LAJMI I FUNDIT:

Fillon viti i ri akademik në Maqedoni, ulet numri i studentëve

Fillon viti i ri akademik në Maqedoni, ulet numri i studentëve

13.320 indekse të reja u ndanë sot me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2018-19. Prej tyre, 2 mijë studentë janë regjistruar në Universitetet private ndërsa numri tjetër do të vazhdoj studimet në Fakultete të caktuara në Universitetet shtetërore. Krahasuar me dy vitet e fundit, numri i studentëve të regjistruar është ulur për 2 %. Këtë vit akademik më tepër studentë janë regjistruar në Fakultetin e Shkencave informatike dhe inxhinerisë kompjuterike, apo 930 gjithsej.

“Jam i sigurt se kjo ditë do të shënohet në kalendarin e jetës tuaj si një nga ditët më të rëndësishme. Me hyrjen tuaj në amfiteatër dhe në klasat e ligjëratave, me marrjen e indeksit të kuq të njohur të UKM-së, ju bëheni pjesë e rëndësishme e familjes akademike me renome të UKM-së, një nga universitetet më të vjetra dhe më të mira në Maqedoni”, deklaroi Nikolla Jankullovski, Rektor i Universitetit “Kirili dhe Metodi”.


Në Universitetin shtetëror të Tetovës këtë vit studimet do të nisin rreth 2 mijë brucoshë në 65 programe studimore, ndërkohë që numri i saktë do të dihet pas përfundimit të afatit të tretë për regjistrim. Edhe në UT vërehet numër më i vogël i studentëve, rreth 100 më pak se vitin e kaluar

“Ndjehemi krenarë që nga viti në vit Universitetit tonë i bashkohen qindra të rinj nga vendi dhe rajoni për tu edukuar e arsimuar në degët e fakulteteve që ofron ky institucion i arsimit të lartë”, u shpreh Vullnet Ademi, rektor I UT-së.

Viti akademik filloi me ndryshimet në Ligjin për arsim të lartë, i cili parasheh kthimin e autonomisë së Universiteteve, krijimin e ambientit për hulumtime shkencore dhe rritjen e nivelit të krijimtarisë artistike./Alsat/