Sot në selinë e NATO-s në Bruksel është bërë ngritja solemne e flamurit të Maqedonisë së Veriut, pas anëtarësimit si shteti i 30-të i Aleancës.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ceremoninë e ngritjes së flamurit e ka ndjekur nga ndërtesa qeveritare, nëpërmjet transmetimit të drejtpërdrejtë, njofton Telegrafi Maqedoni.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, i dëshiroi mirëseardhje Maqedonisë së Veriut dhe tha se me anëtarësimin në NATO, kontribuohet për paqen dhe stabilitetin e rajonit.

Në fjalimin e tij, kryeministri teknik i Maqedonisë së Veriut Oliver Spasovski, tha se sot është ditë për t’u kujtuar dhe ditë për histori.

“NATO është siguri. E kemi arritur qëllimin tonë strategjik, në një situatë të vështirë. Kemi bërë reformat kyçe dhe sollëm vendimet historike në të mirë të shtetit, ndërsa shpërblimi arriti në mënyrë të merituar. Jam i bindur se do ta tejkalojmë edhe situatën me coronavirusin”, tha Spasovski.

Spasovski u shpreh i bindur se edhe negociatat me Bashkimin  Evropian do të nisin në të ardhmen e afërt, ndërsa e falënderoi edhe ish-kryeministrin Zoran Zaev./Telegrafi/