LAJMI I FUNDIT:

Faleminderit Madeleine Albright

Faleminderit Madeleine Albright

Madeleine Albright, një emigrante çeke që u bë sekretarja e parë grua e shtetit në historinë e SHBA-së, ka vdekur të mërkurën, në moshën 84-vjeçare.

Një veterane për një kohë të gjatë në politikën e jashtme, Albright u bë kryediplomate amerikane në vitin 1997 gjatë presidencës së Bill Clinton.


E cilësuar shpesh si “një kampione e demokracisë”, Albright ishte figura kryesore në përpjekjet për t’i dhënë fund spastrimit etnik në Kosovë gjatë vitit 1999.

Vdekja e saj nga kanceri u konfirmua nga familja e saj përmes një deklarate “Ajo ishte e rrethuar nga familja dhe miqtë”, raporton BBC.

Ndër ata që i bënë homazhe pas njoftimit për vdekjen e saj ishin ish-presidenti Bill Clinton dhe Hillary Clinton, e cila më vonë ndoqi hapat e saj si Sekretare e Shtetit.

Madje, Bill Clinton kujtoi takimin e fundit me Albrightin pikërisht para tre vite ve në Prishtinë, aty ku iu ngrit edhe një bust, transmeton Telegrafi.

E lindur si Marie Jana Korbelova në Pragë në vitin 1937 – në atë që ishte Çekosllovakia e atëhershme – Albright ishte vajza e një diplomati çekosllovak, i cili u detyrua të largohet për në mërgim pas pushtimit nga Gjermania naziste në vitin 1939.

Ajo u transferua në Shtetet e Bashkuara në vitin 1948, në të njëjtin vit që familja e saj aplikoi për azil politik, me argumentin se ata nuk ishin në gjendje të ktheheshin në shtëpi pasi ishin kundërshtarë të regjimit komunist. Ajo u bë një shtetase amerikane në vitin 1957.

Albright vazhdoi të punojë në Shtëpinë e Bardhë gjatë administratës së Jimmy Carterit dhe më vonë si këshilltare për politikën e jashtme të një numri kandidatësh për zëvendëspresidentë dhe president.

Menjëherë pasi Bill Clinton u inaugurua në vitin 1993, Albright u emërua ambasadore në Kombet e Bashkuara – posti i saj i parë diplomatik.

Historia e Madeleine Albright është kryesisht amerikane, transmeton Telegrafi.

Një refugjate që iku në SHBA me familjen e saj si fëmijë, ajo bëri histori duke u bërë gruaja e parë që shërbeu si sekretare e shtetit – gruaja më e lartë në qeverinë amerikane deri në atë kohë.

Si diplomate, Albright ndihmoi në formësimin e botës post-sovjetike gjatë administratës së Clintonit, duke përdorur atë që ajo e quajti “idealizëm pragmatik” për të lundruar në ujërat e paeksploruara gjeopolitike. Kjo përfshinte, nganjëherë, një politikë të jashtme agresive që përdorte fuqinë ushtarake të SHBA-së – në vende si Iraku dhe Ballkani – kur diplomacia dështoi.

Fushatat e bombardimeve të NATO-s në shtetet e ish-Jugosllavisë ndihmuan në përcaktimin e një roli post-sovjetik për aleancën perëndimore në një kohë kur e ardhmja e NATO-s ishte shumë e dyshimtë.

Vdes mikja e madhe e shqiptarëve, Madeleine Albright
Lexo po ashtu Vdes mikja e madhe e shqiptarëve, Madeleine Albright

Albright ishte gjithashtu kampione e zgjerimit të NATO-s, duke mbikëqyrur inkuadrimin e Polonisë, Hungarisë dhe Republikës Çeke në vitin 1999 – një lëvizje, pasojat e së cilës po ndihen fort sot.

Në vitin 1997, ajo u bë Sekretare e Shtetit, duke kapërcyer kundërshtimin nga ajo që disa e quajtën më vonë fraksioni “çdo gjë përveç Albright” të Shtëpisë së Bardhë.

