LAJMI I FUNDIT:

Fantazmat e luftës apo kambanat e paqes për ballkanasit?

Fantazmat e luftës apo kambanat e paqes për ballkanasit?

Kujtesë mbi pasojat e një lufte barbare të Serbisë së Sllobodan Millosheviqit (1991-1999)! Siç është e njohur, në prag të vitit 1990, BRSS u shpërbë pothuaj paqësisht dhe bashkë me të u shkërmoq edhe Traktati Varshavës (shkurt 1991). Federata e Jugosllavisë, për 40 vjet kishte përfituar nga qasja e Titos “as Lindje as Perëndim”. Vitet 90 e gjetën me një regjim më të moderuar në raport me pronën, të drejtat e njeriut, besimin fetar dhe gjendje ekonomike, krejtësisht tjetër p.sh me RPSSh-në e rraskapitur.

Përkundër pritshmërive optimiste, zgjedhjet e para pluraliste më 1990 i fituan ektremistët e Millosheviqit. Në mesin e vitit 1991, Sllovenia, Kroacia e Maqedonia e shpallën pavarësinë. Ndërsa, në vjeshtën e 1991, Ushtria serbe e rrafshoi Vukovarin dhe e bombarduan, si barbarë, edhe qytetin e vjetër të Dubrovnikut!


Konflikti etnik dhe fetar në Bosnje ishte më i përgjakshmi. Pavarësia u njoh ndërkombëtarisht në prill 1992, por Ushtria e gjeneralit famëkeq Ratko Mlladiq nuk e njohu dhe e mbajti të rrethuar Sarajevën për 44 muaj. Në gjenocidin e Srebrenicës (11-22 Korrik 1995), u vranë barbarisht tetë mijë burra, gra dhe fëmijë myslimanë. Kjo masakër damkosi si kriminel lufte Millosheviqin dhe liderin serb të Bosnjës, Radovan Karaxhiqin, por turpëroi edhe8i pafuqinë e OKB-së, BE-në etj.

Marrëveshja e Dejtonit (14 dhjetor 1995) i dha fund luftës katërvjeçare. Bosnje-Hercegovina u njoh si shtet i tre popujve dhe dy entiteteve, Federatën e Bosnje-Hercegovinës dhe Republikën Sërpska. Por, strategët skeptikë të kohës theksuan se kjo nuk ishte një paqe 100 për qind e drejtë, por se ishte sigurisht më e drejtë se vazhdimi i luftës!

Kosova jonë mbeti fushëbeteja e fundit e masakrës së Millosheviqit (1998-1999), me mbi 15 mijë të vrarë, pesë mijë të zhdukur dhe mbi 850 mijë shqiptarë të dëbuar forcërisht nga trojet e tyre.

Në përmbledhje, 10 vjet luftë brutale para syve të Evropës. Qytetarët e Bosnjës, Kosovës, Kroacisë, Sllovenisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, po edhe të Serbisë, e paguan shumë shtrenjtë paqen: rreth 300 mijë humbën jetën dhe shumë e më shumë lanë shtëpitë, pronat dhe morën arratinë nga pasiguria për jetën.

Pas luftës, pati më shumë se një “dekadë mjalti”, ku vendet (me histori të përgjakshme) u futen në garë kush do të anëtarësohej më shpejt në NATO dhe në BE. Falë mbështetjes së ShBA-së, Kroacia, Sllovenia, janë anëtare të NATO-s dhe BE-së. Shqipëria, Mal i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë anëtare të NATO-s, të cilat, përfshi Serbinë, kanë vite që presin te dera jo vetëm standardet po edhe pikëpresjet burokratike të anëtarësimit në BE! Ndërsa, edhe Kosova, edhe Bosnje-Hercegovina vijojnë me përpjekje dëshpëruese drejt NATO-s dhe BE-së.

Megjithatë, besoj se pak i kishim ëndërruar këto arritje, por edhe këto pikëpyetje mbi rikthimin e konflikteve të përgjakshme në rajon mbas me pak se dy dekadash paqe!

