LAJMI I FUNDIT:

“Enver Hoxha pozonte pa turp në një bar të Parisit, në pritje të ndonjë plake të pasur”

“Enver Hoxha pozonte pa turp në një bar të Parisit, në pritje të ndonjë plake të pasur”
Ilustrim: Kampi i Telelenës

Nga: Ahmet Bushati

Kampi i Vlashukut … Vazhdonte me qenë dimën kur nji ditë, ne të kampit nr. 2, të hypun ndër makina, lamë kampin e Urës Vajgurore e, shumë shokë tonë të vjetër e të rinj e, tue dredhue gjatë disa dhjetëra kilometrash nëpër rrugë të pashtrueme, për anë do kodrash të ulta, mbërritëm te nji vend ku s’u dukte fshat e asgja e, që u quente Vlashuk. Do të ishte nji kamp – viti 1953 – të cilit fronti i punës, nuk do t’iu largonte anjiherë, me që punimet do të ishin të përqendruem në hapjen e nji kanali me gjatësi të shkurtë, por me përmasa të mëdha, si gjanësi e thellësi.

Do të vinte nji kohë, që për të nxjerrë dheun e gërmuem prej fundit të atij kanali të thellë 25 metra, do t’u dojshin trembëdhjetë skela të alternueme, në të dy faqet e tij, përmes të cilave, lopatë mbas lopate, ai dhé të dilte përjashta. Në thellësi të kanalit, drita depërtonte pak e se dheu atje kishte ngjyrë mes blusë e të blertës, se ishte shumë i ngjeshun e që kundërmonte edhe nji erë të randë, që ndoshta i ngjiste asaj të piritit a vojit të gurit, e që shpeshherë donte me të zanë edhe hundët.


Lexo po ashtu:
Enver Hoxha – shitës i duhanit, student i dështuar, drejtues komunist i kategorisë së katërt!
Studentët në Paris: Jeta e Enver Hoxhës si zhigol, shkonte me gra në moshë

Punimet në fundin e kanalit, veç vështirësisë së gërmimit të nji dheu të fortë e të ngjeshun si tutkall, si dhe rreziqeve eventuale që paraqiste, gjatë stinës së verës kishte dy të mira: freskinë dhe ujin e mbledhun ndër pellgje të vegjël anës kanalit, ujë me të cilin na do të shuejshim etjen tonë e të shumë shokëve të tjerë, sipër ndër skela, pa pyetë për shijen e tij të pakandshme, që kishte marrë prej kundërmimit të dheut, prej kah ai buronte.

Që të mos u shembshin faqet e thella të kanalit të hapun, ishte konsumue nji sasi e pallogaritshme materiali drusor për veshjen e tyne, por që megjithatë, prej presionit të madh të masave të dheut anash, e sidomos mbas ndonji shiu që mund të kishte ra, të ngopuna me lagështinë siç do t’ishin, disa herë ato do të humbshin pikat e tyne të mbështetjes e do të bajshin që dy faqet e kanalit, t’u puqin mes tyne, tue çue dam punën tonë të disa ditëve. Për fatin tonë, shembjet do të ndodhshin vazhdimisht mbas mesnate, aq sa ne të burgosnit, tue qeshë, do të thoshim: “Duket se njitash, ka fillue Zoti me na dashtë”. Kur të vinte prandvera me ditët e saj të zgjatuna, puna do t’u organizonte në katër turne gjashtë orëshe, që u ndërrojshin në krye të çdo jave. Fati do ta sillte që pesë nga gjashtë vetë që kishte sofra e jonë, t’ishin në nji turn, ndërsa unë i vetëm, në turnin tjetër.

Gjatë asaj jave që unë do ta kisha turnin e punës në mbas dreke, rolin e kuzhinierit për drekën do ta kryejsha unë. Ishte ajo kohë kur unë vazhdojsha me studjue gjuhën angleze, me anë të nji metode italiane “Lisly”, dhe me qëllim që ta pratikojsha atë, çdo porosi që kisha për shokët, kur ata t’u kthejshin prej turnit të parë, si lidhun me gjellën a tjetër gja, unë do t’ua lejsha të shkrueme në anglisht, mbi nji copë letër të ashpër thasësh çimentoje.

Brenda nji kampi prej rreth dy mijë e gjashtëqind të burgosurish, – ma të shumtët politikë – anjëherë nuk do të të hiqshin vërejtjen fytyrat e të burgosurve dhe i shikojshe për herë të parë. I burgosuni politik zakonisht mban lidhë brenda nji rrethi mjaft të gjanë shokësh e miqsh, sikurse ruan e respekton edhe disa njohje që atij t’i ishin afrue rastësisht, të cilat zakonisht mbyllin pak a shumë botën e njerëzve të tij të burgut, jashtë të cilit ai përgjithësisht nuk del. Kështu nji ditë unë, mbasi pata mbarue punë para kohe, nga thellësia e kanalit ku punojsha, u ngjita sipër që të pritsha përfundimin e punës për të gjithë. Rasti e solli që aty të hyjsha në bisedë me nji të burgosun nga Berati me emnin Qemal, i cili aty punonte me nji elektro-vinç të madh.

