LAJMI I FUNDIT:

Falënderim për Salih Kabashin

Shoqëria nuk ecën përpara vetëm nga liderët me vizion, por edhe nga njerëzit që nuk i nënshtrohen pushtetit, që u japin hapësirë njerëzve me ide që janë në minorancë, sepse ndodhë që pikërisht idetë e tyre janë ato që u qëndrojnë kohës.

Dy dekada më parë, kishte rënë komunizmi, por në Kosovë i ishim nënshtruar autocensurës. Nuk kishte gjasë që të depërtonin shkrimet që nuk ishin sinkron vijës politike në fuqi. Përjashtim bënte vetëm një njeri me revistën e tij “Republika” që e botonte në Lubjanë. Ky ishte Salih Kabashi me revistën më liberale në gjuhën shqipe. Sikur mos të ekzistonte kjo revistë shumë shkrime të mia të asaj kohe ku me ditë se kur do ta shihnin dritën e botimit.


Duke biseduar me një mik për mirënjohjen time ndaj Salih Kabashit, më dha idenë se si t’i falënderohem në mënyrën më të mirë. Më tha – tani që është aktuale çështja e Preshevës, që Sali Berisha thotë se nuk mund të klonohen pesë kombe shqiptare etj. ribotoje shkrimin tënd të para 21 viteve me titull “Çka humb e çka fiton Serbia?”, dhe kur lexuesi të shoh nga perspektiva e dy dekadave më mbas se si t’i ka vërtetuar koha të gjitha ato që ke shkruar atëherë, që asnjë parashikim nuk e ke gabuar, e askush tjetër pos “Republikës” s’të ka botuar, ky do të jetë falënderimi më i madh për Salih Kabashin.

Në vijim po e jap shkrimin në fjalë shkruar me 20 Prill 1992 dhe botuar në numrin e Maj-Qershor 1992 të revistës “Republika”.

Çka humb e çka fiton Sërbia?

Sërbia humbi Slloveninë, dy të tretat e Kroacisë e me gjasë do ta humbë edhe Bosnjën, Maqedoninë, Kosovën, Sanxhakun, Vojvodinën e Malin e Zi. D.m.th., humbja maksimale e Sërbisë është humbja e territoreve që, edhe ashtu, nuk janë të saj. Valevën, Kralevën Kragujevcin e Beogradin askush nuk po i konteston se janë të Sërbisë.

Asnjë shtet, madje asnjë parti politike apo individ, nuk po sheh ëndërr se Beogradi, Valeva apo Kragujevci mund t’i takojë Hungarisë, Rumanisë, Bullgarisë, Shqipërisë, Kroacisë, Bosnjës, Gjermanisë, apo Tunguzisë.

Madje shqiptarët janë të gatshëm jo vetëm t’ia dhurojnë Leposaviqin (e kush e ka Leposaviqin si pikë strategjike e ka edhe Trepçen dhe Mitrovicën), por edhe trevat etnike shqiptare Preshevën, Bujanovcin e Medvegjën, të cilat janë të "kënaqur" edhe me autonomi.

Sërbisë nuk po i kanoset rreziku që të humbë ndonjë territor të vetin e aq më tepër ka gjasë që pas bombardimit të Beogradit (që domosdo do të vijë, përndryshe Millosheviqi nuk bie e as lufta nuk përfundon), Sërbia të vazhdojë të mbajë ndonjë territor nën okupim. (Farë Presheve e farë Sanxhaku, të cilat mund të "kënaqen" me ndonjë farë autonomie, shkolla në gjuhën amtare e flamuj kombëtarë). Vërtet, Sërbia me ndonjë politikë tjetër ka mundur ta mbajë Jugosllavinë edhe për disa vite, por objektivisht më gjatë Jugosllavia nuk mund të qëndronte. Strategjia sërbe ka konsistuar në atë, që para se të humben territoret e pushtuara të shfrytëzohen ato maksimalisht.

Ajo që Sërbia ka plaçkitur Kosovën, Bosnjën, Kroacinë është vetëm një grimë e plaçkitjes së madhe që Sërbia mendon të bëjë dekadave të ardhshme e ndoshta edhe shekujve të ardhshëm. Fitimi më i madh i Sërbisë është ajo që Sërbia po arrin të bëjë luftë duke mos i rrezikuar territoret e veta.

Llogaria sërbe është kjo: Për një komb 10 milionësh, sa thonë se ka sërbë, nuk është asgjë po u pakësuan për një milion veta (si nëntë si dhjetë gati njësoj është kuantitivisht) me qëllim të forcimit kualitativ të kombit sërb. Sërbët, pra, ndjekin shembullin gjerman.

