Fansat e Beyonce-s të bindur: albumi rock mund të zbulohet në Met Gala

Fansat e Beyonce janë bindur se ylli mund të zbulojë albumin e saj të ri rock gjatë Met Gala 2026, pasi ajo publikoi disa fotografi provokuese në Instagram që ndezën menjëherë spekulimet në rrjet.
Këngëtarja 44-vjeçare, e cila do të jetë bashkë-moderatore e eventit, u shfaq e veshur me një fustan dramatik vjollcë, detaj që shumë fansa e lidhën me këngën ikonike “Purple Rain” të Prince.
Prej kohësh përflitet se artistja po përgatit një album të frymëzuar nga muzika rock, që pritet të jetë Akti i Tretë i trilogjisë së saj muzikore, pas albumeve Renaissance dhe Cowboy Carter, shkruan DailyMail.

Fotografitë e fundit, ku ajo shfaqet me stil dramatik dhe elemente simbolike, përfshirë detaje të fshehta si taka dhe objekte të vendosura me kujdes, shtuan edhe më shumë teoritë e fansave se një surprizë e madhe mund të vijë shumë shpejt.
Në komentet në rrjetet sociale, ndjekësit shprehën entuziazëm dhe bindje se publikimi i fundit ishte një paralajmërim i drejtpërdrejtë për projektin e ri.

Shumë prej tyre theksuan se ngjyra vjollcë është një referencë e qartë për stilin dhe trashëgiminë artistike të Prince, duke sugjeruar se albumi mund të jetë një homazh ndaj ikonës së muzikës rock dhe pop.
Ndërkohë, Met Gala 2026 do të mbahet më 4 maj dhe pritet të mbledhë një numër të madh personazhesh të njohur nga bota e modës dhe artit.
Pikërisht ky event po shihet nga fansat si momenti ideal për një njoftim madhor nga Beyonce, e cila njihet për surprizat e papritura dhe lançimet spektakolare që kanë bërë histori në industrinë muzikore. /Telegrafi/

































































