LAJMI I FUNDIT:

Elektricisti që i bëri lidhje të shkurtër komunizmit dhe “perandorisë” sovjetike

Elektricisti që i bëri lidhje të shkurtër komunizmit dhe “perandorisë” sovjetike

Telegrafi ua rikthen më poshtë një inintervistë të botuar në mars 2001, në Javoren Politike Shqiptare “Zëri”, me fituesin e Çmimit Nobel për Paqe, disidentin dhe personin që theu komunizmin në Bllokun lindor – Lech Walesa. 



walesa2

INTERVISTË EKSKLUZIVE: LECH WALESA, ISH-KRYETAR I POLONISË DHE FITUES I ÇMIMIT NOBEL PËR PAQE

ELEKTRICISTI QË I BËRI LIDHJE TË SHKURTËR KOMUNIZMIT DHE “PERANDORISË” SOVJETIKE

AGRON SHALA

Më kanë trajtuar në mënyrë joserioze kur thosha atëherë se Bashkimi Sovjetik nuk do të zgjasë deri në fund të shekullit XX. – Pranë Tryezës së Rrumbullakët janë ndeshur kufijtë e së vërtetës dhe të gënjeshtrës. – Burgosja ime u ndesh me një rezistencë të madhe shoqërore. – Shpërblimi i Nobelit ishte një sinjal i fuqishëm i përkrahjes së luftës sonë nëpërmes botës perëndimore. – Jemi ndier si popull i fuqishëm, kemi parë se miliona veta, të cilët janë takuar me Atin e Shenjtë, shikimin e kanë pasur të kthyer kah liria. – Si president nuk pata asnjë kompetencë që të sjell reforma. – Deri tek ndarja e “Solidarnostit” është dashur të vijë, sepse unë nuk desha ta ndërroj e ta zëvendësoj monopolin komunist me monopole të reja. – Komunistët janë mësuar të udhëheqin dhe ta mbajnë pushtetin. – Superfuqia më e fuqishme botërore janë Shtetet e Bashkuara dhe roli i prijës për ta është karakteristik. – Jeta ime dëshmon se gjithçka mund të arrihet në mënyrë paqësore, nëpërmjet diskutimeve dhe bisedave. – Gjithnjë jam pranë atyre, të mohuarve dhe të dëbuarve nga shtëpitë…

– Revista “Times”, në vitin 1982, botoi portretin tuaj me titullin: “Lech Walesa – Ai pati guximin të shpresojë”. A keni shpresuar se do ta mbijetoni luftën kundër komunizmit?

E KEMI DITUR SE NUK JEMI VETËM…

WALESA: Në këtë kohë, asnjëri nga burrat shtetërorë, asnjëri nga burrat e kurorëzuar shtetëror nuk besonte në regjimin e komunizmit. Të them më tepër mua më kanë trajtuar në mënyrë joserioze kur thosha atëherë se Bashkimi Sovjetik nuk do të zgjasë deri në fund të shekullit XX. Mungesa e shpresës në arritjen e këtij çasti nuk do ta lejonte arritjen e fitores.

– Në periudhën 1970-1981, por edhe më vonë, luftën kundër komunizmit e keni bërë në mënyrë indirekte, nëpërmjet slloganeve për liri dhe të drejta të punëtorëve. Ironikisht, revolucioni antikomunist i punëtorëve bëhej kundër të ashtuquajturit shtet të punëtorëve. Dhe ju, për herë të parë pas vitit 1917, keni arritur të bëni kompromis me Qeverinë, të formoni unionin e “Solidaritetit” dhe t’i keni 10 milionë anëtarë. Por, megjithatë lufta juaj ishte paqësore. A jeni frikuar nga rastësia, inskenimet, thjesht nga gjakderdhja eventuale në Poloni?

WALESA: Duhet shikuar në efektet. Nuk pati gjakderdhje. Ka raste që mund t’i besoj vetëm gramatikës. Atëherë kishte kompromise dhe sot e di se kjo në njëfarë mënyre ishte kompromis i dyshimtë. Pranë Tryezës së Rrumbullakët janë ndeshur kufijtë e së vërtetës dhe të gënjeshtrës, kufijtë në mes të tradhtarëve dhe patriotëve. E tillë ishte nevoja e çastit dhe atëherë kjo ishte e vetmja rrugë e zgjidhjes. Më vonë, na mungonin forcat që t’i vëmë në lëvizje ato raporte dhe t’i kthejmë deri tek vlerat e vërteta. Nga kjo mund të kuptohen problemet tona të sotme.

