LAJMI I FUNDIT:

Fermerëve u shpërndahen fidanë të arrës

Fermerëve u shpërndahen fidanë të arrës

Drejtoria Komunale për Bujqësi në Mitrovicë ka bërë shpërndarjen e fidanëve të arrës për 21 fermerët mitrovicas. I pranishëm me rastin e nënshkrimit të kontratave ishte edhe nënkryetari i komunës, Faruk Mujka dhe drejtori për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Ekrem Sadiku të cilët e vlerësuan si shumë të rëndësishme investimin në sektorin e bujqësisë.

Nënkryetari Mujka në fjalën e tij ka theksuar se komuna në vazhdimësi ka treguar gatishmëri që të mbështes sektorin e bujqësisë, në ngritjen e prodhimit vendorë dhe lehtësimin e fermerëve tanë. Ai më tutje ka shtuar se komuna e ka vlerësuar të arsyeshme realizimin e këtij projekti duke marrë parasysh që në treg arra është shumë e kërkueshme dhe profitabile.


“Arrat janë shumë produktive dhe jetëgjata dhe fitimi është relativisht i mirë, ka jetëgjatësi dhe përfitimi ekonomik është një ndër arsyet kryesore të këtij projekti”, ka thënë nënkryetari Mujka.

Ndërsa drejtori i Bujqësisë, Ekrem Sadiku, pasi i uroi të gjithë përfituesit e këtij projekti ka thënë se arra është shumë e kërkuar në tregun vendor por edhe atë ndërkombëtar si dhe ka rëndësi të shumëfishtë ekonomike.

Ai më tutje ka shtuar se Drejtoria e Bujqësisë sipas mundësive dhe kapaciteteve të saj edhe në të ardhmen do të vazhdojë mbështetjen e fermerëve në sektorë të ndryshëm të bujqësisë. /Telegrafi/