e korporatave nga 35% në 21% dhe ulur gjithashtu barrën për pjesën më të madhe të individëve.

Ekonomia e Shteteve të Bashkuara ka treguar rritje të qëndrueshme vjetore që prej recesionit të fundit në 2007-2009. Fondi rriti projeksionet për botën në 3.9% rritje për 2018 dhe 2019, nga 3.7% që projektoi në muajin Tetor.

Aktiviteti ekonomik në Europë, sipas fondit, ka qenë më i fortë se çpritej atëherë, dhe vlerëson tashmë një rritje prej 3.7% për 2017-ën, sipër projeksioneve të muajit Tetor.

FMN bëri të ditur se ekonomia e Shteteve të Bashkuara pritet të rritet tashmë me 2.7% në 2018-ën, sipër projeksionet prej 2.3% në Tetor, duke u ndjekur nga një ngadalësim në 2.5% dy vite më vonë.

Fondi në Uashington rishikoi gjithashtu projeksionet për Eurozonën, veçanërisht për Gjermaninë, Italinë dhe Holandën, prej fuqizimit të kërkesës brenda dhe jashtë vendeve.

FMN mbajti të pandryshuar projeksionet për ekonomitë në zhvillim për këtë vit edhe tjetrin. Për Kinën, fondi pret një rritje me 6.6^ këtë vit dhe një ngadalësim në 6.4% në 2019-ën. /Telegrafi/