Qepa, fërgesa dhe ushqimet e rënda lënë aromë për orë të tëra. Me vetëm dy përbërës që i keni në kuzhinë, ajri mund të freskohet shpejt dhe pa kimikate.

Gatimi në shtëpi mund të jetë kënaqësi, por ekziston një moment që e prish gjithë përvojën. Nuk janë enët, as koha, por ajo aromë që mbetet për orë të tëra, ndonjëherë edhe ditë, dhe përhapet kudo, në perde, mobilie dhe rroba.


Sado që hapni dritaret apo ndizni aspiratorin, disa aroma nuk largohen lehtë. Sidomos kur bëhet fjalë për skuqje, qepë apo ushqime më të rënda që zihen gjatë.

Pikërisht për këtë arsye, ditët e fundit po tërheq vëmendje një truk i thjeshtë që rekomandohet nga Lynsey Crombie, e njohur si “mbretëresha e pastërtisë”. Dhe nuk ka asgjë të komplikuar, përkundrazi, përdor diçka që tashmë e keni në kuzhinë.

Sekreti është te avulli dhe një përbërës që e ka çdo shtëpi

Zgjidhja është aq e thjeshtë sa duket e pabesueshme. Ju nevojitet uthull e bardhë dhe ujë i valuar.

Uthullën e hidhni në një enë, shtoni ujë të nxehtë dhe e lini në dhomë. Nuk ka spërkatje, nuk ka fërkim dhe as produkte shtesë.

Ideja është që avulli mbart grimcat aktive të uthullës, të cilat nuk i mbulojnë aromat, por i shpërbëjnë ato. Kjo është dallimi kryesor nga freskuesit klasikë që vetëm e maskojnë problemin.

Efekti vërehet shpejt. Pas një kohe të shkurtër, ajri në hapësirë ndryshon dhe aroma e rëndë e gatimit fillon të zhduket, transmeton Telegrafi.

Pse uthulla funksionon më mirë se gjithçka tjetër

Arsyeja është e qartë. Uthulla ka aciditet natyral që reagon me grimcat e aromave të pakëndshme dhe i shpërbën ato.

Për këtë arsye përdoret prej kohësh si një nga mjetet më efektive për pastrim, pa kimikate, pa aroma të forta dhe pa shpenzime të panevojshme.

Në praktikë, kjo do të thotë se nuk do të merrni “aromë mbi aromë”, por ajër të pastër.

Si ta përforconi efektin pa aroma artificiale

Nëse dëshironi që hapësira të jetë jo vetëm neutrale, por edhe e këndshme, mund të shtoni diçka të vogël.

Në përzierje mund të vendosni disa feta limoni, një shkop kanelle ose disa kokrra karafili. Kjo jo vetëm që ndihmon në neutralizim, por jep edhe një aromë të lehtë dhe natyrale.

Është dallimi mes një shtëpie që “merr erë diçkaje” dhe një shtëpie që duket vërtet e pastër.

Kur aroma nuk largohet lehtë

Ka raste kur as kjo nuk mjafton menjëherë. Atëherë përdoret një variant më i fortë.

Uthullën dhe ujin i vendosni në një tenxhere dhe i lini të avullojnë lehtë në sobë për 15 deri në 30 minuta. Avulli përhapet në gjithë hapësirën dhe arrin edhe në vendet ku aromat qëndrojnë më shumë, si tekstilet dhe qoshet.

Kjo është mënyra më efektive për të larguar aromat e forta pa kimikate dhe pa teprime.

Në fund, gjithçka është e thjeshtë. Nuk është problemi që gatuani, por mënyra si e menaxhoni atë që mbetet pas. Dhe shumica ende gabojnë, hapin dritaren dhe presin që problemi të zhduket vetë. Nuk ndodh. /Telegrafi/