Angel Di María ka reaguar pas vendimit të Lionel Messit për t’u tërhequr nga kombëtarja e Argjentinës, duke i dërguar një mesazh emocionues ish-bashkëlojtarit të tij.

Di María e ka ripostuar në Instagram deklaratën e Messit për pensionimin nga futbolli ndërkombëtar, ndërsa mbi të ka shkruar shkurt: “Faleminderit, kapiten i përjetshëm”.


Dy legjendat argjentinase kanë ndarë së bashku disa nga momentet më të mëdha në historinë e kombëtares. Messi dhe Di María fituan Kupën e Amerikës në vitin 2021, më pas triumfuan në Kupën e Botës më 2022 dhe e ngritën sërish trofeun e Copa Américas në vitin 2024.

Di Maria për Messin

Vetë Di María i dha fund karrierës me kombëtaren pas triumfit në Copa América 2024, ndërsa tani ka ardhur edhe fundi i rrugëtimit ndërkombëtar për Messin.

Në deklaratën e tij, Messi bëri të ditur se vendimi për t’u pensionuar nga kombëtarja erdhi pas një reflektimi të gjatë.

“Pas gjithë kësaj kohe që nga ndeshja e fundit dhe pas një reflektimi të gjatë, dua t’u njoftoj të gjithëve se kam vendosur të tërhiqem nga kombëtarja”, ka shkruar Messi.

Ai pranoi se ishte një vendim i dhimbshëm, por theksoi se gjithmonë ka dhënë gjithçka për fanellën e Argjentinës, si në periudhën e sukseseve të mëdha, ashtu edhe në vitet më të vështira.

Mesazhi i Di Marías ishte një tjetër dëshmi e lidhjes së veçantë mes dy ikonave, të cilët së bashku i sollën Argjentinës disa nga trofetë më të rëndësishëm në historinë e saj. /Telegrafi/

telegrafi sport app