Florent Muslija, truri në mesfushën e Kosovës: Të shkojmë 'All-In' për gjashtë pikë, duam Botërorin

Florent Muslija po konfirmohet si një nga lojtarët më të rëndësishëm të Kombëtares së Kosovës në këtë cikël kualifikues, ku mesfushori i Fortuna Dusseldorf ka qenë truri i skuadrës në ndeshjet e tetorit, duke udhëhequr Dardanët me qetësi, kreativitet dhe grintë në mesfushë.
27-vjeçari ka luajtur 36 ndeshje me fanellën e Kosovës, por kurrë më parë nuk ka qenë në një formë kaq të mirë se sa që është tani në vitin 2025.
Pas paraqitjeve të shkëlqyera në barazimin 0-0 ndaj Sllovenisë dhe fitoren historike 0-1 në Goteborg ndaj Suedisë, Muslija flet me besim për rrugën drejt ëndrrës më të madhe Kupës së Botës 2026.
Në një intervistë për Telegrafin, Muslija thotë se kishte shpresuar në gjashtë pikë para grumbullimit, por edhe katër pikë nuk është keq duke marrë parasysh kundërshtarët.

“Normalisht që jam shumë i kënaqur. Kam besuar në ekip dhe kam qenë i bindur se mund të merrnim katër pikë, madje kam besuar edhe për gjashtë. E di kualitetin e skuadrës dhe të çdo futbollisti që kemi në Kombëtare. Me katër pikë mund të jemi shumë të kënaqur", tha Muslija për Telegrafin.
Duke analizuar duelin me Slloveninë, Muslija tha se kanë mundur të bëjnë më shumë, edhe pse qëllimi para ndeshjes ka qenë që mos të pranon gol, ta mbanin portën e paprekur.
“Besoj se kundër Sllovenisë kemi mundur të bëjmë edhe më shumë. Luftuam shumë dhe patëm raste për gol, të cilat duhet t’i kishim shfrytëzuar. Muajin e ardhshëm e kemi sërish ndeshjen me ta dhe besoj se mund të marrim fitore".

“Objektivi ka qenë të mos humbnim ndaj Sllovenisë. Edhe barazimi ishte i mirë për ne, pasi edhe ata patën rastet e veta. Nuk kemi pasur frikë, përkundër mungesave, sepse e dimë që secili lojtar ka vlerën e vet. Kemi shumë futbollistë të mirë dhe kushdo që hyn në fushë jep maksimumin për Kosovën", vazhdoi tutje mesfushori dardan.
Muslija vlerësoi edhe atmosferën në ekipin kombëtar, por foli edhe për lojtarët e rinj që kanë filluar të lënë gjurmë me Kosovë.
“Të gjithë kanë dhënë maksimumin, si në stërvitje ashtu edhe në ndeshje. Po luajmë me zemër për Kosovën. Lojtarët e rinj janë adaptuar shpejt, i kemi pritur mirë dhe ndihen pjesë e skuadrës sikur të ishin prej shumë vitesh", vazhdoi tutje numri tetë i Dardanëve.

Në fillim të kualifikimeve, Kosova shihej si ekipi kombëtar më i dobët në letër për dallim nga Sllovenia, Suedia dhe Zvicra, por Muslija thotë se fusha flet gjëra të tjera.
“Si Kosovë, ndonëse jemi shtet i vogël, kemi treguar veten duke lënë shpirtin në fushë për të dëshmuar kualitetin tonë. Shumë na kanë pa duke përfunduar kualifikueset pa pikë, por ne besojmë në kualitetin tonë dhe ja ku po flasim sot për Kosovën që ka gjasa reale të shkoj në Botërorë nga pozita e parë”, thotë Muslija.
Pas një muaji do të jenë dy ndeshjet më të rëndësishme në histori të Kosovës, ku fillimisht luajmë në Ljubjanë ndaj Sllovenisë e pastaj presim Zvicrën në Fadil Vokrri.
27-vjeçari thotë se duhet të shkojmë 'all in', për t'i marrë dy fitore dhe për t'u kualifikuar në Kampionatin Botërorë.

“Tani duhet të shkojmë ‘all in’. Duhet t’i marrim 6 pikë. Kemi ardhur deri këtu dhe duhet të besojmë se mund t’i marrim për t’u kualifikuar në Kupën e Botës", tha Muslija
Sa i përket disfatës ndaj Zvicrës, Muslija u shpreh se në ndeshjen e parë nuk ishte nata e Dardanëve dhe pret hakmarrje në Fadil Vokrri.
“Ajo humbje ndaj Zvicrës nuk ishte nata jonë dhe edhe zviceranët e dinë këtë se nuk mund të na mposhtin më në asi mënyre. Gjithsesi në Prishtinë presim të hakmerremi".
Mesfushori i Fortuna Düsseldorf pranoi se forca e tij më e madhe është në fazën sulmuese, edhe pse te Kosova është në çdo cep tëfushës dhe është truri i skuadrës së udhëhequr nga Franco Foda.

“Kam më shumë kualitet në ofensivë sesa në mbrojtje, por besoj se nëse lojtarët ofensivë ndihmojnë repartin mbrojtës, atëherë arrihet suksesi. Te Kosova po luftojë më shumë, po vrapoj më shumë dhe për vendin tim gjithmonë do të jap gjithçka nga vetja", tha Muslija.
Në fund, Muslija dërgoi edhe një mesazh plot dashuri për tifozët shqiptarë, por edhe një porosi për vizat në SHBA, ku do të mbahet Kampionatin Botërorë në vitin 2026.
“I falënderoj nga zemra për mbështetjen e madhe që po na japin. Kjo na motivon të japim gjithçka në fushë. Doja t’i porosisja që të aplikojnë për viza për SHBA, por më mirë të presim ndeshjet e nëntorit, sepse vizat bëhen deri në verën e vitit 2026,” përfundoi Muslija duke qeshur. /Telegrafi/




















