– Në vitin 1981 lufta e “Solidarnostit” lëkund themelet e komunizmit të tmerrshëm rus. Në njëjtin vit, në Kosovë studentët shqiptarë lëkundin themelet e komunizmit jugosllav. Në të dy vendet shpallet gjendja e jashtëzakonshme. A keni pasur njohuri atë kohë për problemet dhe rrjedhat politike në këtë vend?

WALESA: Lumi i informatave, atëherë, rrjedhimisht ishte i bllokuar nëpërmjet pushtetit komunist. Megjithatë kemi pasur vetëdijen se nuk jemi të vetmuar në këtë luftë. Kjo na jipte shpresë.

– Pra, në Poloni, ndërkohë shpallet gjendja e jashtëzakonshme. Kontrollin mbi shtetin e mori ushtria dhe ju arrestoheni. Përkundër ndikimit që keni pasur, ju i jeni shmangur luftës qytetare, konflikteve. Madje, e keni quajtur veten në mahi “zjarrfikës”. A keni pasur kundërshtarë, që kanë tentuar të veprojnë ndryshe atë kohë, në rradhët e “Solidarnostit”?

GJENDJA E JASHTËZAKONSHME NA I HUMBI 10 VJET

WALESA: Gjithnjë ka pasur radikalistë. Ka të atillë edhe sot, të cilët nuk janë pajtuar me rrëzimin e komunizmit në mënyrë paqësore. Kanë dashur diçka më tepër. Të atillët ishin revolucionarët e përjetshëm: nuk arrinin të mbyllnin një revolucion dhe donin t’ia fillonin tjetrit revolucion. Dendur më është dashur t’i shuaj pakënaqësitë shoqërore, që ndizeshin në popull.

– Personit, që u ka arrestuar i keni thënë: “Zotëri, ky është momenti i humbjes suaj. Ju ia ngulët gozhdat e fundit arkivolit të komunizmit”. Vërtet, a keni qenë aq shumë të bindur në fitore?

WALESA: Atëherë pata bindjen se në popull është një përcaktim i madh e unë atëherë gëzoja një përkrahje të madhe. Burgosja ime u ndesh me një rezistencë të madhe shoqërore dhe me një bunt të një atmosfere të zjarrtë në popull. Kisha besim në fitore, ndonëse pata çaste të vështira. Këto çaste mua nuk më mungonin.

– Të kthehemi tek gjendja e jashtëzakonshme. Atë kohë BRSS-ja ruante të drejtën të intervenojë ushtarakisht në shtetet e bllokut socialist, nëse qeveritë e atyre shteteve ndërmerrnin akte, që kontestonin përkatësinë e tyre në këtë bllok. BRSS-ja më 1956 intervenoi në Hungari, më 1968 në Çekosllovaki. A mendoni se gjenerali Wojciech Jaruzelski, përkundër faktit që u ka burgosur, e ka shpëtuar Poloninë?

WALESA: Përkundrazi, në këtë kohë ishte “Solidarnosti” i madh, i përshkruar me vrullin dhe entuziazmin e dhjetëra milionave polakëve. Historia nuk njohu një fenomen të tillë. Mbretëronte një solidaritet i vërtetë, po ashtu një determinim në kryerjen e ndërrimeve dhe të luftërave për liri. Shtetrrethimi, neve polakëve na theu dhe humbëm dhjetë vjet. Kurrë nuk u zhdukën pasojat negative të atij vendimi. Sot do të ishim në një tjetër pozicion të ndërrimeve në shoqëri. Nuk duhet harruar po ashtu vuajtjen që i solli kjo shumë bashkëkombasve të mi.

– Më 1983 ju fitoni çmimin Nobel për paqe. Çfarë domethënie kishte kjo për ju, kur ju nuk kishit mundësi ta shijoni lirinë e vërtetë?

WALESA: Shpërblimin e mori bashkëshortja me djalin. Pushteti i atëhershëm nuk lejoi që unë ta merrja shpërblimin personalisht. Shpërblimi i Nobelit ishte një sinjal i fuqishëm i përkrahjes së luftës sonë nga bota perëndimore. Kjo i forcoi po ashtu bindjet e mia se frytet e mira mund të arrihen vetëm nëpërmjet luftës paqësore.

