LAJMI I FUNDIT:

Fëmijët dhe bota e frikshme e cinizmit

Fëmijët dhe bota e frikshme e cinizmit
Ilustrim

“Të them diçka babi? – Ti nuk e kupton fare brezin tim!”, më tha im bir, Marini trembëdhjetëvjeçar, teksa i flisja lidhur me efektin që ka ndjekja e videove të pakontrolluara, videove të dhunshme apo atyre ku shfaqet hapur seksualizimi i shoqërisë së sotme. Kisha menduar se do të ishte e lehtë t’i kërkoja që të bënim diçka bashkërisht që lidhet me qëndrimin kundër bullizmit në shkollë apo edhe për rëndësinë që kanë shokët në jetën tonë. Por, fjalët e tij më bënë të ndryshoj idetë që kisha menduar t’i propozoja dhe nisa t’i kërkoja që të më shpjegonte diçka që të kuptoja se përse isha aq larg të kuptuarit të brezit të tim biri. Ai më tha shkurt: “Shokët e mi vetëm do të tallen me mua, çfarëdo gjëje të mirë të bëja unë! Sepse kështu bëjnë të gjithë shokët e mi kur dikush tregon diçka”.

Nuk është aspak e lehtë në fakt t’i mbushësh mendjen një adoleshenti se bota zgjidhet duke besuar më shumë te vetja, sepse mbetet gjithnjë më e vështirë ta kuptosh, pasi edhe për mjaft të rritur nuk është kaq e thjeshtë. Madje ka shumë të rritur që nuk kanë mundur të shohin as te vetja e as te tjetri edhe pasi janë rritur dhe janë bërë prindër. Ndoshta kjo vjen pikërisht se kurrë nuk kanë guxuar ta kundërshtojnë ligësinë që na sjell tallja që i bëjmë tjetrit, apo netët pa gjumë kur dikush është tallur me ne. Aq më shumë sot, kur përmes telefonave, internetit e gjithçkaje tjetër që transmeton gjendjen dhe fjalët tona, tallja nuk mbetet thjesht jona, por bëhet publike, shpërndahet duke tronditur këdo, sidomos të vegjlit, që nuk arrijnë të kuptojnë fuqinë e gabimeve të çastit, sidomos të gabimeve që kanë të bëjnë me botën e tyre në rritje e plot enigma për mendjen dhe trupin e tyre.

Por, a është e mundur t’i ndihmojmë fëmijët të mos enden me këtë cinizëm në kokë? Si mund të besojmë te vështrimi i tyre me dashuri për veten dhe tjetrin kur në mes është bota vrastare e talljes? Këto pyetje që vijnë në këtë fillim shkolle me kaq shumë dilema për vijimësinë, lidhen edhe me atë botë të tronditur nga pandemia, ku shumë gjëra kanë ndryshuar edhe për fëmijët, por ku edhe tallja mund të përfshijë edhe sjelljen e re, që nga mungesa e përqafimit, dhënia e dorës apo qëndrimi pranë, të cilat janë vënë në një dilemë të jashtëzakonshme, sidomos për botën e tyre.

Ndoshta këtë fakt e kanë ndeshur me dhjetëra prindër, sidomos në këtë kohë teknologjie. Për dikë mundet që pasojat e kësaj talljeje të kenë qenë shkak për ndryshime në jetët e fëmijëve. Për dikë tjetër mundet që tallja të ketë krijuar një hendek të madh jo vetëm me prindërit, por edhe me ëndrrat e veta, me dëshirat për të bërë diçka të mirë.

Teksa rreshtoja dhjetëra mendime nga ajo që im bir më tha për brezin e tij, po përpiqesha t’i thosha diçka lidhur me fuqinë e madhe që ka dashuria në jetët tona dhe se ai që arrin të pengojë talljen e një shoku, apo të keqen, do të ndihet gjithnjë më mirë. Ashtu mbaj mend se iu drejtova, sikur ta kisha njëkohësisht afër dhe larg, duke i kërkuar që të mos jetojë kurrë me urrejtje dhe frikë dhe se edhe shokët duhet t’i kërkojë të tillë:

Biri im, çdo qytet në botë ka shpirt dhe shpirti i qytetit tonë je ti dhe shokët e tu, ata që janë më të vegjël se ty, ata më të rritur se ty, ata që jetojnë në lagje të ndryshme e që kanë ardhur nga shumë qytete e fshatra të këtij vendi ku kemi lindur. E nëse ne të rriturit jemi treguar të pakujdesshëm që ta mbajmë këtë qytet me një shpirt të pastër, me njerëz që të adhurojnë të mirën, apo që kemi heshtur përpara së keqes së përditshme, atëherë mundet që këtë pakujdesi tonën, këtë gabim tonin, ta ndreqni ju. Sepse, biri im, nëse jeton në një qytet me zemra të errësuara dhe që humbin besimin se ia vlen të jetosh duke menduar dhe vepruar mirë, atëherë ti nuk do ndjehesh kurrë i qetë, e aq më pak i gëzuar që po jeton këtu.

Biri im, shpesh njerëzit justifikohen se nuk kanë faj përballë së keqes, sepse nuk kanë bërë ndonjë gjë të keqe. Por në jetë ka gabime nga veprimet, aq sa ka edhe nga mosveprimet. Sepse shumë gjëra ndodhin kur ne mbyllim sytë ndaj talljes së një shoku apo një shoqeje, ndaj vjedhjeve, ndaj së keqes apo ndaj së ligës, duke mos e ditur se ajo është errësira jonë, që na mbulon të gjithëve e na pengon të lëvizim drejt një vendi me dritë.

Ne të gjithë kemi gabimet tona. Dhe unë e di, unë nuk mund të jem shoku yt më i mirë e as i vëllait tënd më të madh, sepse ju jetoni në kohën tuaj, por e di që mund të jem gjithmonë njeriu që nuk do të lodhet kurrë duke kërkuar që të besoni se një qytet ka nevojë për njerëz që nuk pëlqejnë errësirën e zemrave të tyre. Le të mos ia hapim derën cinizmit që na pengon drejt dëshirës për të jetuar më mirë me veten dhe me të tjerët. Le të jenë sado të shumtë ata që duken sot se argëtohen nga tallja. Bota ka pasur gjithmonë të tillë e do të ketë. Por të kërkoj që të mos e helmosh zemrën tënde me cinizëm, por të kalosh nga rruga e dashurisë. Nuk dua, biri im, të të mbaj në krah e as të të them se kam të drejtë të vendos unë për ty! Thjesht dua të të them që ta mbulosh veten me dashuri, sepse dashuria nuk të mbyll kurrë e as nuk lejon harresën të të bëhet strehë.

E di, nuk është kurrë e lehtë, por është një rrugë që ia vlen edhe nëse rrëzohesh, sepse është një rrugë që nuk do të të çojë kurrë në qorrsokak, por do të të japë vetëm mundësi.

Në trend

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Botë
Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Lajme
Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Evropa
Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Lajme
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Kalo në kategori