“Zahir Pajaziti një jetë të tërë ishte përgatitur dhe edukuar shpirtërisht, fizikisht dhe në aspektin organizativ për t’iu kundërvënë strukturave administrative serbe në Kosovë. Pajaziti do të shquhet me aftësitë e larta organizative dhe shkathtësitë e rralla operative në kuadër të njësiteve të para të UÇK-së. Po aq dinjitozë dhe të përkushtuar ishin edhe dy bashkëluftëtarët tjerë, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, të dy të shquar për shpirtin e sakrificës, vendosmërinë dhe guximin për veprim”.

Sipas Thacit, sot Kosova, Zahirin, Edmondin dhe Hakifin i nderon ne nivelin më të lartë institucional. “Brenda këtij nderimi shtetëror është edhe mbrojtja me ligj e familjeve të dëshmorëve, e invalidëve dhe veteranëve të luftës së UÇK-së”.
Në kalendarin rënieve heroike për lirinë e Kosovës, - 31 janari i 1997, sipas Thaçit, hyri në histori me emrat e tre pishtarëve të parë të UÇK-së: komandant Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës.


“Që nga dita e rënies së tyre, nuk do të kalojë shumë kohë, kur UÇK-ja do të dilte hapur në skenën politike, duke hapur kapitullin më të rëndësishëm të historisë së re të Kosovës. UÇK-ja u bë forcë politiko-ushtarake me mbështetje gjithëpopullore, sepse në radhët e saj kishte veprimtarë, prijës, ushtarë, komandantë, bij dhe bija të devotshme, që me vendosmëri përfundimtare po i kundërviheshin sundimit shekullor të Kosovës. Rënia e komandantit legjendar Adem Jashari, afirmimi i drejtësisë së luftës sonë luftës për liri, ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës në pikën maksimale, intervenimi ushtarak i NATO-s dhe çlirimi i Kosovës sublimuan përpjekjet shekullore të qytetarëve të Kosovës për liri dhe çlirim. Deri tek kjo epokë e re e ndryshimeve ishte një çmim i lartë i sakrificës”, tha kryeministri në largim, i cili bëri homazhe dhe vëni kurora lulesh para shtatores së komandantit Zahir Pajaziti në qendër të Prishtinës. /Telegrafi/