Një studim në Pediatric Investigation tregon se fëmijët në zonat rurale shfaqin më shpesh probleme emocionale, ndërsa ata në qytete kanë më shumë prirje për probleme të sjelljes

Fëmijët që rriten në zonat rurale dhe ata që jetojnë në qytete nuk i përjetojnë njësoj problemet e shëndetit mendor. Një studim i publikuar në revistën shkencore Pediatric Investigation ka treguar se fëmijët dhe adoleshentët në fshat dhe në qytet zakonisht përballen me forma të ndryshme të vështirësive psikologjike.


Sipas studimit, fëmijët në zonat rurale shfaqin më shpesh probleme emocionale, sidomos simptoma që lidhen me depresionin, ndërsa bashkëmoshatarët e tyre në qytete kanë më shumë prirje për probleme të sjelljes.

Për këtë studim, studiues nga Kina analizuan të dhënat e 19.711 nxënësve, të moshës 6 deri në 16 vjeç. Prej tyre, 9.566 jetonin në zona urbane, ndërsa 10.145 në zona rurale. Nga numri i përgjithshëm, 3.003 fëmijë dhe adoleshentë kishin çrregullime mendore.

Vlerësimi fillestar u bë përmes listës për kontrollin e sjelljes së fëmijës, ndërsa më pas u përdorën intervista neuropsikiatrike për fëmijë dhe adoleshentë, si dhe intervista me psikiatër.

Rezultatet treguan se fëmijët në zonat rurale janë më të prirur ndaj problemeve emocionale dhe psikologjike. Te ta u vërejtën më shpesh simptoma të tërheqjes në vetvete, depresionit dhe vështirësive sociale.

Në anën tjetër, fëmijët në qytete shfaqnin më shpesh simptoma të sjelljes, veçanërisht ato që lidhen me çrregullimin e vëmendjes dhe hiperaktivitetit, ADHD, transmeton Telegrafi.

Mjedisi ku rritet fëmija ka rëndësi

Sipas studiuesve, vendi ku rritet një fëmijë mund ta formësojë shëndetin e tij mendor në mënyra të ndryshme. Trysnitë e jetës urbane, nga stresi akademik deri te ritmi më i shpejtë i përditshmërisë, mund të lidhen me rritjen e problemeve të sjelljes.

Ndërsa fëmijët në zonat rurale shpesh përballen me vështirësi të tjera: varfëri, izolim, qasje më të kufizuar në shërbime dhe, në disa raste, ndarje nga prindërit që migrojnë në qytete për punë. Këta faktorë mund të ndikojnë në ndjenjat e braktisjes, depresionit dhe pasigurisë emocionale.

Studiuesit analizuan edhe nëngrupin prej 3.003 nxënësish të diagnostikuar me çrregullime mendore. Brenda këtij grupi, dallimi ndërmjet zonave rurale dhe urbane ishte edhe më i dukshëm.

Nxënësit nga zonat rurale shfaqnin më shumë simptoma të tërheqjes dhe depresionit, probleme sociale, vështirësi në të menduar, shkelje të rregullave dhe sjellje agresive. Ndërsa nxënësit nga zonat urbane kishin më shumë ankesa trupore dhe sjellje agresive.

Një gjetje e veçantë lidhej me gjininë. Te djemtë u vërejtën dallime më të mëdha në simptomat psikologjike, varësisht nga vendbanimi, ndërsa te vajzat nuk u gjet një dallim i tillë. Studiuesit vlerësojnë se shëndeti mendor i djemve mund të jetë më i ndjeshëm ndaj mjedisit ku rriten.

Varfëria, presioni për sukses dhe mungesa e mbështetjes

Autorët e studimit përmendin disa faktorë që mund ta shpjegojnë këtë dallim. Fëmijët në zonat rurale të Kinës shpesh përballen me kushte më të vështira socioekonomike, më pak burime arsimore dhe qasje më të kufizuar në shërbime të shëndetit mendor.

Një faktor i rëndësishëm është edhe fenomeni i “fëmijëve të lënë pas”, pra fëmijëve prindërit e të cilëve kanë migruar në qytete për punë, ndërsa ata rriten nga gjyshërit ose të afërm të tjerë.

Për fëmijët në qytete, presioni është i një natyre tjetër. Fokusi i madh i prindërve te suksesi në shkollë dhe sistemi arsimor konkurrues mund të çojnë në zbulim më të shpeshtë të ADHD-së dhe problemeve të tjera të sjelljes.

Autorët theksojnë se zonat rurale kanë nevojë për kontroll më të mirë të shëndetit mendor, sidomos për depresionin, si dhe për shërbime më të qasshme, përfshirë telemjekësinë. Ndërsa në qytete duhet të forcohet zbulimi i hershëm i ADHD-së dhe mbështetja në shkolla dhe familje. /Telegrafi/