Familjet moderne po i humbin zakonet e vjetra: Çfarë po zhduket nga shtëpitë tona?

Nga darkat e përbashkëta dhe leximi i tregimeve, deri te albumet me fotografi e recetat e gjysheve, shumë tradita dikur të zakonshme po zbehen në familjet moderne
Traditat familjare janë dëshmuar si të dobishme për fëmijët, por jo çdo zakon i dikurshëm do të mungojë kur të zhduket. Prindërit e sotëm ndiejnë gjithnjë e më pak trysni për t’u përshtatur me zakonet e vjetra dhe shpesh nuk kanë interes të vazhdojnë diçka që nuk u përshtatet.
Për fat të keq, disa nga këto tradita po zhduken sepse familjet kanë më pak kohë, janë më pak të lidhura dhe kanë më pak mundësi financiare. Pavarësisht arsyeve, ka ende shpresë që disa zakone të vjetra të kthehen në një formë të përshtatur për brezat e rinj.
Vizitat në bibliotekë dhe leximi i tregimeve
Edhe pse disa ekspertë thonë se mësimi i leximit është kryesisht përgjegjësi e shkollës, praktika fillon në shtëpi. Brezat e mëparshëm ruanin tradita si tregimet para gjumit, shkuarja në bibliotekë dhe “orët e qeta” për lexim ose ngjyrosje.
Sot, fëmijët kalojnë më shumë kohë para ekraneve se kurrë më parë dhe, për fat të keq, lexojnë më pak.
Si ndikon leximi i rregullt në shëndetin e trurit?
“Leximi me zë është një përvojë e përbashkët, e cila ndërton lidhje njerëzore dhe u jep fëmijëve modelin se si tingëllon leximi i mirë, sidomos kur lexuesi përdor shprehje dhe e dramatizon sadopak tregimin”, ka thënë ekspertja e shkrim-leximit, Sue Corbin.
Është dëshmuar se leximi për fëmijët e vegjël e rrit fjalorin, si edhe kuptimin e botës dhe të përvojave emocionale të të tjerëve. Ekspertët pranojnë se leximi në shtëpi nxit aftësi më të mira, por është e qartë se kjo traditë po zbehet dalëngadalë.
Trashëgimia familjare
Ndërsa brezat e vjetër i çmonin kujtimet dhe sendet e trashëguara familjare, brezat e rinj janë më pak të lidhur me to. Stolitë, mobiliet dhe kujtimet nuk shihen më si thesare, pjesërisht sepse sende të tilla sot mund të gjenden më lehtë dhe me çmime më të ulëta.
Përveç kësaj, meqenëse më pak të rinj kanë shtëpi të vetën, familjet kanë më pak hapësirë për të ruajtur sende të mëdha. Edhe cilësia është faktor i rëndësishëm, sepse sendet e sotme më rrallë kalojnë nga një brez te tjetri.
Në fund, antikat dhe zbukurimet nuk vlerësohen më si në shekullin e kaluar, pasi prirja estetike anon më shumë nga thjeshtësia, ndonëse vitrinat thuhet se po kthehen sërish në modë.

Krijimi i albumeve me fotografi
Me zhvillimin e teknologjisë digjitale, shumë familje moderne kanë hequr dorë nga albumet fizike të fotografive, për të kursyer kohë, para dhe hapësirë. Shpesh ato zëvendësohen me korniza digjitale.
Megjithatë, ka diçka të veçantë në shfletimin e albumeve të vjetra, në shikimin e fotografive të madhësive të ndryshme dhe në leximin e shënimeve të shkruara me dorë. Kjo krijon ndjesinë e lidhjes me të kaluarën, jo vetëm ndjesinë se po shikojmë edhe një ekran tjetër.
Darkat e përbashkëta familjare
Sipas organizatës The Family Dinner Project, më pak se 30 për qind e familjeve moderne hanë rregullisht së bashku, krahasuar me 70 deri në 80 për qind në fillim të viteve nëntëdhjetë.
Kjo organizatë thekson se hulumtimet konfirmojnë atë që prindërit e kanë ditur prej kohësh: vakti i përbashkët është i mirë për shpirtin, trurin dhe shëndetin e të gjithë anëtarëve të familjes.
Studime të fundit i lidhin vaktet e rregullta familjare me nota më të mira, qëndrueshmëri më të madhe dhe vetëbesim më të lartë te fëmijët. Ato gjithashtu lidhen me norma më të ulëta të abuzimit me substanca, shtatzënive në adoleshencë, çrregullimeve të të ushqyerit dhe depresionit.
Një nga arsyet kryesore të rënies së kësaj tradite është numri më i vogël i familjeve ku një i rritur nuk punon. Sipas një raporti të Institute for Women’s Policy Research, nënat sot punojnë 300 orë më shumë në vit sesa në vitin 1977, ndërsa orët e punës së baballarëve kanë mbetur kryesisht të pandryshuara.