Falni, por mos harroni (Forget but not forgive) mbetet edhe si mesazh-epitaf jo vetëm për Kosovën dhe Bosnje-Hercegovinën e martirizuar, për Maqedoninë e Veriut, për Malin e Zi, për Kroacinë, Slloveninë dhe Shqipërinë që e paguan shtrenjtë marrëzinë e Millosheviqit, por edhe për ShBA-në e NATO- , që kontribuuan aq shumë për paqen e rajonit të mbërthyer nga urrejtja dhe luftërat e përgjakshme.

Kam ndjekur dhe ndarë me kolegë në Uashington, Bruksel, Berlin, Romë, Bukuresht, Sofje, e sigurisht në Tiranë, Prishtinë, Podgoricë, Sarajevë, Shkup, Beograd … vlerësime mbi rrezikun e një Lufte të Re Ballkanike. Po i përsëris disa nga pikëpyetjet strategjike:

Përse Serbia shpenzon më shumë se një miliard euro në vit për mbrojtjen (ose e barabartë me rreth shtatë vjet të Shqipërisë dhe dhjetë vjet të Kosovës? Pra, përse armatoset deri në dhëmbë (kryesisht nga Rusia) me Tanke, me aeroplanët Mig-29, helikopterët luftimi Mi-35, raketat Pantsir-S (&FK-3) etj.? Për edhe më thjeshtë: nga kush rrezikohet dhe kë kërcënon Serbia?!

A është propocionale që ndaj një detashmenti policor për reciprocitetin e targave, Beogradi të mësyjë me trupa ushtarake në kufi të Kosovës? Beogradi akuzon Qeverinë e Prishtinës se po kërcënon “ekzistencën e pakicës” serbe, ngjashëm me pretendimet që përdori Rusia më 2014 si dhe në vijim ndaj sovranitetit të Ukrainës!

A është diplomatikisht korrekte që ambasadori rus të inspektojë Ushtrinë serbe në kufijtë e një shteti sovran – Kosovës!? A po përpiqet Moska ta manipulojë dhe nxisë Beogradin për qëllimet e saj gjeopolitike, ndërkohë që Serbia i mbetet “në borxh” për bllokimin e Kosovës në OKB dhe varësinë ekonomike, energjetike, linjat e gazit etj.?

A shërben kjo si një mesazh force i Rusisë për NATO-n dhe ShBA-në se “do ta mbrojë aleatin e saj kyç në rast të një lufte rajonale”, si dhe për të testuar vendosmërinë e tyre për të “mos dorëzuar komunat veriore të Kosovës nën kontrollin e Beogradit” ndërkohë që Kosova nuk është pjesë e mbrojtjes kolektive (artikullit 5)?

Strategu i mirënjohur i Ballkanit, Janusz Bugajski, e sheh Serbinë si peng të Rusisë në Ballkan dhe shton se “për të rritur peshën gjeopolitike në Evropën Juglindore, Moska mund të përdorë serbët për të nisur një luftë të re me fqinjët”. Më tej shton: “Bixhozi me Kosovën mund të jetë pjesë e një ofensive më të gjerë për të ‘mbrojtur serbët’ në Bosnje-Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut e Kroaci që, sipas ministrit Vulin, kanë të drejtë për tu ribashkuar në një shtet të vetëm”!?

Mbas kërcënimeve të Milorad Dodikut për largimin e Republikës Sërpska, nga institucionet shtetërore (FA/ushtria, taksat, agjencia për ilaçe etj.), përfaqësuesi i OKB-së në atë shtet, Christian Shmidt, jep alarmin se “serbët e Bosnjës po kërcënojnë për të formuar ushtrinë e tyre, çka do të çonte në një konflikt të ri të armatosur” si dhe “për të shmangur një gjakderdhje tjetër si ajo më 1992-‘95, ndërkombëtarët duhet të shtojnë forcat paqeruajtëse”!

Po ashtu, ambasadori kroat në Tiranë, Zllatko Kramariq, nuk kursen kritikat edhe për ndërkombëtarët (BE-në), që sipas tij e mbështesin ose reagojnë me vonesë, sepse “nuk kanë mundur të shpëtojë nga sindroma e lëshimeve ndaj diktatorëve të vegjël të cilët nëse nuk ndalen në kohë, mund të shkaktojnë një katastrofë në shkallë globale”.

