Katër fëmijë të moshës deri 5-vjeç janë gjetur në një pronë private në Teksas, kurse dy më të rritur kishin qenë të mbyllur në kafazin e qenve.

Djemtë e moshës 5, 3 dhe 1 si dhe një vajzë 4-vjeçare janë gjetur në orët e para të mëngjesit, kur policia pranoi një telefonatë për dhunë në familje, transmeton Telegrafi.

Me të mbërritur në vendin e ngjarjes policia ka biseduar me prindërit e tyre, dhe kur dëgjuan zërat fëmijëve që vinin nga një stallë, arrestuan Page Harkings, 24-vjeç, nëna e fëmijëve dhe Andrew Fabila, 24-vjeç, babai i njërit prej fëmijëve.

Ata akuzohen për rrezikim jetësh, kurse Harkings edhe për shkaktim të lëndimit trupor. Në fotografitë e publikuara pas arrestimit shihen gërvishtjet nëpër fytyrën e burrit të saj.

“Fëmijët ishin mbyllur në stallë të cilën e kishin shndërruar në ‘shtëpi’ për ata”, ka deklaruar sherifi Lane Ejkin.

Fëmija më i madh raportohet se ishte mbyllur në një kafaz një metër me një, kurse më të vegjlit ishin të papastër, të etur dhe uritur.

“Ka pasur shumë ushqim, por frigoriferi dhe dollapët ishin të mbyllur, me qëllim që fëmijët të mos mund të marrin asgjë”, ka shtuar Ejkin. /Telegrafi/