Ajo u bë më e famshme gjatë kësaj kohe për përpjekjet e saj për të shtyrë administratën e Clintonit për të ndërhyrë në ndaljen e spastrimit etnik në Kosovë që po kryhej nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviqit.

Disa kritikë e quajtën fushatën pasuese të bombardimeve të NATO-s “Lufta e Albright”.

“Unë marr përgjegjësinë e plotë… për të besuar se ishte thelbësore për ne që të mos qëndronim pranë dhe të shikonim atë që Millosheviqi po planifikonte të bënte”, tha ajo në atë kohë. “Ne nuk mund të shikojmë krimet kundër njerëzimit”.

Kosova përfundimisht shpalli pavarësinë e saj nga Serbia në vitin 2008, nëntë vjet pas ndërhyrjes së aleatëve.

Kryetarja e saj, Vjosa Osmani, tha të mërkurën se vendi kishte humbur një “mike të paçmuar”, duke shtuar se “kontributi i Albright për lirinë dhe demokracinë tonë nuk do të harrohet kurrë”.

Në vitin 2012, presidenti i atëhershëm Barack Obama i dha asaj Medaljen Presidenciale të Lirisë – çmimi më i lartë për një person civil – për punën e saj në Ballkan. Duke bërë homazhe të mërkurën, Obama lavdëroi “karrierën e saj të shkëlqyer”.

Vetëm një muaj më parë, në prag të pushtimit të Ukrainës, Albright tërhoq vëmendjen r publikut me një editorial në New York Times që synonte presidentin rus, Vladimir Putin, të cilin ajo e takoi për herë të parë menjëherë pasi ai mori detyrën në vitin 2000.

“Ukraina ka të drejtë për sovranitetin e saj, pavarësisht se cilët janë fqinjët e saj. Në epokën moderne, vendet e mëdha e pranojnë këtë dhe po ashtu edhe Putin,” shkroi ajo. “Ky është mesazhi që nënvizon diplomacinë e fundit perëndimore”.

“Ai përcakton ndryshimin midis një bote të qeverisur nga sundimi i ligjit dhe një bote që nuk i përgjigjet fare rregullave”, tha ajo. /Telegrafi/

Në trend Botë

Më shumë

"E pabesueshme, qesharake, absurde...", reagimet ndaj deklaratës së Borrellit, se mezi pret të punojë me qeverinë e re të Serbisë

Botë
Kievi mund të sulmojë me armë britanike Rusinë

Kievi mund të sulmojë me armë britanike Rusinë

Evropa
Komandanti i Azov kritikoi Zelenskyn: Ne nuk kemi qasje në armët perëndimore, po e mbrojmë vendin me gjak

Komandanti i Azov kritikoi Zelenskyn: Ne nuk kemi qasje në armët perëndimore, po e mbrojmë vendin me gjak

Evropa
Amerikani u kthye nga varrimi i xhaxhait dhe gjeti të bijën duke luajtur letra – pyeti kush fiton dhe përgjigja e tmerroi

Amerikani u kthye nga varrimi i xhaxhait dhe gjeti të bijën duke luajtur letra – pyeti kush fiton dhe përgjigja e tmerroi

Amerika
Tingujt e çuditshëm në mes të natës shqetësoi një grua dhe qentë e saj - një befasi rrëqethëse i priste në pragun e derës

Tingujt e çuditshëm në mes të natës shqetësoi një grua dhe qentë e saj - një befasi rrëqethëse i priste në pragun e derës

Amerika
Në njërën dorë kryqin, në tjetrin Kuranin duke u djegur në Malmo - video dramatike u transmetua live në rrjetet sociale

Në njërën dorë kryqin, në tjetrin Kuranin duke u djegur në Malmo - video dramatike u transmetua live në rrjetet sociale

Evropa
Kalo në kategori