LAJMI I FUNDIT:

Evropë, si do të rimëkëmbesh pas krize?

Evropë, si do të rimëkëmbesh pas krize?

Suksesi nuk u arrit as në takimin e fundit virtual të ministrave të Financave dhe të Ekonomisë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të së martës. Megjithatë, ministri gjerman i Financave, Olaf Scholz, u shpreh se është i mundur kompromisi për fondin e rimëkëmbjes. “Propozimi francezo-gjerman është i mençur”, tha ministri i Financave, Olaf Scholz, që para takimit. Me këtë ai kishte parasysh planin për paketën konjunkturore prej 500 miliardë eurosh, të cilin kancelarja Angela Merkel dhe presidenti Emmanuel Macron e paraqitën muajin e fundit.

Vetëm pak më vonë dha edhe një shtysë Komisioni Evropian, duke kërkuar investime në vlerë prej 750 miliardë eurosh për të ndihmuar vendet jugore të prekura rëndë nga pandemia. Siç pritej erdhi kundërshtimi nga “katër kursimtarët” (Austria, Danimarka, Holanda, Suedia), vende që nën drejtimin e Holandës e refuzuan propozimin gjermano-francez.


Kjo hapi zyrtarisht, mes ministrave të Financave, edhe grindjen për paketën konjunkturore të Komisionit Evropian. Megjithatë, nuk vendosin ata , por krerët e qeverive. E, me shumë gjasa jo në samitin e BE-së javën e ardhshme, por në korrik në takime të veçanta, që mundësisht do të zhvillohen si takime me prezencë. Konferencat e internetit nuk po konsiderohen si shumë produktive, kur kërkohet një kompromis.

Gjermania merr nga 1 korriku presidencën e radhës në BE. Kancelares Angela Merkel duhet të harmonizojë kërkesat e “katër kursimtarëve” me ato të vendeve jugore të prekura rëndë nga koronavirusi. Vërtet që ministri i Jashtëm dhe ai i Financave të Holandës theksojnë në një deklaratë se Holanda e mbështet parimisht “bashkëpunimin evropian”, por ata bënë të qartë se i refuzojnë planet e financimit të paketës së synuar nga Komisioni Evropian. Do të veprojmë me “ata që mendojnë si ne” për ndryshime.

Për kancelaren gjermane është pozitive për bisedimet e ardhshme, që Olaf Scholz flet për “një urë të mirëkuptimit” për paketën më të vogël 500 miliardë euro. Ministri gjerman i Financave tha se shlyerja e borxheve do të duhet të vihet shumë më shpejt në lëvizje sesa e parashikon KE. Përtej kësaj, Scholz kërkon të heqë nocionin e “kondicionalitetit”, kushte të veçanta për dhënien e mjeteve financiare. Italia reagon me alergji ndaj kësaj; kaq shumë i kujton kjo fjalë kushtet që u vunë gjatë krizës financiare. Scholz përdor nocionin e “investimeve konkrete”. Me këtë ai krijon një urë për Holandën e vendet e tjera kundërshtare, që ndihmat e rimëkëmbjes do t’i mbështesin vetëm si investime të së ardhmes, zgjerim i ekonomisë promjedisore.

Por, debat ka edhe për grantet dhe kreditë. Holanda, Austria, Danimarka e Suedia duan t’i japin fondet vetëm si kredi, por vendet e mbytura në borxhe si Italia e refuzojnë këtë, sepse kjo do të rëndonte edhe më shumë barrën e borxheve, që këto vende edhe tani nuk e përballojnë dot. Fjala magjike në Bruksel për këtë është “përzierja e duhur”.

Ministri i Financave të Portugalisë, Mario Centeno largohet nga eurogrupi dhe nga posti në Lisbonë. Kështu, në mesin e debatit për planin e rimëkëmbjes ekonomike të BE-së pas koronavirust, muajin e ardhshëm do të ketë edhe një ndërrim personeli. Si kandidatë shihen ministri i Financave të Luksemburgut, Pierre Gramegna, homologu irlandez, Paschal Donohoe dhe spanjollja, Nadia Calvino. Për të thuhet se ajo ka një marrëdhënie të mirë me ministrin gjerman të Financave, Olaf Scholz.

Ajo është socialiste e krahut konservator për financat, gjë që duhet t’i pëlqejë socialdemokratit Scholz. Nga ana tjetër, vendet jugore do të bëjnë presion që në këto kohë kaq të trazuara të ruajnë influencën e tyre në eurogrup. Gjermania ende nuk është pozicionuar zyrtarisht, se cilën kandidaturë mbështet. Sidoqoftë kreun e ri të eurogrupit e pret një axhendë e mbushur – nga sheshimi i grindjeve për fondet e rimëkëmbjes financiare deri tek projekti i lënë në harresë i unionit bankar. /DW/