LAJMI I FUNDIT:

Filmi “Klithma”, premierë në “PriFest 10”

Filmi “Klithma”, premierë në “PriFest 10”

Filmi “Klithma” i regjisorit Korab Lecaj, trajton përdhunimin seksual të meshkujve shqiptarë nga serbët gjatë luftës së fundit në Kosovë. Filmi jepet premierë më 19 korrik 2018 (të enjten) në orën 19:00, në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Filmi merret me fatin e Dinit. Askush në fshat nuk e di se ai është i dhunuar seksualisht nga serbët gjatë luftës, përveç Ramadanit, një burrë nga një fshat tjetër që ka rastisur të jetë në të njëjtin vend me të. Pakti mes Danit dhe Dinit ka qenë: “Çfarëdo që ka ndodhur, të mbetet mes nesh”.


Por, gjërat ndryshojnë kur Dani vendos ta bëjë publike atë se çfarë u kishte ndodhur në luftës.

Skenari është i motivuar nga ngjarjet e vërteta.

Për regjisorin Korab Leca, shfaqja e filmit “Klithma” për publikun kosovar ka një domethënie të veçantë.

“Filmi ‘Klithma’, është një klithmë që buron prej brendësisë së shpirtit të shoqërisë kosovare. ‘Klithma’ shfaq një plagë që vazhdimisht ka kulluar pas lufte, por ne si shoqëri jemi munduar ta kamuflojmë. Mirëpo, plaga nuk shërohet nëse ajo nuk trajtohet dhe fshihet. Prandaj, ne përmes filmit “Klithma” kemi provar ta themi një të vërtetë para botës, se regjimi serb ka bërë krime seksuale edhe ndaj meshkujve shqiptar gjatë luftës ”, ka thënë regjisori Lecaj.

Barrën kryesore në film si aktor, në rolin e Dinit, e ka pasur aktori Hazir Haziri. Ai thotë se ky rol është emocional, i cili në biografinë e tij fsheh një dhunë të bartur ndër vite mbi supe. Ai është i mendimit se regjisori Korab Lecaj së bashku me ekipin kanë bërë një punë serioze, e cila do të vlerësohet lartë nga audienca.

Pjesë shumë e rëndëssishme e projektit “Klithma”, ka qenë edhe drejtori i fotografisë nga Bosnja, Almir Xhikoli.

“Që nga fillimi më ka intriguar historia e këtij rrëfimi. Vërtetë ka qenë një sfidë për mua ky projekt”, ka thënë Xhikoli.

Një punë të jashtëzakonshme për realizimin e këtij filmi e ka bërë edhe producenti Besar Zahiti.

“Filmi prek një temë të ndjeshme dhe të guximshme në të njëjtën kohë. Koncepti regjisorial dhe shkrimi i skenarit janë punuar në një frymë shumë profesionale dhe besoj se kemi realizuar diçka të bukur”, ka thënë Zahiti. “Filmi ynë do të ketë jetë nëpër festivale ndërkombëtare dhe ne tashmë kemi kontakte me disa prej tyre”.

Në filmin Klithma luajnë: Hazir Haziri, Arjola Demiri, Alban Zogaj, Arbnesha Grabovci-Nixha, Rajmonda Ahmetaj, Kaltrinë Zeneli etj.