Që Samiti virtual i 9-10 dhjetorit – për Demokracinë i presidentit Biden – të jetë një iniciativë efektive, atij i duhet të nxjerrë në pah kërcënimin ndaj demokracive perëndimore të një Rusie autokratike.

Reklama

Rreth 110 vende janë ftuar në samitin virtual nga i cili janë përjashtuar Rusia dhe Kina, por janë përfshirë të gjithë aleatët kryesorë të ShBA-së. Një takim i dytë  është planifikuar për vitin 2022.

Është jetike për Uashingtonin që të mbështesë aktivistët demokratikë të Rusisë, edhe kur lë të papërfshirë zyrtarët e qeverisë. Shërbimet e sigurisë së Kremlinit minojnë zhvillimet demokratike duke shënjestruar pavarësinë e fqinjëve dhe duke sfiduar demokracinë në ShBA dhe Evropë.

Reklama

Ofensivat aktuale të Moskës përfshijnë edhe grumbullimin masiv të trupave duke kërcënuar të pushtojnë edhe më shumë territore të Ukrainës dhe të ndezin konfliktet midis Serbisë dhe fqinjëve të saj.

Reklama

Që demokracia të triumfojë, pavarësia e secilit shtet në kufi me Rusinë duhet të sigurohet duke sfiduar drejtpërdrejt themelet e Putinizmit. Politikat pasive të demokracisë nga ana e ShBA-së me fraza fisnike dhe këshilla verbale janë të pamjaftueshme.

Rusia është praktikuesja dhe furnizuesja kryesore e antidemokracisë dhe Kina do të ndjekë hapat e saj ndërsa zgjeron shtrirjen e vet ekonomike.

Zhvillimi i mbrojtjes ushtarake, ekonomike dhe kibernetike të Perëndimit është i pamjaftueshëm për të frenuar sulmin e Rusisë. Zgjidhja afatgjatë qëndron ose në ndihmën për transformimin e shtetit rus ose në mundësimin e shpërbërjes së tij, si në rastin paraprijës sovjetik.

Reklama

Samiti mund të ndihmojë në nisjen e një ofensive të tillë duke ftuar jo vetëm liberalët demokratë të Rusisë, por edhe rajonalistët, federalistët dhe përfaqësuesit e grupeve të ndryshme etnike që mbështesin demokracinë dhe decentralizimin. Disa nga këta aktivistë janë në mërgim dhe mund të bëhen pjesë e eventit virtual.

Reklama

Një qasje strategjike e ShBA-së që lidhet ngushtë me demokracinë e sigurinë duhet të ketë një objektiv të qartë: të përmbysë neo-imperializmin rus duke ndihmuar shtetasit e saj të transformojnë shtetin në një federatë të vërtetë që i trajton fqinjët si të barabartë.

Kjo nuk është thjesht çështja që Moska të tolerojë një grusht partish politike, grupimesh civile dhe mediash. Qëllimi duhet të jetë transferimi administrativ dhe vetëvendosja në mesin e rajoneve dhe republikave të ndryshme të Rusisë. Uashingtoni mund të mbështesë hapur pluralizmin, federalizmin, të drejtat etnike dhe autonominë rajonale brenda Federatës Ruse si pjesë e fushatës së tij për demokraci globale.

Reklama

Vetë ShBA-ja mund të shfaqet si një federatë e suksesshme në të cilën të pesëdhjetë shtetet zhvillojnë ekonomitë lokale dhe u japin shtetasve mundësi të shumta në politikë. Gjithashtu, BE-ja mund të luajë një rol konstruktiv në Samit duke theksuar mbështetjen e saj për bashkëpunimin ndër-rajonal përtej kufijve shtetërorë.

Reklama

Kjo do iu ofronte shtetasve të Rusisë shembuj konkretë se si decentralizimi administrativ dhe përfshirja në politikat lokale promovon rritjen ekonomike dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Përkrahësit e federalizmit rus janë ndaluar të shpalosin propozimet e tyre publikisht dhe Samiti mund të ndihmojë në këtë përpjekje të rëndësishme informuese.

Federalizimi i Rusisë nuk është thelbësor vetëm për demokracinë, por edhe për reduktimin e kërcënimeve të sigurisë nga Moska. Ndër të tjera hapa politike, Uashingtoni duhet të heqë dorë nga njohja e zgjedhjeve  të kapura kombëtare, rajonale dhe lokale në Rusisë dhe të referendumit të saj të manipuluar për kushtetutën që forcon edhe më pushtetin e Putinit.

Reklama

Dhe, Samiti mund t’u tregojë shtetasve të Rusisë se si Moska i shfrytëzon ekonomikisht rajonet më të pasura për të nxitur ofensivën e saj antiperëndimore, ndërsa elitat e saj politike përfitojnë nga korrupsioni i ndërtuar mbi “pushtetin vertikal” të Putinit.

Reklama

Nëse federalizmi i mirëfilltë dështon të kokretizohet për shkak të rezistencës së Kremlinit, atëherë opsioni separatist do të bëhet më tërheqës, çfarë do të kulmojë në copëtimin e Rusisë. Ndarja rajonale dhe formimi i shteteve të reja janë procese historike në të cilat besnikëria ndaj shtetit ekzistues bie dhe forma të reja sovraniteti mbështeten gjerësisht. Ka rajone etnike që nuk mund të integrohen brenda identitetit rus, veçanërisht në Kaukazin e Veriut, Vollgën e Mesme dhe Siberinë jugore.

Reklama

Disa rajone etnike ruse, gjithashtu, do të përfitonin nga pavarësia, ashtu si amerikanët anglishtfolës që patën refuzuar perandorinë shtypëse britanike.

Qeverive perëndimore dhe institucioneve shumëkombëshe do iu duhet të krijojnë lidhje me rajone dhe republika të ndryshme të Rusisë dhe të mbështesin përpjekjet e tyre për tranzicion paqësor drejt shtetëformimit. Sfidat e transformimit të republikave të pushtuara nga komunizmi në demokraci, mbi tridhjetë vjet më parë, mund të përsëriten gjatë dekadës së ardhshme, duke i kthyer rajonet dhe republikat e shtypura të Rusisë në shtete demokratike të qëndrueshme.

Reklama

Edhe pse Kremlini publikisht i hedh poshtë demokracitë perëndimore si dështime liberale, në të vërtetë ai i sheh ato si kërcënime gjeopolitike ndaj ambicieve të veta ndërkombëtare dhe kontrollit të brendshme.

Reklama

Në luftën e saj për demokracinë globale dhe sigurinë ndërkombëtare, administrata e ShBA-së mund të “zërë mat” neo-imperializmin rus duke ndihmuar shtetasit të çmontojnë shtyllat autokratike të shtetit Putinist. Samiti për Demokraci mund të jetë një pikënisje e çmuar për një ofensivë kaq konstruktive. /Gazeta “Dita”/