LAJMI I FUNDIT:

Evropa e “krishterë” dhe Shqipëria “myslimane”

Evropa e “krishterë” dhe Shqipëria “myslimane”

Me qëllime të mbrapshta në këto ditë ka gjarpëruar në Shqipëri ideja se mosmarrja e vendit kandidat nga Evropa është bërë për shkak të pranisë të pranisë së myslimanëve në Shqipëri. Një demagogji më djallëzore se kjo nuk ka. Në fakt, është artikuluar në publik nga ndonjë politikan, por unë e dëgjoj edhe jashtë bisedave publike në rrethe më të ngushta. Para se të hyj në analizën e këtij fenomeni, dua menjëherë të them se për mendimin tim dy janë faktorët thelbësorë që nuk morëm statusin kandidat.

E para janë atavizmat komuniste që vazhdojnë ende të udhëheqin mendësinë e shumë shqiptarëve, qofshin në bazë e qofshin në udhëheqje të vendit, dje edhe sot. Së dyti faji i faturohet, absolutisht dhe pa asnjë negocim, faktorit politik shqiptar, me vendimet e tyre dje dhe opozitën sot e me bojkotimet e opozitës dje e vendimet e tyre sot. Por, për këtë do jetë historia ajo që do të analizojë më mirë se unë gjithçka e do t’i japë meritën apo turpin gjithsecilit.


Sa i përket faktorit religjioz, si përcaktues për çështjen e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, është një demagogji jo vetëm e dobët, por edhe konfliktndjellëse e nxitëse. Në përgjithësi e bëjnë njerëz që me religjionin apo me përcaktimet i krishterë e mysliman nuk kanë të bëjnë, pasi fenë e shohin me llupën e ideologjisë marksiste apo e matin me metrin e pragmatizimit për ndonjë vend të mëtuar në administratën shqiptare, kinse përkatësia e tyre është kusht për anëtarësimin në BE.

Sa për Evropën, historia e konflikteve fetare nuk është diçka që ka ardhur tani. Në Evropë antisemitizmi ka bërë kërdinë. A nuk është ky një konflikt me ngjyrë religjioze? Të krishterët nuk kanë pasur nevojë t’u shfaqeshin “ezmerët” në brigjet e Gjibraltarit për të bërë luftë, pasi ne të krishterët kemi dëshmuar se dimë të luftojmë e të shqyhemi ndërmjet protestantësh e katolikësh. A nuk vazhdon sot e kësaj dite kjo histori në Irlandë? A nuk kanë qenë të ndaluar e të padëshiruar për treqind vjet katolikët në Angli nga “vëllezërit” e tyre të krishterë anglikanë? A nuk e dimë se sot në Greqi katolikët nuk kanë të drejta të barabarta me ortodoksët?

Por, ne në Shqipëri kemi dëshirë të shmangim gjithmonë problemet dhe përgjegjësitë e t’i hedhim te të tjerët. Nuk janë myslimanët që na pengojnë në integrimin tonë në BE. Nëse myslimanët kanë probleme me veten, sikurse edhe të krishterët kanë, kjo është një çështje tjetër që ata do ta zgjidhin vetë edhe ndoshta me shumë sakrifica, sikurse po ndodh në shumë vende me shumicë myslimane, në Lindjen e mesme e në Afrikë, në të cilat një pakicë integraliste e fundamentaliste po dikton jetën e popujve.

Ajo që harrojmë ne është se në Shqipëri nuk ka vullnet për t’u bërë pjesë e traditës evropiane të kulturës së takimit midis të ndryshmëve për një çështje të përbashkët. Ne nuk duam të mendojmë (dhe as të pranojmë) se Evropa ka nisur nëpërmjet shtrëngimit të duarve të dy popujve armiq, Francës dhe Gjermanisë në mbarimin e konfliktit të dytë botëror. Atëherë kur mendohej e pamendueshmja atëherë ndodhi në Evropën që ne sot aspirojmë. Por, këtë ne nuk e duam, sepse atëherë do të ishin të detyruar të shtrëngonin dorën pozita e opozita edhe në Shqipëri, do të thonte të takoheshin gjakësit me njëri-tjetrin, të bënim debate më të civilizuara në televizor politikanët dhe njerëzit e mediave e të kulturës etj.