Rikthimi i luftës së përgjakshme dhe mendjeve të ndryshkura mund të kënaq ekstremistët, krimin e organizuar, oligarkët e pushtetit dhe ushtrinë e të korruptuarve, por është një thikë mbas shpine ndaj masave të mirëbesimit reciprok dhe agjendës së integrimit Euroatlantik të vendeve të rajonit.

Këtij alarmi në terren, jo vetëm Beogradi po dhe Moska zyrtare u kundërpërgjigjen me nervozizëm: “Fitili i fuçisë ballkanike janë ultranacionalistët shqiptarë”!?

Nga ana tjetër, me BE-në të konsideruar nga strategët si “pa timon”, si dhe me ShBA-në e fokusuar në Kinë dhe marrëdhënie të parashikueshme me Rusinë, Kremlini mund t’i leverdis gjeopolitikisht edhe opsioni i përplasjes ushtarake në rajon.

Por, në këtë “prag lufte të re”, u realizua “vizita e shpresës” (do ta quaja) të ndihmëssekretarit të Shtetit, Gabriel Escobar (8-10 nëntor), fillimisht në Bosnjë-Hercegovinë ku shprehu “vendosmërinë e ShBA-së për mbrojtjen e marrëveshjes së Dejtonit dhe për të parandaluar kolapsin e institucioneve”. Mbas bisedimeve zyrtare, përfshi me Dodikun, ai deklaroi se “është e hapur mundësia për të tërhequr vendimet e marra si dhe përsëriti se ShBA-ja mbetet e përkushtuar për të mos lejuar një luftë në rajon”. Ndërsa, mbas vizitës në Malin e Zi, ai mori garanci nga autoritetet vendase për “përmbushjen e detyrimeve në NATO dhe agjendën e integrimit në BE”!

A mundet të shmangen fantazmat e riciklimit të luftës si dhe a/si mund të ndërtohet paqe e qëndrueshme edhe për ballkanasit?

E keqja kur harrohet, përsëritet edhe më dhunshëm. Thirrjen ulëritëse “njerëz qëndroni vigjilent” ose “paqja, siguria dhe demokracia nuk janë dhurata të përjetshme”, mbeten mësime të përbotshme dhe për të gjitha kohët. Konsideruar këto mësime dhe jo vetëm, besoj fortë se jo fantazmat e riciklimit të luftës po paqja mbetet misioni i vetëm i bashkëqytetarëve ballkanas. Ato shërbejnë dhe si kambana alarmi për të qëndruar zgjuar dhe punuar/luftuar çdo ditë kundër rikthimit te errësira e urrejtjes dhe gjakderdhjes shekullore!

Me statusin e një eksperti me eksperiencë në peshimin e rreziqeve dhe oportuniteteve të sigurisë rajonale dhe NATO-s, do të këshilloja akterët shtetërorë që marrëveshjen e Ballkanit të Hapur, Procesin e Berlin, apo me çdo emërtim tjetër ta kushtëzojnë me një paketë masash të mirëbesimit reciprok, nëpërmjet të cilave vendet angazhohen se:

– Nuk kanë qëllime zyrtare, nuk planifikojnë operacione sulmuese dhe nuk zhvillojnë aftësi dhe kapacitete ushtarake që kërcënojnë vendet ndërkufitare; të respektojnë Marrëveshjen e Dejtonit në raport me Bosnje Hercegovinën dhe jo vetëm.

– Do të zbatojnë standardin e NATO-s për shpenzimet e mbrojtjes (jo më shumë se dy për qind) si dhe ndërpresin programet e armatimit (aeroplanë, raketa, helikopterë lufte, tanke etj.) që prishin balancat e fuqisë ushtarake (në ajër, tokë dhe det) midis gjashtë vendeve nënshkruese.

– Nuk do të vendosin instalime dhe as zhvillojnë aktivitete ushtarake, në përkatësisht 20 kilometra distancë ajrore dhe pesë tokësore, në kufijtë zyrtar të vendeve nënshkruese.

– Shkëmbimi informacioneve mes angjencive kombëtare të inteligjencës në lidhje me trafiqet e armëve, ADM, krimin e organizuar, grupet radikale, terroriste etj.

– Nuk do të lejojnë që territoret e tyre (ajrore, tokësore dhe detare) të shërbejnë si rrugëkalime të armatimeve të vendeve potencialisht kundërshtare të NATO/BE (Rusia, Kina).