Dërgimi i kartolinave dhe letrave
Zhvillimi i teknologjisë digjitale ka ndikuar edhe në traditën e dërgimit të kartolinave të festave dhe letrave të shkruara me dorë. Sot mjafton një mesazh, një telefonatë ose një urim virtual.
Edhe pse kjo traditë po zhduket, shumë njerëz ende kënaqen kur marrin kartolina fizike, edhe nëse vetë nuk i dërgojnë më.
Koha pa teknologji
Edhe pse hulumtimet tregojnë se kalimi i kohës me familjen mbetet përparësi, shumica e familjeve moderne nuk kalojnë kohë cilësore së bashku si dikur.
Për shkak të orareve të ngarkuara dhe prirjes për t’u strehuar te teknologjia, është e vështirë të gjendet kohë për shoqërim. Edhe kur janë bashkë, anëtarët e familjes shpesh janë të zënë me aktivitetet e tyre individuale.
Disa familje po përpiqen ta mbrojnë kohën e përbashkët duke vendosur rregulla për përdorimin e teknologjisë.
Ruajtja e recetave familjare
Gjithnjë e më pak familje moderne sot i ruajnë dhe i përdorin recetat e vjetra familjare. Arsyet janë mungesa e kohës, qasja e lehtë në teknologji dhe largimi nga kuzhina shtëpiake.
Ushqimet që gjyshet përgatisnin dikur nuk konsiderohen më gjithmonë të shëndetshme. Prindërit e sotëm shpesh shmangin yndyrat e ngopura dhe ngjyruesit artificialë.
Megjithatë, ka shpresë për kthimin e kësaj tradite, sepse brezi Z vitet e fundit po tregon më shumë interes për ushqime të shëndetshme, të përgatitura nga përbërës të plotë.

Mbrëmjet filmike familjare
Mbrëmjet familjare me filma pothuajse janë zhdukur. Në vend që të shikojnë diçka së bashku, fëmijët janë me tableta, ndërsa prindërit para ekraneve të tyre.
Kështu humbet një mundësi e rëndësishme për të mësuar kompromisin dhe për të forcuar lidhjen familjare.
Në mënyrë paradoksale, organizimi i një mbrëmjeje filmike sot do të duhej të ishte më i lehtë se kurrë, duke pasur parasysh platformat e shumta që ofrojnë filma dhe seriale me kosto shumë më të ulët sesa kinematë.
Kthimi në shtëpi për festa
Dikur ishte e zakonshme që anëtarët e familjes nga vende të ndryshme të mblidheshin për festa. Sot njerëzit shpesh kanë më pak ditë pushimi, ndërsa udhëtimet janë më të shtrenjta.
Janë shfaqur edhe prirje të reja, si festimi i Ditës së Falënderimeve me miq, ndërsa është rritur edhe numri i të rinjve që ndërpresin kontaktin me prindërit.
Nga ana tjetër, platformat digjitale si Zoom dhe FaceTime u mundësojnë familjeve të mbeten të lidhura dhe të ndajnë çaste festive edhe kur udhëtimi nuk është i mundur. /Telegrafi/
















































