LAJMI I FUNDIT:

Fishta racist?!

Fishta racist?!

Replikë ndaj shkrimit të z. Pirro Prifti

Agron Shala, miku im, gazetar e shumçka tjetër në kulturën e Prishtinës, më nisi pardje linkun e një shkrimi i cili më bëri me dije për një tjetër akuzë të re që qenka shtuar në pretencën ende të pa mbyllur që i bëhet Gjergj Fishtës që prej vitit 1945 e këndej (po edhe më nguci të shkruaj me padashje këto radhë). Akuzë ende e hapur, veçse e modeluar sipas rastit edhe në pasvitet 1990 e këndej, kur së jashtëmi është bërë rehabilimi i tij; kur tashmë Fishta është ringjallë prej hirit 50-vjeçar të harresës. Herë mbas here “sharmantët” e mosdashjes së tij, i nxjerrin prej së mbrendëshmes së tyre të pandreqëshme të urrejtjes së trashëguar prej kohës socrealiste, për të shënuar në fund të fundit, se Fishta është ai që ishte: armik, kolaboracionist, katolik, tradhëtar, folklorizant… pra i dëmshëm, i pavlerë. Duhet të jetë me patjetër i tillë, me çdo mënyrë e me çdo çmim. Duke i spërdredhë gjithfarësojshëm të vërtetat e patundëshme se ai është poeti kombëtar i shqiptarëve, por dhe i vlerësuar si i tillë prej të tjerëve në botë, se ai ishte anëtar i Akademisë së Italisë, por që nuk flirtoi kurrë me fashizmin, se ai qe kandidat për çmimin Nobel, njëherë të vetme, në një vit, por i vlerësuar aq sa ta kishte marrë atë. . . . I mirëpritur si diplomat në Europë e në Amerikë.


I mirëpritur e i mirëkuptuar nëpër botë, po i keqpritur e i keqkuptuar prej rregjimit në vendin e vet.

Dhe tani rishmësi na del …nacionalist dhe racist ndaj fqinjëve…:

Po të krahasojmë veprat e Gjergj Fishtës me veprat e Ismail Kadaresë, ka një karakteristikë të përbashkët: nacionalizimin dhe racizmin ndaj fqinjëve (ndonëse një racizëm i justifikuar). Panagjerizmi ndaj Gjergj Fishtës është i njohur në Shqipëri dhe në gjithë Europën, përveç diktaturës komuniste. E njihnin natyrisht edhe për dekoratat e titujt që i ishin akorduar: Nga Austria “Ritterkreuz” më 1912, ose nga Turqia “Mearif” po më 1912, nga Vatikani “Medaglia al Merito” më 1925, nga Greqia “Phoenix” më 1931, etj. etj. , e pse jo, e njihnin edhe si kandidat i propozuar për çmimin Nobel! E si pasojë, kur patër Gjergji e refuzoi dekoratën e lartë të qeverisë fashiste italiane, akademikët e Italisë u trandën.

Kështu shkruan z. Pirro Prifti në shkrimin e tij të datës 12. 10. 2019 me titull:”Përse Ismail Kadare nuk vlen të fitojë asnjëherë çmimin Nobel për Letërsinë”. . . . sepse Kadare ka rënë pikërisht në kurthin e ideve raciste dhe nacionaliste në veprën e tij, njëlloj si Gjergj Fishta, kandidati i parë për çmimin Nobel të propozuar nga gjermanët në vitin 1937-vijon më poshtë artikullshkruesi.

Kjo është gjetja e re e z. Piro Prifti… pra Fishta nacionalist dhe racist ndaj fqinjëve (ndonëse një racizëm i justifikuar). Që paska marrë në qafë edhe Kadarenë. . .

Edhe panagjerist edhe i dekoruar e nderuar nga fuqi e forca të rëndësishme në Europë, edhe kandidat për çmimin Nobel edhe akademik i Italisë. . . Po ka edhe një dhuratë simbolike prej Krajl Nikollës së Malit të Zi, Fishta. Dhurata është një teste(12 copë) lugësh e pirunjësh prej argjendi, të cilat i kishte vendosë në një vend të dukshëm në Kuvendin e Gjuhadolit ku banonte dhe kur vizitorët e tij të shumtë dhe shumësyresh e pyesnin për to, ai thoshte jo pa ironi:”punë krajlash”. Ndoshta kjo ironi e ka dogonis (trazuar) kaq shumë autorin e shkrimit në fjalë sa ta çmojë si racist Fishten ?! Se nuk paska qenë fort dashamirës me sllavët lakmitarë për copa të Shqipërisë ??!!

