Ndaj një zyrtari policor në Philadelphia të SHBA-ve rëndojnë tri akuza, pas publikimit të një video ku shihet se si u hedh sprej në sy protestuesve, të qetë që për asnjë moment nuk shfaqën shenja dhunë derisa qëndronin të gjunjëzuar në asfalt, shkruan ABC News.

Avokati i distriktit të Philadelphias, Larry Krasner, ka konfirmuar akuzat që rëndojnë mbi policin Richard Nicoletti, 35-vjeç, transmeton Telegrafi.

Nicoletti shihet në video se si gjatë natës së 1 korrikut u hedh sprej tre protestuesve, të cilët as që e provokuan. Ai gjithashtu shihet se si gjunjëzohet para tyre, ua heq nga fytyra shamitë me të cilat mbulonin sytë dhe gojën dhe më pas u hedh sprej.

Ngjarja ka ndodhur gjatë protestave kundër brutalitetit të policisë pas vdekjes së afro-amerikanit George Floyd, një burrë me ngjyrë i cili u mbyt nga policia e Minneapolisit në maj të këtij viti.

Protestuesit atë ditë kishin dalë në rrugë duke paralizuar trafikun, e me të dalë në vendin e ngjarjes, Nicoletti pa u menduar dy herë iu vërsul atyre duke u hedhur sprej në sy, duke u shkaktuar lëndime trupore, panik dhe konfuzion.

Pas këtij incidenti kryetari i Philadelphias, Jim Kenney dhe komisioneri i policisë Danielle Outlaw kanë kërkuar falje për këtë veprim. /Telegrafi/