LAJMI I FUNDIT:

Etnocidi i ri i Serbisë: Në UNESCO me lahutën shqiptare

Etnocidi i ri i Serbisë: Në UNESCO me lahutën shqiptare

Kauza serbe për zhbërjen e qenies shqiptare dhe çdo atributi që identifikon kombin shqiptar, u bë shkas për një polemikë të radhës që cenoi parimet më sublime identitare të kombit tonë – trashëgiminë kulturore. Paraqitja e lahutës shqiptare nga Serbia si instrument tradicional serb, shpërfaqi edhe një padrejtësi ndaj shqiptarëve e cila ditë më parë u përkrah nga Organizata Ndërkombëtare për Edukim Shkencë dhe Kulturë – UNESCO – duke e regjistruar në listën e trashëgimisë kulturore të Serbisë, si vlerë botërore .

Është e qartë që në rrethana të tilla mund të shtrohen pyetje lidhur me përkatësinë etnokulturore të instrumenteve, pasi që instrumente muzikore shumë të ngjashme me lahutën mund të jenë përdorur edhe në vende të ndryshme të Evropës Juglindore. Por, autenticiteti i lahutës si instrument muzikor është i lidhur ekskluzivisht me lashtësinë e popullit shqiptar, për t’u përvetësuar më pas edhe nga popuj të ndryshëm – përfshirë edhe sllavët.


Lahutën si instrument autentik shqiptar e njohim nga eposi i kreshnikëve, këngët epike historike, por e njohim edhe nga epi më i madh kombëtar i Gjergj Fishtës, “Lahuta e Malcis”. Rapsodët shqiptarë historikisht i kanë kënduar personazheve dhe heronjve të shquar, që në popullin tonë i njohim si simbole krenarie. Përmes eposit dhe frymës heroike, lahutarët kanë lartësuar veprat e kolosëve kombëtarë, prandaj nga pikëpamja kulturore mund të themi që lahuta është simbol shqiptar, i cili nga të parët tanë është përcjell edhe si amanet për të motivuar ruajtjen e heroizmit dhe virtyteve tona të trashëguara.

Dilema janë shtruar edhe për prejardhjen e emrit të lahutës, por dëshminë më të vjetër për këtë fjalë shqipe e gjejmë në veprën e Pjetër Bogdanit, “Cuneus Prophetarum” – ata që kënduekshin ndë mjedis të vashzavet e rasa të laudeve – e ky fakt duhet bërë i njohur. Nga pikëpamja gjeografike, këndimin me lahutë e kemi njohur nga zona të ndryshme të malësisë së Hasit e Gjakovës, në Rrafshin e Dukagjinit, Pejë, Deçan, Istog, Rahovec, Prizren, si dhe në shumë vende të pjesës veriore të Shqipërisë. Ndërkaq, simbolika tjera referente gjejmë edhe në mënyrën e ndërtimit të këtij instrumenti kordofon, ku rëndom gjejmë të gdhendur shqiponjën, figurën e Skënderbeut dhe elementë e simbolika tjera që lidhen me historinë shqiptare.

Studiuesit tanë shkencorë – etnomuzikologë, historianë, arkeologë, folkloristë, pedagogë – duhet t’i trajtojnë dhe sensibilizojnë në çfarëdo forme këto vlera organike të kombit tonë, dhe bashkë me institucionet e mekanizmat shtetërorë të Republikës së Kosovës të pengojnë ç’do përpjekje për tjetërsim kulturor që shpie drejt një “metamorfoze” identitare, të imponuar tashmë me çdo kusht nga kundërshtarët tanë shekullorë. Angazhimin për një vetëdije sa më të lartë qytetare mbi vërtetësinë e vlerave tona, duhet ta shohim si një vullnet dhe shprehje të një uniteti etnik apo edhe politik, sepse flasim për atë që quhet autentike.

Po ashtu, në kuadrin e edukimit mbi trashëgiminë kulturore, njohuritë mbi folklorin muzikor duhet t’i fitojmë që në edukimin parashkollor, për të ndërtuar gradualisht dhe natyrshëm një vetëdije sa më të lartë qytetare, sepse muzika dhe folklori shqiptar me specifikat e tij, tradicionalisht kanë qenë pasqyrim i popullit tonë – në të kaluarën dhe sot. Folklori e muzika traditën shqiptare e kanë shoqëruar nga djepi e deri në vdekje, në luftë, në paqe, në gëzim e në hidhërim. Por, përveç edukimit e kultivimit të folklorit, duhet të jemi aktivë edhe në mbrojtjen e kësaj trashëgimie e të këtyre artefakteve. Rasti i fundit na mësoi se trashëgimia mund të manipulohet, të grabitet dhe të përvetësohet deri në instanca ndërkombëtare.

Kur jemi te popujt të cilët nuk zgjedhin mënyrë për arritur qëllimet e tyre, vlen të përmendim një shkrim të Dobrica Çosiqit, anëtar i Akademisë së Shkencave të Serbisë, i cili për popullin e tij kishte shkruar: “Gënjejmë për të mashtruar veten, për të ngushëlluar tjetrin; gënjejmë nga dhembshuria, gënjejmë nga turpi për të fshehur mjerimin tonë, gënjejmë për të respektuar. Gënjejmë për shkak të lirisë. Gënjeshtra është një lloj patriotizmi serb dhe konfirmim i inteligjencës sonë të lindur. Gënjejmë në mënyrë kreative, imagjinare, inventive”. Më tej, Dobrica Ćosić kishte shkruar : ”Gënjeshtra është interes shtetëror serb”; ‘’Gënjeshtra është në vetë qenien serbe”; “Në këtë vend çdo gënjeshtër në fund bëhet e vërtetë”; “Gënjeshtra i ka shpëtuar serbët shumë shpesh përgjatë historisë” .

Duke pasur parasysh faktorë të ndryshëm, por duke mos lënë pa përmendur edhe disfatën e politikës Kosovare për t’u anëtarësuar në UNESCO, shqiptarët i vendosin në një rrethanë sakaq degraduese aq dhe dekurajuese. Kosova sa më parë duhet të aktualizojë tematikën e vlerave të trashëgimisë, duke i dhënë përparësi vepruese ekspertizave të kualifikuara, për t’i hapur rrugë mënjanimit të kulturave të fabrikuara dhe rrezikut ndaj degradimit të trashëgimisë kulturore kombëtare.