LAJMI I FUNDIT:

Elezi: Prania aktive e femrave është më e ulët në vendbanimet rurale

Elezi: Prania aktive e femrave është më e ulët në vendbanimet rurale

Ministrja për vetëqeverisje lokale Shiret Elezi sot në Tetovë mori pjesë në konferencën me temë “Roli i gruas në vendimmarrje në nivel lokal”, të organizuar nga Lobi rajonal i grave për paqe, siguri dhe drejtësi në Evropën Juglindore, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Në prani të organizatorëve dhe të grave kryetare të komunave nga vendi dhe vendet e tjera të rajonit, ministrja Elezi theksoi se pavarësisht të gjitha masave normative, gjendjet reale në Ballkan, sa u përket çështjeve që kanë të bëjnë me barazinë gjinore, ende mbahen të hapura dhe aktuale.


‘Me procesin e decentralizimit në Republikën e Maqedonisë çështjet kryesore që lidhen me cilësinë e jetës, siç janë shkollat fillore dhe të mesme, kopshtet e fëmijëve, kujdesi social për fëmijët dhe të moshuarit, veprimtaritë komunale, zhvillimin lokal, kultura, sporti masovik dhe çështje të tjera, janë në kompetencë qeverisjes lokale. Kuotat në listat e kandidatëve, janë vetëm një nga zgjidhjet. Mënyra tjetër është sensibilizimi i vazhdueshëm i grave përmes rolit të qytetareve aktive në proceset e konsultimit’, theksoi ministrja Elezi.

Ministrja Elezi tha se veçanërisht i rëndësishëm është bashkëpunimi në ngritjen e vetëdijes publike në vendbanimet lokale rurale, ku prania aktive e femrave është dukshëm më e ulët, si dhe në lokalitetet etnikisht të përziera ku theksi është vendosur në çështjet etnike në llogari të atyre gjinore. /Telegrafi/