LAJMI I FUNDIT:

Emrat për Guvernator të BQK-së procedohen për votim në Kuvend

Emrat për Guvernator të BQK-së procedohen për votim në Kuvend

Komisioni për Buxhet dhe Financa, i ka proceduar në Kuvend të Kosovës emrat e katër kandidatëve që kanë hyrë në listën e ngushtë për Guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

Fehmi Mehmeti, Shkëndije Himaj, Besnik Bislimi dhe Safet Merovci janë katër emrat që priten të votohen për të parin e BQK-së.


Kryetari i këtij komisioni, Lumir Abdixhiku, e ka konfirmuar për Telegrafi se emrat e kandidatëve të propozuar për Guvernator të BQK-së janë dërguar në Kuvend për votim.

“I kemi përcjell siç kanë ardhur. Komisioni nuk mund të bëjë ndryshime [në emra] ose i refuzon për arsye procedurale, apo i procedon tutje. Tash është në duart e 120 deputetëve të zgjedhin Guvernatorin e ardhshëm të BQK-së”, tha Abdixhiku për Telegrafi.

Guvernatori në pritje të Kuvendit
Lexo po ashtu Guvernatori në pritje të Kuvendit

Emërimi i Bedri Hamzës në pozitën e Ministrit të Financave nga ajo e Guvernatorit të BQK-së, ka bërë që ky institucion të mbetet me ushtrues detyre.

Më 11 shtator 2017, Fehmi Mehmeti, zëvendësguvernatori i BQK-së, është emëruar nga Bordi i BQK-së në pozitën Ushtruesit të Detyrës së Guvernatorit, deri në zgjedhjen e Guvernatorit të ri. /Telegrafi/