Emini: Fushata zgjedhore nuk ofroi oferta politike, u dominua nga gjuha toksike dhe lufta e fajit


Analistja politike dhe aktivistja e shoqërisë civile, Donika Emini, ka kritikuar fushatën e fundit zgjedhore në Kosovë, duke thënë se ajo u karakterizua nga mungesa e ofertave konkrete politike, gjuha përçarëse dhe përplasje personale mes liderëve politikë.
Në “Përballje Podcast” në Telegrafi, Emini tha se gjatë gjithë fushatës qytetarët nuk dëgjuan ide të qarta për zhvillimin e vendit, por kryesisht debate të fokusuara te rivalitetet politike.
“Gjatë gjithë fushatës politike nuk ka pasur asnjë ofertë politike. Ka pasur disa premtime ad hoc për zhvillim ekonomik apo investime, por ato nuk janë dukur si investime strategjike dhe as si një vizion i qartë për të ardhmen e vendit”, deklaroi ajo.
Sipas Eminit, partitë politike u përfshinë në një atmosferë të polarizuar, ku dominuan akuzat dhe përplasjet personale në vend të debateve për programet qeverisëse.
“Ka pasur një barrikadim të partive politike dhe një gjuhë toksike gjatë gjithë fushatës. Rikthimi i presidentes Vjosa Osmani në diskursin politik partiak i kontribuoi këtij toksiciteti, sepse i gjithë viti kaloi duke u diskutuar pse nuk u bë presidente, pse dështoi partneriteti me Kurtin dhe kush e ka fajin për zhvillimet politike”, tha Emini.
Ajo vlerësoi se debati publik u shndërrua në një “luftë faji”, ku fokusi nuk ishte te zgjidhjet, por te përgjegjësia e palëve për krizën politike.
“Ishte një lodhje e përgjithshme nga kjo lojë e fajit. Kush e ka fajin? A e ka opozita? A e ka Kurti? A e ka Osmani? Në thelb, kjo ishte një çështje personale mes liderëve politikë dhe jo një debat për interesin publik”, u shpreh ajo.
Duke komentuar synimin e Lëvizjes Vetëvendosje për të siguruar një shumicë më të madhe parlamentare, Emini paralajmëroi se dobësimi i opozitës nuk është i shëndetshëm për një demokraci si Kosova.
“Sado problematike të jetë opozita, ideja për ta eliminuar ose për ta bërë të parëndësishme është shumë problematike për një demokraci fragjile si Kosova. Demokracitë e brishta nuk i mbijetojnë një sistemi ku një parti i kontrollon të gjitha”, tha ajo.
Emini solli si shembull zhvillimet e fundit në rajon, duke përmendur Serbinë dhe Shqipërinë, ku sipas saj po vërehen pasojat e dobësimit të mekanizmave demokratikë dhe mungesës së balancave politike.
“Po e shohim çfarë po ndodh në Serbi dhe çfarë po ndodh në Shqipëri. Në momentin kur nuk ka kontroll dhe kundërpeshë politike, modelet bëhen shumë problematike. Kjo është arsyeja pse opozita është element i domosdoshëm në çdo demokraci funksionale”, përfundoi Emini. /Telegrafi/






































