LAJMI I FUNDIT:

Fjalët e Enver Hoxhës dhe gjyqi kundër Zef Pllumit

Fjalët e Enver Hoxhës dhe gjyqi kundër Zef Pllumit

Një prej hetuesve të periudhës së komunizmit, Shqyri Çoku, është përshkruar me mjeshtëri në librin “Rrno vetëm për me tregue” nga At Zef Pllumi, duke krijuar portretin e një hetuesi të diktaturës, por edhe për përshkruar mekanizmat si funksionin hetuesitë dhe gjykatat e regjimit komunist, dredhitë për të marrë deklaratat e të arrestuarve, por edhe kërcënimet dhe dhunën që ushtronin në dhomat e hetuesisë. Tre fragmentet e mëposhtme janë shkëputur nga “Rrno vetëm për me tregue” i At Zef Pllumit (libri III)

Ditën e gjykimit më thirrën shpejt. Dola i veshun e i mathun me ato tesha të reja. Në dhomën e hetuesit ishte vetëm Shyqyri Çoku. Më foli pa u ulë në karrigë.


– Tash po del në gjyq dhe atje fol lirisht si të duesh e shka të duesh, por mendo se mbas gjyqyit prapë këtu në duert tona vjen. E kupton apo jo? A e ndigjove mbramë atë që lëshonte britma të tmerrshme? Ta bajmë ma zi se atij në rasë se i përmendë fjalimet e shokut Enver Hoxha. Na nuk durojmë ta shajsh publikisht.

– Un nuk e kam sha, por vetëm të kam tregue fjalimet e tij fjalë për fjalë. Pse i shkrueve ti në procesverbal?

– I shkrova se i the ti.

Gjatë përpilimit të procesverbalit Shyqi (Shyqyri Çoku) më kishte pyetë se si e konsiderojshem un mbylljen e kishave. Iu përgjigja se ishte veprimi ma i gabuem i Pushtetit Popullor, sepse lirinë e fesë e garantonte nji nen i veçantë i Kushtetutës, mbi të cilin ishte perpilue edhe ligji “Mbi komunitetet fetare”. Përveç kësaj në nji prej fjalimeve të Enver Hoxhës, i mbajtun në Rrëshen në vjetin 1954, thohet tekstualisht se “propaganda kapitaliste e revizioniste çirret me të madhe se në Shqipëri nuk ka liri feje, se janë mbyllur kisha e xhamija. Por kur kanë ndodhur këto në Shqipëri? – pyet Enveri. – Këto gjëra mund të ndodhin atje ndër vendet borgjeze, kapitaliste e revizioniste, por jo kurr në Republikën Popullore të Shqipërisë”.

– I kam thënë ato fjalë me të vërtetë, – iu drejtova Shyqit (Shyqyri Çokut), – por ti e ngarkove me to procesverbalin për me më ngarkue sa ma shumë.

– Me të ngarkue sa ma shumë? Ti pate fatin që të mora un, shkodranë. Ti e din fjalën e popullit që thotë: “Vllau yt mishin ta han, por kockën ta len”. E sikur t’ish kenë për ty nji hetues nga jugu? Ik, ban si të duesh e fol si të duesh, para gjykatet je i lirë, veçse përsëri ndër duer tona vjen.

Atëherë thirri me të madhe:

– Jonuz, e ke gadi tjetrin?

– Zoti hetues. Ju e keni në dorë punën; ata prokurorët e gjykatësit shkë i keni dhe mund i porositni që ta kalojnë atë faqe të procesverbalit e mos të më pyesin aty.

– Jo, more jo, na nuk i porosisim ata, por vetëm të themi ty se të duem të mirën.

Jonuzi pruni Dom Nikollë Mazrekun duerlidhun. Ja hoq prangat e me ta na lidhën bashkë të dyve.

***

Te dera pritshin hetuesat Shyqyri Çoku e Dhimitër Shkodrani. Na shoqnuen deri te “kafazi i të pandehurve”. Kisha ishte plot e përmajë me njerëz. Te vendi i elterit kishin ba nji podium për trupin gjykues. Mbrapa podiumit, nalt, ishte shkrue me shkronja tepër të mëdha: “Drejtësia në shërbim të popullit”. Ndërsa pritej trupi gjykues, Shyqi (Shyqyri Çoku) më tha:

– Bukur ka dalë ky sallon i rinisë.

Iu përgjigja se arkitekt i kësaj kishe ishte kenë Fishta.

– E vetmja gja që i mungon asht ngrofja.

– Ditë kaq të ftohta janë të rralla.

– Sot asht 7 gradë nën zero, – tha Shyqi (Shyqyri Çoku).

***

Ndërsa ishem ndër këto mendime, mes asaj zhurme popullore, më preku në sup Shyqyri Çoki dhe më tha:

– Zef, motra jote asht aty, në bankën e parë. Don ta shikojsh?

– Sigurisht që po!

Në bankën e parë ishte ulun nji grue zadrimore, nji nuse; përkrah kishte burrin e vet. Shyqi (Shyqyri Çoku) shkoi dhe foli me te. Ktheu dhe më tha:

– A asht motra jote ajo?

– Jo, nuk e njof.

– Nuk e njef?

Në ças u veprue: gruen dhe burrin e saj e nxuerën nga salla. Shifej mirë se publiku aty ishte me ftesa.

***

Shyqyri Çoku më tha: – Ti nuk ke punë me te as me të tjerët që do të flasin.

Ndërkaq të tjerët mbas tij, kund gjashtë persona, kërkuen dënimin tim me vdekje. Në të vërtetë, kur e kërkojshin ata, më dukej mjaft i largtë. Të gjithë flitshin me letra në dorë, sikur t’ishin shkrue dikund njeti. Dikur u paraqit nji grue që punonte në spital e kishte ardhë me bluzën e saj të bardhë. Tha se kishte ndigjue nga altoparlantat e radios lokale se këta priftën këtu thane se feja nuk asht kundra shkencës. Si asht e mundun që t’i thotë këto fjalë, mbasi këta vetë, kur janë të sëmundë, vijnë në spital te ne dhe kërkojnë ndihmën e ilaçeve dhe jo të fesë, tha ajo.