– Atë kohë, shërbimet sekrete ruse dhe polake tentojnë t’u prezentojnë si agjent të paguar. Madje, dyshohet se këto shërbime u kanë dërguar materiale të falsifikuara anëtarëve të Komitetit për ndarjen e çmimit Nobel. Mirëpo, problematika mbi agjentin “Bolek” ishte aktuale edhe 10 vjet pas shkatërrimit të komunizmit. Çfarë mund të na thoni për këtë?

KOMUNISTËT DËSHIROJNË TA ZVOGËLOJNË FITOREN TONË

WALESA: Me personalitetin tim është marrë i tërë departamenti shtetëror. Vështirë është ta përfshish sasinë e tërë materialeve që i përkasin, sa i përket personalitetit tim, shërbimeve speciale. Aq më tepër pushteti nuk mundi të durojë se mua ma dhanë këtë shpërblim. Andaj, pushteti bëri gjithçka që ta zhvleftësojë vlerën e saj dhe personalitetin tim. Zhvillimi i procesit të ilustrimit në Poloni nuk i përmbushi shpresat e mia. Andaj, që moti propozova një filozofi tjetër të ilustrimit. Sipas saj, do të mbeteshim të ndarë desidentët e vërtetë dhe ata që udhëheqin me shërbimet e rekrutimit dhe të shantazhimit. Mua gjithashtu më kanë gjykuar. Gjygji konsideroi se unë paraqita një deklaratë të vërtetë, por athua vallë unë i binda ata, të cilët mua më gjykojnë, apo është në pyetje diçka tjetër?

– Vizitën e Papës, më 1979 në Poloni, e keni cilësuar si “dhuratë nga Zoti”. Çfarë ka qenë ndikimi i tij në lëvizjen e atëhershme anti-komuniste?

WALESA: Lufta jonë dhe shpresa jonë vazhduan deri në fitoren e arritur, ngase e tëra kjo ishte në duart e Zotit. Për këtë kemi parë edhe më shumë, e këtë e forcoi vizita e Atit të Shenjtë dhe vizitat e Tij të tjera. Jemi ndier si popull i fuqishëm, kemi parë se miliona veta, të cilët janë takuar me Atin e Shenjtë, shikimin e kanë pasur të kthyer kah liria. Këtë forcë ata më në fund mund ta shihnin.

– Boris Olejnik, i cili në vitet e fundit të BRSS-së ishte nënkryetar i Këshillit të nacionaliteteve pranë Sovjetit Suprem, në librin e kujtimeve të titulluar “Bujari i errësirës”, pohoi se Gorbaçov është marrë vesh me Papën për ta shkatërruar Bashkimin Sovjetik. Se ka ekzistuar një lloj marrëveshjeje midis Vatikanit, Varshavës dhe Moskës për evitimin e gjakderdhjes dhe luftës në lindje, do të vërtetojë më vonë edhe gjenerali Jaruzelski. A keni qenë ju pjesëmarrës i kësaj marrëveshjeje?

WALESA: Nuk di asgjë për një marrëveshje të tillë. Komunistët gjithmonë do të donin ta zvogëlojnë fitoren tonë.

– Më 5 prill të vitit 1989, pas protestave të 16 gushtit dhe Tavolinës së Rrumbullakët, “Solidarnosti” legalizohet. Ky ishte edhe fillimi i fundit të komunizmit, Luftës së Ftohtë dhe monstrumit BRSS. Më 12 dhjetor 1990 Ju shpalleni kryetar i parë demokrat i Polonisë. Cilat ishin problemet me të cilat u ballafaquat atë kohë?

GJAKFTOHTËSIA SOLLI EFEKTE GJATË GRUSHTETIT RUS

WALESA: Askush sot nuk mund ta kuptojë atë situatë dhe thirrjet e asokohshme. Unë nuk pata pikënisje politike, lidhja e sindikatave mua nuk më përkrahu. Pothuaj, vetëm me bashkëshorten dhe fëmijët më është dashur të transferohem në Belveder, ku gjithçka ende ishte komuniste, në çdo nivel administrativ. Në atë kohë resorët ishin në duart e komunistëve, ndërsa në Poloni ende ishte e stacionuar armata sovjetike. Fushat e manevrimit ishin të kufizuara. Më është dashur të ndikoj mbi të gjitha, në të gjitha kushtet, që të mendoj mbi reformat e mëtejshme dhe ndërtimin e sistemit të mirëfilltë politik dhe ekonomik.

