Drejtori i Institutit Octopus, Arben Fetoshi, ka vlerësuar se retorika e zyrtarëve serbë në 13-vjetorin e Marrëveshjes për Normalizimin e Marrëdhënieve përbën një “shfaqje të përsëritur” të komunikimit strategjik kundër Kosovës, që, sipas tij, se shmang qëllimshëm thelbin e problemit.

Në një reagim publik, Fetoshi shkruan se “kori i retorikës shoviniste serbe”, duke përmendur emra si Aleksandar Vuçiq, Ivica Daçiq, Petar Petkoviq, si dhe figura të tjera nga akademia dhe shoqëria civile, po e përdor diskursin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe për të minuar kornizën politike dhe juridike të Kosovës.


Sipas tij, Serbia “ankohen e akuzojnë” për Asociacionin, por në të njëjtën kohë vazhdon të refuzojë kornizën e tij politike – Republikën e Kosovës – të cilën Fetoshi thotë se e ka konfirmuar edhe institucioni më i lartë juridik i OKB-së.

Fetoshi e quan këtë qasje “ironike, djallëzore e mashtruese ndaj vetë serbëve”, duke pretenduar se bëhet fjalë për një strategji “perfide” të “kalit të Trojës” brenda Kosovës, me synim minimin e shtetit pa e pranuar realitetin e pavarësisë.

Ai argumenton se kjo është mënyra se si Serbia e projekton “normalizimin”: “duke e minuar Republikën e Kosovës dhe duke ligjëruar sundimin serb mbi Kosovën”, ndërsa retorikën për Asociacionin e cilëson si kornizim të qëllimshëm etnik që, sipas tij, synon të krijojë një levë tjetër taktike kundër Kosovës pa njohje.

Drejtori i Octopus paralajmëron se një retorikë e tillë “ushqen tension, ndarje etnike e destabilizim”, duke “kërcënuar seriozisht paqen dhe sigurinë rajonale”.

Në këtë kontekst, Fetoshi përmend edhe nismën e partisë pro-serbe në Mal të Zi (DNP) për “tërheqjen e njohjes së Kosovës”, si dhe reagimin e Unionit Demokratik të Shqiptarëve (UDSH), duke thënë se kjo e bën rrezikun “më real” dhe me “premisa të qarta të përshkallëzimit”.

Në fund, Fetoshi vlerëson se nëse kjo qasje e presidentit serb shihet si vazhdimësi e politikës së Slobodan Millosheviqit, atëherë është “e pafalshme” që në këtë, siç e quan ai, “kor shovinist” të përfshihen edhe profesorë, historianë, studiues dhe aktivistë të shoqërisë civile.