LAJMI I FUNDIT:

Fanella me të cilën debutoi Kobe Bryant në NBA shitet për një çmim rekord në ankand

Fanella me të cilën debutoi Kobe Bryant në NBA shitet për një çmim rekord në ankand

Fanella të cilën Kobe Bryant e ka veshur në debutimin e tij në NBA është shitur për shtatë milionë euro në një ankand të enjten. 

Sipas shtëpisë së ankandit Sotheby’s, kjo shitje vendos një rekord për reliket e lidhura me legjendën e Los Angeles Lakers, i cili vdiq në një aksident me helikopter në vitin 2020 së bashku me vajzën e tij 13-vjeçare Gianna dhe shtatë persona të tjerë. 

Kjo shifër prej shtatë milionë eurosh tejkalon rekordin e mëparshëm të 5.85 milionë eurove që janë paguar për fanellën e nënshkruar të Bryant nga sezoni 2007/2008 në të cilën ai e fitoi çmimin ‘MVP’ në NBA. 


Si një 18-vjeçar, atëbotë Bryant kishte veshur fanellën e famshme ngjyrë të verdhë me numrin tetë në ditën e prezantimit para mediave, debutimi i tij në parasezon dhe debutimi në sezonin e rregullt më 3 nëntor 1996, si dhe në katër ndeshje të tjera. 

Sipas ESPN, Bryant ka luajtur gjashtë minuta, por nuk ka shënuar asnjë pikë në debutimin e tij në sezonin e rregullt ndaj Minnesota Timberwolves. 

 Sotheby’s e përshkruan fanellën si një “urë midis potencialit të papërpunuar të një adoleshenti që bëri mrekulli dhe madhështisë së rafinuar që do të pasonte”. 

Fanella u shit më parë për 115,242 mijë dollarë në ankand në vitin 2012. 

Ndonëse Bryant regjistroi një mesatare prej 7.6 pikësh për ndeshje në sezonin e tij të parë në NBA, ai më pas u pensionua si njëri nga më të mirët e të gjitha kohërave me pesë tituj të fituar. 

Sipas Reuters, kjo është fanella e katërt më e shtrenjtë ndonjëherë në historinë e sporteve vetëm mbrapa asaj të Babe Ruth (24 milionë euro), Michael Jordan (10.1 milionë) dhe Diego Maradona (9.3 milionë euro)./Telegrafi/