– Ngritjen e strukturave, kapaciteteve dhe një momerandum bashkëpunimi për reagime të përbashkëta në rastet e emergjencave civile, natyrore, epidemive mjekësore etj.

– Marrëveshja do t’i nënshtrohet paraprakisht një diskutimi gjithëpërfshirës me përfaqësues me peshë, qytetarët dhe grupet e interesit, në mënyrë që miratimi i saj të realizohet me konsensus sa më të gjerë mes partive politike.

– Marrëveshja, përfshirë edhe këtë paketë me parakushtet e mirëbesimit reciprok, mbetet e hapur për t’u diskutuar dhe miratuar nga parlamentet e gjashtë vendeve të Ballkanit (Shqipëria, Bosnja-Hercegovina, Mal i Zi, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Serbia), por mbështetur në parimin e vetëvendosjes mundet të nënshkruhet edhe mes vendeve që nuk kanë pretendime ose bien dakord me parakushtet e mësipërme.

– Marrëveshjet e fokusuara te interesat ekonomike (lëvizja e lirë e qytetarëve, mallrave, tregjeve, shërbimeve, dhe investimeve) kushtëzohen nga paketa e masave të mirëbesimit reciprok sipas pikave të sipërpërmendura.

-Ngritjen e një bordi ekspertësh për të formuluar draft-marrëveshjen dhe matricën e zbatimit me detyrimet që kanë Institucionet e vendeve nënshkruese.

– Ngritjen e një komiteti të përbashkët për të monitoruar dhe informuar në kohë reale autoritetet e vendeve anëtare mbi përmbushjen e detyrimeve nga institucionet respektive sipas matricës finale që do e shoqërojë marrëveshjen.

– Vendet anëtare të rajonit të Evropës Juglindore në NATO (Kroacia, Sllovenia, Mal i Zi, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bullgaria e Rumania), t’i paraqesin NATO-s një vlerësim rreziku strategjik si dhe ti kërkojnë zyrtarisht përgatitjen e planit operacional me skenarët e reagimit të përbashkët, nëse kërcënohet çdonjëri nga vendet ose status-quoja gjeopolitike në rajon.

– Cilado qoftë marrëveshja, përfshirë edhe këtë paketë parakushtesh të mirëbesimit reciprok, para miratimit do të duhet të konsultohet me ShBA-në dhe NATO-n, të cilat mbeten faktorë kritikë për paqen, stabilitetin, agjendën e integrimit euroatlantik të rajonit, si dhe kanë interesa dhe përgjegjësi gjeopolitike në Rajon dhe Mesdhe.

Në shtesë, me përulësinë e një eksperti, me eksperiencë dhe kontribute me shumë se modeste në çështjet e sigurisë kombëtare, rajonit, NATO-s etj., do t’i këshilloja publikisht dhe vëllazërisht akterët politikë dhe faktorët institucionalë në Tiranë dhe Prishtinë, që për interesa jetike kombëtare të shmangin shpërdorimin politik, fasadat populisto-elektorale, personalizimin dhe inatet irracionale mes tyre. Për më tepër: të përulen në gjunjë para historisë së përgjakshme si dhe përgjegjësive shtetërore duke përgatitur një platformë partneriteti strategjik midis Shqipërisë dhe Kosovës. Me fjalë të tjera, jetësimin e projektit “dy shtete një komb” dhe atij të “mençur” mbi sovranitetin dhe mbrojtjen e interesave mbarëkombëtare, duke konfirmuar se kjo “qasje e vonuar” nuk kërcënon asnjë vend, përkundrazi do të kontribuojë si balancë racionale për paqen afatgjate të rajonit.

Së fundmi, e përsëris edhe më fortë se ashtu si në të gjitha angazhimet për 30 e kusur vjet në fushën e reformave të sigurisë dhe anëtarësimit në NATO, rikonfirmoj me përulje se partia ime mbeten interesat kombëtare dhe Shqipëria demokratike si ShBA-ja dhe gjithë Evropa.

(Autori është ushtarak – gjeneral; ekspert për sigurinë kombëtare dhe NATO-n; ishte zëvendëshpresident i Këshillit të Atlantikut, këshilltar ushtarak i Presidentit të Shqipërisë dhe përfaqësues i Shqipërisë në NATO)