LAJMI I FUNDIT:

FED gabon për inflacionin

FED gabon për inflacionin

Rezerva Federale duhet të vazhdojë me ciklin gradual të tkurrjes monetare pavarësisht paqartësive mbi tendencën e nivelit të çmimeve, tha kryetarja e bordit të guvernatorëve, Janet Yellen, duke pranuar gabimet e bankës qendrore në projektimin e një prej objektivave kryesor të politikave.

Yellen tha se Rezerva Federale mund të ketë gabuar në modelin e vet për inflacionin dhe gjykuar keq mbi fuqizimin e tregut të punës dhe nëse pritshmëritë e inflacionit janë aq të qëndrueshme sa ç’duken.


Megjithatë, inflacioni i ulët ka gjasa të reflektojë faktorë që nuk do të jenë prezentë me kalimin e kohës dhe Yellen tha se do të ishte e gabuar që mbahen politikat monetare të pandryshuara deri sa inflacioni të arrijë 2%-shin.

“Pa rritje të mëtejshme të normës së fondeve federale, rrezikohet që tregu i punës të mbinxehet duke krijuar probleme në nivelin e çmimeve që mund të shkaktojë një recesion”, tha ajo.

Komentet e Yellen synojnë të zgjidhin një debat që ka ndarë politikëbërësit e bankës qendrore mes atyre që mendojnë se inflacioni mund të qëndrojë poshtë objektivit prej 2% për shkak të ndryshimeve strukturore në ekonominë globale dhe të tjerëve që mendojnë se është thjesht çështje kohe përpara se tregu i fortë i punës të sjellë rritjen e pagave dhe të çmimeve.

Komentet e Yellen se rritja e normës bazë të interesit do të vazhdojë pavarësisht mospërputhjeve me nivelin e çmimeve, bënë që dollari të fuqizohet kundër shportës së valutave kryesore. Kundër euros, dollari arriti nga 1.1850 në 1.1736. Tregjet e kapitalit dhe yieldet e titujve të borxhit u rritën gjithashtu në sesionin e djeshëm tregtar. /Telegrafi/