Në të vërtetë epiteti zbutës racizëm i justifikuar besoj se është vetëpërjashtues për akuzen e kërkuar nga autori i shkrimit: racist. Se racizmi, pra diferencimi, mospranimi, urrejtja ndaj racës tjetër, ndaj popullit tjetër ose është ose nuk është. Është si ajo batuta anekdodike për një grua që është pak me barrë. . . Edhe sikur Fishta shkrimtar ta kishte ndjesi të brendëshme të tijën racizmin, për një klerik dhe vetë veçorinë e përzgjedhjes që një klerik ka qyshse merr përmbi vehte kushtimin e përjetshëm ndaj besimit e Zotit kjo është e përjashtuar. E papërputhëshme me vetë zgjedhjen e një kleriku. Kurse akuza: nacionalist, ngjet vetëm e parafabrikuar. Përderisa termi njësohet me atdhedashurinë, një ndjesi e njerëzishme e legjitime që shënohet në radhën e virtyteve. E asesi në të kundërten e vet. “. . . Dashunia për Atdhenë këtu në Shqipni, po ishte nji faj, nji mëkat, nji delikt[krim]. . . dhe kjo kufomë e shkretë na dëshmon ne si ndëshkohet faji i atdhedashunisë”- janë dy rreshta të shkëputur nga fjalimi që vetë Fishta mban në varrimin e Avni Rrustemit. E më pas përballon me “dekalogun “ e fortë me “Kongregacionin e Shejtë të Propagandës Fide”, për qortimet që i vinë që andej.

Kurse atdhedashuria, e interpretuar sot mbas gati një shekulli nga pozita kozmopolite, kërkon sforcimisht të ndërtojë një akuzë tjetër për ta mbajtur prapë në “gjendje arresti” Fishten, nën qortime të dënueshme e për rredhojë në pluhurin e harresës. Dhe ky është qëndrimi i “moderuar” krejt i lexueshëm që nxjerr krye sapo krijohen rrethanat për idhtarët antiFishtë. Kësaj here vënia (në mënyrë absurde ) në të njëjtën bankakuzë me Kadarenë është gjetje dhe vjen si “risi” në metodologjinë e baltosjes e mospranimit të Fishtës. . . Kështu që as Ismail Kadare dhe as at Gjergj Fishta –thotë me plot siguri z. Prifti-nuk mund të marrin dot këtë çmim, sepse nuk kanë asnjë mesazh optimist për popullin e tyre dhe as për botën përveç mesazhit nacionalist dhe racist që ata kanë shprehur në veprat e tyre të botuara. Sot shqiptarët e kanë të vështirë të kuptojnë këtë që po shkruaj dhe e kanë të vështirë të kuptojnë mungesën e interesit të Komisionit të Çmimeve Nobel për Letërsinë, për Kadarenë dhe për Fishtën.

Po të thuash për Fishtën që nuk ka asnjë mesazh optimist për popullin e vet , më duket fort, po shumë fort e dyshimtë se është pohim që bëhet në rrethana normale. Për Fishtën dhe për aradhën e atyre mendimtarëve e personazheve atdhetarëve që janë fashoja më e ndritëshme e qytetrimit shqiptar në shekullin e shkuar, pa të cilët nuk do të kishim Shqipëri, kurajoja më duket se i kapërcen kufijtë e arsyes. Unë e refuzoj me neveri këtë akuzë të qepur “me gjilpanë [gjilpërë]dyshekësh”. Se më kanë mësuar ta refuzoj heret, vlerësimet e ardhura për të prej gjithkahit; prej vendit e prej bote. Disa prej tyre i përmend edhe autori i shkrimit, edhe pse disa sosh të deformuara, por në “rroben” e shpifur që ai qep i rrijnë si një arën i qepur keq fort. Askund, ndër mijëra faqet e shkruara e të publikuara të tij nuk gjen edhe një shenjë e jo më vetë urrejtjen për raca a popuj të tjerë.

Zoti n’qiell e na mbi tokë/ me gjithkënd vëllazën e shokë/ por secili n’cak të vet”– pohon Fishta diku ndër mijëra faqet e shkruara. Dhe nëse dikush lexon racizëm për fqinjët në pohime të tilla, atëherë, me siguri është faji i leximit e i lexuesit e aspak i shkruesit…