– Më 3 qershor 1990, në Samitin e Washingtonit ndërmjet Bushit dhe Gorbachovit, merret vendimi për bashkimin e dy Gjermanive. Me këtë vendim merrte fund Rendi botëror i vendosur më 1945 në Jaltë. Duke marrë parasysh përvojën e hidhur polake nga Lufta e Dytë Botërore, a jeni frikuar nga bashkimi gjerman? A jeni frikuar nga kontestimi eventual i kufijve të vendosur në Jaltë?

WALESA: Frika mund të vinte nga çdo anë. Frikësimet më të mëdha ishin nga ana e lindjes. Besoja se tani pozita e jonë gjeopolitike do të jetë për ne një bekim dhe shans. Sot, gjermanët e bashkuar janë parterët tanë më të mëdhenj tregtarë dhe fqinjë të mirë.

– Në manifestimin e 15-vjetorit të ardhjes së tij në pushtet, më 11 mars në Gjenovë të Italisë, Mihail Gorbachovi deklaroi: “Para jush është njeriu, i cili në në një çast, në duart e veta kishte pushtetin më të madh, të cilin dikush mund ta paramendonte…”. Në gusht të vitit 1991 ndodh grushteti i pasuksesshëm kundër Gorbachovit. A ishte e gatshme Polonia të ballafaqohej me sfidat, që mund të dilnin nga ky grushtet?

WALESA: E kam paramenduar dikur kundërrevolucionin. Në kohën e grushtshtetit kemi ruajtur gjakftohtësinë me një arsye të shëndoshë. Kjo edhe solli efekte.

– Si keni arritur t’i përballoni problemet e transicionit, në veçanti ato ekonomike, pas zgjedhjeve të para demokratike?

PRIJËSI I KEQ NUK DO TA RRËNONTE KOMUNIZMIN

WALESA: Si president nuk pata asnjë kompetencë që të sjell reforma. Unë përcaktoja drejtimet, të cilat nuk kanë mundur të realizohen. Pastaj, mund të vëja themelet nën ato reforma. Atyre u takonte shpërngulja dhe transferimi i ushtrive sovjetike, të cilët do të stacionoheshin në Poloni deri më sot, sikur mos të ekzistonte intuita politike, shkathtësia dhe përkrahja nga lart. Kjo më tej na hapi rrugën deri në NATO e me këtë deri tek stabilizimi dhe ndjenja e sigurisë. Pastaj arrita t’i reduktoj borxhet polake, që i patëm ndaj botës së jashtme. Pastaj, pata ndikim në formësimin e sistemit demokratik dhe ekonomik. Për këtë më është dashur të vë në rrezik miqtë, më është dashur të vë në rrezik shoqërinë.

– Ardhja e juaj në pushtet përcillet me probleme të reja, me shkapëderdhjen e “Solidanostit”. Pra, bashkëpunëtorët tuaj shndërrohen në kundërshtarë politik. Kritikët tuaj ju akuzonin se jeni shumë autoritativ, “kryetar me sopatë”. Bogdan Borusewicz për ju ka thënë: “Ai ishte kryetar shumë i keq”. A i ka larguar kjo bashkëpunëtorët tuaj, apo tendenca për karriera politike, të cilat nuk kanë mundur të mbijetojnë nën imazhin, respektin dhe karizmën që kishit ju atë kohë?

WALESA: Prijësi i keq nuk do të realizonte rrëzimin e komunizmit dhe ndërrimin e imazhit të Evropës. Deri tek ndarjet e “Solidarnostit” është dashur të vijë, sepse unë nuk desha të ndërroj e ta zëvendësoj monopolin komunist me monopolet e reja. Dëshiruam që pas etapës së bashkimit, luftës së përbashkët dhe të fitores, ta bëjmë ndarjen, që ta ndërtojmë demokracinë dhe pluralizmin. Besova se do të kem sukses edhe një herë për të shpënë deri tek bashkimi i sërishëm. Kjo ende nuk ka ndodhur. Në këtë kohë humba shumë njerëz dhe miq. Sigurisht se kjo mua më kushtoi, se për mua gjithnjë llogariteshin çështjet dhe gjithnjë punoja për çështjet. Veprimet e mia kanë qenë të determinuara me një vizion strategjik. Të gjithëve kjo nuk u shkonte për shtati. Ndërsa unë, nuk kam mundur të udhëhiqem me sentimente.

