LAJMI I FUNDIT:

Familjet e dëshmorëve në kushte të rënda të banimit

Familjet e dëshmorëve në kushte të rënda të banimit

Rreth 72 familje të dëshmorëve të komunës së Vushtrrisë ende nuk e kanë zgjidhur çështjen e banimit dhe ky është një nga problemet me të cilat përballet Komuna e Vushtrrisë, e cila nuk ka mjete buxhetore për ta zgjidhur problemin e banimit të familjeve të dëshmorëve.

Për ndryshim nga Komuna e Drenasit, e cila u ka siguruar troje të gjitha familjeve të dëshmorëve, edhe Komuna e Skenderajt, e cila është duke realizuar projektin e kompleksit të banesave “UÇK”, Komuna e Vushtrrisë ka ndarë 0.40 hektarë tokë komunale, por nuk ka gjetur donatorë për të investuar në ndërtimin e kompleksit të banesave për familje të dëshmorëve të komunës së Vushtrrisë.


Kryetari i Vushtrrisë, Bajram Mulaku, i cili ka biseduar me përfaqësuesit e Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Vushtrrisë, ka thënë se problemi i banimit të kategorive të luftës, në veçanti i familjeve të dëshmorëve, ka qenë përherë prioritet i Komunës.

“Ky problem ende është barrë, ndonëse jemi përpjekur që ta zgjidhim problemin. Komuna ka siguruar një pjesë të tokës prej 0.40 hektarësh për ndërtimin e kompleksit të banesave për familjeve të dëshmorëve dhe kategorive të tjera të dala nga lufta. Zgjidhja e çështjes së banimit për këto kategori ka qenë gjithmonë prioritet i Komunës, por në mungesë të mjeteve buxhetore nuk kemi mundur të bëjmë asgjë”, ka thënë Mulaku për “Zërin”.

Ai ka shtuar se zgjidhja e vetme aktualisht është gjetja e donatorëve, të cilët do të investonin në ndërtimin e një kompleksi të banesave, por edhe ndërhyrja e nivelit qendror për të investuar.

“Komuna ka qenë gjithnjë e interesuar për zgjidhjen e problemit të strehimit të familjeve të dëshmorëve dhe kategorive të tjera të dala nga lufta, por me buxhet jashtëzakonisht të vogël nuk kemi pasur mundësi të bëjmë më tepër sesa ta hartojmë një projekt dhe t’i ndajmë 40 arë truall për këtë qëllim, si dhe të kërkojmë ndihmë nga donatorët e huaj”, ka ripërsëritur Mulaku.

Kryetari i Vushtrrisë, gjithashtu ka lënë të hapur mundësinë që për ndërtimin e kompleksit të banesave për familje të dëshmorëve të investojë Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale, si dhe donatorë vendorë. /Zëri/Telegrafi/