Ne jemi në mendjen tonë ende komunistë, mendojmë në mënyrë hegjemonike dhe integraliste. Ne mendojmë: “nuk duhet të ekzistojë i ndryshmi” apo “integrimi i Shqipërisë duhet të ketë emrin tim e jo edhe emrin e kundërshtarit tim bashkë me mua”. Sa herë në këto vite kemi prishur punë, kemi bojkotuar, e vazhdojmë ta bëjmë, sepse nuk duam që dikush të marrë meritat, pasi nuk duam t’i ndajmë meritat. E atëherë kur mungon kjo kulturë e takimit, pse duam t’ia hedhim fajin myslimanëve? Kjo do të thotë të lash duart nga problemet dhe mangësitë. Do të thotë ta kthesh besimin edhe një herë në problem e të krijosh një mendësi të ’67-ës, por të kamufluar me modernizëm laicist.

Evropa kërkon standarde ligjore, vullnet për luftën kundër korrupsionit, sistem edukues në përputhje me vlerat që kanë bërë Evropën. Ajo nuk kërkon certifikatën e pagëzimit e as nëse je rrethprerë apo jo. Kërkohet t’i vëmë krahët punës, të shpërvjelim mëngët, të ulim hundën e të punojmë së bashku me gjithë dallimet tona. T’i japësh mos integrimit në Evropë ngjyra fetare, do të thotë të shmangësh problemin nga vetja e ta gjesh diku tjetër ku nuk ekziston. Do të thotë të mos jesh as deri në nivelet e një kulture mesjetare e cila njohu takimin e krishterimit me filozofinë pagane, por edhe takimin e krishterimit me islamin, sikurse ndodhi që shën Françesku takoi kalifët, e Avicena e Averroeu dijetarët isalmë të Persisë, që na rikthyen në vëmendje Aristotelin që për shekuj ishte harruar.

Të mos harrojmë se Evropa para së gjithash nuk është më e krishterë e nga ana tjetër Shqipëria nuk është e gjitha myslimane. Nëse dikush në Evropës (apo në Shqipëri) do të shkojë kundër myslimanëve, nesër (por edhe sot) do të çohet peshë kundër katolikëve e kështu me radhë.

Megjithatë, unë dëshiroj ta mbyll duke thënë se, nëse është e vërtetë që Evropa nuk na pranon, sepse në Shqipëri ka myslimanë, atëherë unë nuk dua të shkoj në Evropë, sepse preferoj të kaloj jetën me miqtë e mi të zemrës me të cilët jam rritur, kam ndarë të mirën e të keqen, më janë gjendur e u jam gjendur, por të cilët shpallin një kredo të ndryshme nga e imja, se sa të jetoj me një holandez, a gjerman, a francez me të cilin shpall të njëjtën kredo. Nëse në Evropë nuk më pranojnë bashkë me fqinjin tim i cili shkon në xhami, refuzoj ofertën e vazhdoj jetën!

Në trend

Më shumë
Holanda përjashtohet nga finalja e

Holanda përjashtohet nga finalja e "Eurovision 2024"

Magazina
Gjermania po e jep falas këtë vilë gjigante, por ka një problem: Sapo përmendet ish-pronari, askush nuk e dëshiron

Gjermania po e jep falas këtë vilë gjigante, por ka një problem: Sapo përmendet ish-pronari, askush nuk e dëshiron

Evropa
Anija “lundron” mbi det dhe kjo foto nuk është montazh: Njerëzit fërkojnë sytë me mosbesim për shkak të imazhit nga Greqia

Anija “lundron” mbi det dhe kjo foto nuk është montazh: Njerëzit fërkojnë sytë me mosbesim për shkak të imazhit nga Greqia

Botë
Presidenti i Francës e zyrtarizon Mbappen te klubi i ri, ka një lutje të madhe për ta

Presidenti i Francës e zyrtarizon Mbappen te klubi i ri, ka një lutje të madhe për ta

Ligue 1
Ronela Hajati pre e kamerës së fshehtë, i dashuri i shoqes flirton me të prapa shpine - këngëtarja reagon çuditshëm

Ronela Hajati pre e kamerës së fshehtë, i dashuri i shoqes flirton me të prapa shpine - këngëtarja reagon çuditshëm

Magazina
Vinicius Junior do të bëhet lojtari më i shtrenjtë në histori, gjiganti evropian përgatitë ofertë bombastike për asin brazilian

Vinicius Junior do të bëhet lojtari më i shtrenjtë në histori, gjiganti evropian përgatitë ofertë bombastike për asin brazilian

La Liga
Kalo në kategori