Gjermanët prej një populli të ndarë e të përçarë, dembel e jo punëtorë çfarë ishin para një shekulli, përmes disa luftërave që i bënë radhazi e të cilat shumicën i humbën, arritën ë bëhen populli më punëtor dhe kombi numër një në Evropë. E vërtetë që Berlini qe rrafshuar me tokë, por çka i mungon sot Berlinit në krahasim me metropolet e tjera të Evropës. Sërbët e dinë se nuk mund të maten me gjermanët, por sado, kudo në takatin e tyre përpiqen ta ndjekin shembullin e tyre.

Ndoshta dikur, pas 50 viteve, ndonjë popull që ende do të jetë i robëruar do të këndojë "Hvala Srbijo" sikur që sot këndojnë kroatët "Tanke Deutscheland".

Pse Sërbisë i leverdisë lufta?

Sërbia nuk po i dërgon në fronte intelektualët, studentët, mjeshtërit etj., por kryesisht vagabondët, rrugaçët, alkoolistët, përdoruesit e drogës etj. dhe armiqtë e vet të brendshëm hungarezët, boshnjakët, shqiptarët. Aq i bën Sërbisë nëse këto kategori njerëzish vriten në fronte. Vagabondi kur shkon në luftë ose vritet, ose bëhet njeri.

Në anën tjetër, Sërbia gjatë kësaj lufte po krijon kuadro të cilat në paqe nuk do të mund t’i krijonte me dekada. Kurse kundërshtarët e Sërbisë që janë kundër luftës (shqiptarët, boshnjakët etj.) i dëmton shumëfish. Yndyrën shqiptare ajo e vret, e kalb nëpër burgje etj., kurse vagabondët e hajdutët i lëshon nëpër Evropë si kundër-propagandë shqiptare.

Madje, edhe po qe se ndodh që Beogradi të rrafshohet përtokë e Prishtina të mbetet e paprekur, pas 2-3 dekadave Beogradi do të jetë metropol i vërtetë, e Prishtina do të jetë Prishtinë me rrugët me baltë. Ja që Sërbia derisa të vijë te bombardimi i Beogradit, nuk është duke i lënë “keq” as Sarajevë, as Dubrovnik e Vukovar e, sigurisht, se s’do ta lërë “keq” as Prishtinën.

Ku është fati i kundërshtarëve të Sërbisë?

Fati i kundërshtarëve të Sërbisë qëndron në faktin se strategjinë kombëtare sërbe e kanë të njohur shtetet e zhvilluara. Gjermanët, të cilët e kanë kaluar tashmë këtë rrugë, nuk dëshirojnë që sërbët ta ndjekin rrugën e tyre. Dhe pikërisht këtu sërbët u gabuan në llogaritë e veta. U gabuan sepse besuan në pacenueshmërinë e normave ndërkombëtare dhe parimeve të veprimit të deritanishëm politik ndërkombëtar. Nuk e besuan se shtetet e zhvilluara mund edhe t’i shkelin normat ndërkombëtare dhe parimet e sjelljes. Njësoj sikur që edhe shqiptarët, që besuan në pacenueshmërinë e kushtetutës federative dhe ligjeve ndërkombëtare, u mashtruan sepse ato Sërbia i shkeli.

Përndryshe ka qenë jashtë çdo logjike që SHBA ta njohin Bosnjën e Hercegovinën, e cila as për së afërmi nuk i ka plotësuar kushtet për njohje, (asnjë territor të çliruar pa monedhë të vet pa ushtri të vet, me polici të përgjysmuar etj). Shtrohet pyetja, pse atëherë SHBA-të nuk e pranuan Republikën e Kosovës, e cila po aq sa Bosnja (nuk) i plotëson kushtet për njohje? Përgjigja qëndron në faktin se lufta do të shpërthente edhe në Kosovë dhe SHBA-të janë të interesuara që konfliktet rajonale të mos dalin jashtë kontrollit. Kjo nuk do të thotë se më vonë nuk do të ketë luftë në Kosovë dhe Kosova të njihet si shtet.

Çka duhet të bëjnë shqiptarët?