Qysh në fillim te ai njeri do të më bante përshtypje fytyra e tij e pastër e shumë bardhoshe, si dhe toni i qetë i zanit të tij, që sa herë që fliste, do ta përcillte me buzëqeshjen e nji njeriu të mirë e me edukatë. Mbas nji bisede prej rreth nji orë, u ndamë sikur të kishim qenë njohë prej kohësh. Mbasi të kishte mbarue punë edhe turni i dytë, pra në mbramje, kur po hajshim darkë, unë do t’u flitsha për të shokëve të sofrës. Po ç’ndodhi ndërkaq? Për nji koinçidencë të pabesueshme e fatale, këta shokë të mij, do të më tregojshin se pikërisht atë vinçier, me emnin Qemal, e kishte pase zanë nën vete vinçi at mbas dreke, tue ia pasë qitë zorrë e tru përjashta!

Vdekja e nji të burgosuni në nji kamp pune, disa herë kalon me indiferencën e atyne që atë nuk e kanë njohë ma parë dhe me pikëllimin ma të thellë nga ana e shokëve të tij. Kështu nji shok i Qemalit, që më duket se emnin e pat Nuri, nga pikllimi për vdekjen e Qemalit, qysh atë natë, luejti mendsh. E izoluen brenda nji barake të vogël, që vinte pak mbrapa kapanonit tonë dhe për nji javë resht ai djalë, ditë as natë, nuk do të pushonte se thirruni me za të naltë: “Qemal, o Qemal, Qemal ore”! – tue mbushë me dhimbje e lanë edhe pa gjumë, shumë të burgosun aty rrotull. Ruzhdi Baja, kushri i imi e, që në atë periudhë flinte brij meje, i shqetësuem që s’po e zinte gjumi prej të thirrunave të atij Nuris, do të turfullonte: “Boll na u dhimbt ai djal që diq, veç edhe kështu mos me të lanë me mbyllë sy, të lodhun si jena, s’po di ça me thanë”! Kund nja nji javë mbrapa, Nuriun nuk e ndigjuem ma të thërriste: dikush na tha se e kishin nisë për spital.

Në këtë kamp të Vlashukut, kujtoj me respekt e tashma vetëm për figurë disa njerëz të mirë prej Beratit e rretheve të tij, ndër ta sidomos nji burrë të shkurtë, me emnin Syrja. Si Syrjanë, po nga Berati kujtoj me këtë rast edhe nji ish-student, pak brun e simpatik, që njenin prind e kishte me origjinë italiane. Nga Berati ishte edhe studenti Ilia Thereska, që gjimnazin e kishte ndjekë në atë të Gjinokastrës. Po ashtu, kamp mbas kampi, do t’u njifshim e do t’u afrojshim shumë me nji grup kolonjarësh shumë të mirë, që në krye të tyne kishin nji plak me emnin Muço, Muço Shkëmbin, nji zotni gjithë prestigj, që e meritonte nderin që iu bante nga të gjithë.

Ma i riu ndër ta, do të ishte Kamberi, që na e thirrshim Kambo. Qysh në kamp të Beratit, ishim njohë e krijue lidhje shoqnore me intelektualë, si Isuf Vrionin, që si bir ambasadori që kishte qenë në Francë, të gjitha ciklet shkollore, përfshi edhe ndonji vit të fillores, i kishte pasë krye në Paris, ku kishte qenë laurue dy herë e, nji herë të tretë në Milano të Italisë. Po kështu do t’u afrojshim edhe me dy shokët e tij, Milto Liton e Foto Balën, që bashkë me Isufin, do të formojshin nji treshe të pandame. [Foto Bala ka qen; profesor i filozofisë dhe i letërsisë. Lindi më 14 shkurt të vitit 1910, në fshatin Vuno të Himarës. Kreu gjysmë gjimnazin e Gjirokastrës, Liceun e Korçës dhe studimet e larta në Montpellier të Francës, gjithnjë së bashku me Enver Hoxhën. Më 1945 u caktua profesor në Gjimnazin e Gjirokastrës. Po këtë vit i ekzekutuan të atin, Dhimitër Balën . U arrestua një vit më vonë, më 1946, me akuzën se kishte krijuar grupin e Neoballistëve dhe se ishte agjentanglo-amerikan-francez. Në vitin 1947, u dënua me burgim të përjetshëm. Më 14 maj të po atij viti, Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Popullor të Nënprefekturës së Qendrës Korçë vendosi sekuestrimin e të gjithë pasurisë së tij, të luajtshme e të paluajtshme. U lirua në vitin 1964. Vdiq më 1991 – shënim i Telegrafit].

Foto Bala ishte rritë me Enver Hoxhën. Bashkë kishin krye gjysë-gjimnazin e Gjinokastrës, bashkë në lice të Korçës e, bashkë edhe në Montpellier të Francës. Foto Bala, jo vetëm që ishte intelektual i plotësuem, por kishte edhe nji mënyrë të të treguemit shumë të kandëshme e elokuente. Ndër të tjera, ai do të na tregonte për Enver Hoxhën, për sjelljet e tij në përgjithësi, për mungesën e plotë të karakterit të tij, për “manierat” femnore që ai përdorte deri në neveri, sa herë që kishte të baj me femna, si dhe për shumë aventura të tij, shumë e shumë herë të fëlliqta.