Nëse ekziston interesi i SHBA-ve që Kosova të jetë shtet kjo nuk do të thotë se ndokush është i interesuar t’i mbrojë shqiptarët prej masakrës, as Sërbët, as kundërshtarët e saj (SHBA, Gjermania etj). Për shqiptarët çdo moment i humbur kohe do të thotë një shqiptar më pak. Shqiptarët duhet të përgatiten pa shpresuar asnjë moment se lufta nuk do të ndodhë. Sa më shumë të përgatiten, aq më pak do të kenë viktima, aq më parë do të vijnë në ndihmë aleatët.

Ajo që thotë Ibrahim Rugova, se jemi për zgjidhjen e çështjes me dialog e në mënyrë paqësore, është gjë normale se çdo diplomat duhet të deklarohet ashtu.

Madje edhe Millosheviqi thotë se është për dialog (e madje ai edhe ka bërë dialogë e marrëveshje paqësore sa të duash) dhe sot e kësaj dite nuk e pranon se është në luftë. Mirëpo është jo logjikë që të pritet që të zgjidhet çështja e Kosovës pa luftë kur kemi të bëjmë me nacizmin sërb (si çdo nacizëm në përgjithësi), të cilit më shumë i duhet lufta se sa vetë Kosova. Për shqiptarët ka ardhur shansi historik, sepse ndodhen para rrezikut më të madh në histori. E vetëm rreziqet e mëdha sjellin fitoret e mëdha.

Tani, kur Sërbia ndodhet si Gjermania para 50 vjetësh, kundërshtarët e Sërbisë (Amerika, Gjermania etj) janë të interesuara t’i këpusin asaj sa më shumë territore. Gjermania, Amerika etj., nuk koriten për pak. Njësoj sikur të nxjerrin nga kthetrat e saj vetëm Rrafshin e Dukagjinit, si t’ia marrin tërë Kosovën (me Preshevë, Medvegjë e Bujanovc,) Sanxhakun e Vojvodinën, tërë kjo punë një emër e ka: Çlirimi i territoreve të okupuara (ndokush mund ta quajë edhe copëtim të Sërbisë, por kjo njësoj është).

Prandaj është në interes të shqiptarëve që ta shpallin:

Bashkëngjitjen e Preshevës, Bujanovcit, Medvegjës e Sanxhakut Republikës së Kosovës dhe të veprojnë konform me këtë akt. Të përcaktohen saktësisht kufijtë dhe të publikohen sa më parë hartat., të nxirret kushtetuta e re (Ajo e Kaçanikut është vjetruar). Të plotësohen organet e Republikës me përfaqësues të këtyre trevave etj., etj. Në këtë mënyrë shumë më mirë korrespondojmë me aleatët tanë sepse kështu mund të na llogarisin si faktor. Tek e fundit a është më mirë të vendosen helmet-kaltërit mbi Priboj e Sjenicë, apo tek Vuçtiërna e Skënderaj?

Kur do të ndihmohen shqiptarët?

Askush shqiptarëve nuk t’u jep tanke po që se nuk dëshmohen se dinë ta përdorin pushkën, Askush nuk do të na jep aeroplanë po që se nuk dëshmojmë se dimë t’i përdorim topat. Shqiptarët nuk kanë çare pa i përdorë gjithë këto se përndryshe zhduken nga këto troje vetëm pyetja shtrohet kur?

Shqiptar mos e prit zorin e madh…

20.04.1992

Në trend

Më shumë
“Vetëm një skuadër në Evropë është më e mirë se Bayern Munich” – legjenda e bavarezëve flet për Tuchel dhe ecurinë e klubit

“Vetëm një skuadër në Evropë është më e mirë se Bayern Munich” – legjenda e bavarezëve flet për Tuchel dhe ecurinë e klubit

Liga e Kampionëve
Çfarë janë retë artificiale dhe a shkaktuan përmbytjet e mëdha në Dubai?

Çfarë janë retë artificiale dhe a shkaktuan përmbytjet e mëdha në Dubai?

Azia
Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Lajme
Parandalohet vrasja e Volodymyr Zelenskyt - arrestohet shtetasi polak që bashkëpunonte me rusët

Parandalohet vrasja e Volodymyr Zelenskyt - arrestohet shtetasi polak që bashkëpunonte me rusët

Evropa
Policia serbe e dërgon në paraburgim mërgimtarin nga Gjakova që e arrestoi në kufi

Policia serbe e dërgon në paraburgim mërgimtarin nga Gjakova që e arrestoi në kufi

Siguri
Zyrtare: Serie A do të ketë pesë skuadra në Ligën e Kampionëve për sezonin 2024/25

Zyrtare: Serie A do të ketë pesë skuadra në Ligën e Kampionëve për sezonin 2024/25

Liga e Kampionëve
Kalo në kategori