“Do të ishte Enver Hoxha, i vetmi shqiptar që për orë e orë të tëra, do të pozonte pa turp, në nji bar të Parisit, në pritje të ndonji klienteje plakë e të pasur, që përkundrejt nji pagese, do ta merrte me vete atë bukurosh”, do të na thonte Foto Bala. E vazhdonte: “Si i shthurur që ishte, kushedi sa herë me ishte futur në shtrat, disa orë pas mesnate, duke më thënë: ‘Foto, Foto, bëj një çikëz vend, sa të futem edhe unë’”. Dhe kur Enveri do të vinte në krye të Shqipnisë, dëshmitarin e sa maskarallëqeve të tij, Foto Balën, ai do ta mbante dhjetë vjet në burg, kurse të atin, që e kishte pasë farmacist në Durrës, do t’ia pushkatonte, për çka Fotoja do të thonte: “Po ai pizeveng, mirë me mua, po me babain ç’pat”?

Më shumë njerëz të mirë, do t’u njifshim e do t’u lidhshim si shokë në këtë kamp, por unë s’pakut do të kujtoj edhe dy, njeni Niko Koka e, tjetri Lem Daçi, të dy prej Shkodret, të arrestuem në Durrës, ku kohët e fundit kishin qenë me punë e banim, si dhe njifarë Eshref Zagorçani prej Pogradecit, që pak vite ma parë, kishte pasë ndërpre studimet e nalta në Austri. Mes tjerëve, do të kishim atje edhe studentin Ali Cali, nga Tirana.

Tue vazhdue me qenë në këte kamp, ndodhi që nji të shtunë në darkë, njenit prej shokëve të sofrës, familja i solli ushqime. Daja, ekonomati e kuzhinieri i jonë, po u merrte me sistemimin e tyne. Thabit Rusi, tue mos shikue mirë prej dritës së pakët të kapanonit, përmbysi gabimisht nji shishe voji e, mbrapa nisi të turfullonte: “Ku paska qenë që s’e pashë?! E marrtë dreqi” etj. Ndërkaq Maliq Bushati, tue mos pasë qenë koha për gjumë, ishte shtri në dyshek e mbulue edhe me batanije. Ndërkohë që Thabiti vazhdonte të shprente idhnimin për humbjen e nji shisheje voji aq të çmueshme për ne, unë do të vërejsha se si Maliq Bushati, u tundte e shkundte nën batanije dhe mbasi e zbulova e pyeta: “Ç’ka ke që tundesh”?! – e ai pa muejtë me frenue gazin e, tue vazhdue me u dridhë edhe ma shumë, do të m’u përgjigjte: “Shyqyr që duel edhe nji tjetër me derdhë, se ju mbetët tue thanë për gjithçka; Maliqi, Maliqi”. Dhe, me të vërtetë, nëse do t’u derdhte a t’u thyente nji gja, t’u griste a t’u ndyente nji plaçkë, për autor do të kishin pasë përgjithësisht dorën, brylin, kambën, gjunin a kryet e Maliqit. Po ashtu, edhe nji morr po t’u vërente se ishte futë brenda vendeve tona, do t’ishim të sigurt, se atë e kishte sjellë Maliqi, edhe në qoftë se ai në atë ditë të kishte veshë rroba të lame. E ngjiste kështu, sepse Maliq Bushati, sa askush tjetër, do t’u fuste ndër skutat e ma të vorfënve e të të harruemve të kampit.

Daja, çdo mëngjes, do të mbushte kutitë e duhanit për të gjithë e, në veçanti atë të Maliqit, do ta raste edhe me duer, dhe tue ia dorëzue, do t’i thonte: “Maliq, kjo për gjithë ditën e”? Dhe Maliqi, megjithëse aty për aty, do t’iu përgjigjte me “Po, mor po”, kur t’u kthente prej punës, si asnji tjetër prej nesh, punën ma të parë që do të kërkonte me ba, do t’ishte zgjatja e kutisë së duhanit bosh, drejt Dajës, sepse ai si gjithnji, do të kishte takue Prekën, Hajdarin, Nduen, Muhon, po edhe Koçon a ndonji tjetër, me të cilët ai vazhdimisht, do të ndante duhanin.

Sa herë që Maliq Bushatit, t’i vinte ndonjë gja e re prej shtëpijet, si këmishë, brekë etj., ai do të mendonte se nuk i takojshin atij e, përgjithësisht m’i hidhte ato mue, si ma i riu i sofrës që isha, gja që natyrisht unë s’do t’ia pranojsha asnjiherë, sikurse nuk do t’ia pranojsha as nji kafshatë mishi, që mund t’i kishte ra nga kazani, e që ai, tue ia hjekë vetes, sa pa nisë me ngranë, do të kërkonte që të m’a hidhte në gavetë time! /Memorie.al/