– I pakënaqur me faktin se ish-këshilltarët tuaj kooperojnë me ish-komunistët, ju keni deklaruar “luftë” në majat e “Solidarnostit”. “Nuk e dua këtë, por duhet ta bëj”, keni thënë. Kohë më parë mbahet përvjetori i “Solidarnostit”, por ju nuk ftoheni të participoni. Si është e mundur që udhëheqësi dhe ideologu i kësaj lëvizjeje të mos ketë përkrahjen, që ka pasur më parë?

UNË KËRKOJ PUNË DHE E THEM TË VËRTETËN

WALESA: Pikërisht për këtë se gjithnjë kam luftuar për çështjet. Unë kam vënë jetën në rrezik, ngase gjithnjë kam nxitur për një aktivitet gjithpopullor, i kam nxitur për punë dhe për të mirën e përbashkët. Pareshtur kam diskutuar për çështjet, t’i zgjoj për një debat publik.

– Ndërkohë, prolongohet pranimi i Polonisë në paktin NATO. Ju atë kohë iniconi idenë për “NATO-n e dytë”, për ata që prisnin anëtarësimin. Çfarë keni menduar me këtë projekt?

WALESA: Kam provuar forma dhe mënyra të shumta të arsyeshme drejt përshpejtimit të këtij procesi. Dëshirova t’i mobilizoj shtetet e Aleancës në shpejtimin e mundësive të NATO-s, se pikërisht kështu ato mund të ndikonin në imazhin e tyre. Në anën tjetër qenësore ishte, si rezultat i shumë përpjekjeve të mia diplomatike, vendimi i Jelcinit për lejimin e Rusisë për hyrjen tonë në NATO.

– Pas disfatës suaj më 1995 nga ish-komunisti Kwasniewski, ju nuk e keni ndërprerë karrierën politike. Këtë e dëshmon edhe kandidatura juaj për kryetar në zgjedhjet e fundit polake. Fatkeqësisht, ju i keni humbur edhe këto zgjedhje, madje me rezultat të disfavorshëm. Si është e mundur kjo?

WALESA: Në politikën polake zuri të llogaritet më shumë forma se përmbajtja. Zoti Kwasniewski shprehet bukur, duke përdorur fjalë të rrumbullakësuara, duke thënë atë çfarë njerëzit dëshirojnë të dëgjojnë, madje edhe nëse ai vetveten e hedh poshtë. Ndërkaq, unë dëshiroj që gjërat t’i atribuoj me emër. Për mua llogaritet çështja, andaj kërkoj nga njerëzit aktivitet, kërkoj gjithnjë punë. Përpos kësaj, e vërteta është e hidhur, të cilin aq dendur e them. Kjo është diçka e vështirë dhe kësisoji këtë nuk duan shumë njerëz ta pranojnë.

– Në tetor të vitit të kaluar, i pakënaqur me rezultatin e zgjedhjeve presidenciale, ju jeni deklaruar se tërhiqni definitivisht nga politika. “Nuk ka më vend në politikën shtetërore për të”, ka thënë Falandysz, ish-bashkëpunëtor i yti. Vërtet mendoni se skena politike polake dhe jo vetëm polake, nuk ka nevojë më për ty? Lidhur me këtë a ka të drejtë kur ish-bashkëpunëtori juaj Adam Michnik thotë: “Karakteret, që e bënë lider të madh në lëvizjen e ‘Solidarnostit’, e diskualifikuan të jetë lider i një shteti demokratik”?

LIRINË NUK NA E SOLLËN…

WALESA: Efektet dhe sukseset e kryesisë sime flasin diçka tjetër. Do të ishte një situatë më e mirë dhe Polonia nuk do t’i humbte pesë minutat e veta, sikur unë të kisha një periudhë tjetër ligjvënëse. Do ta kryeja punën time të filluar. Tani për tani e di se populli nuk e dëshiron punën time. E di gjithashtu se i kam borxh edhe botës së jashtme. Prandaj, atje gjithnjë jam aktiv.

– Z. Walesa ju cilësojnë fenomen, njeriu më interesant dhe i çuditshëm i të gjitha kohëve, luftëtar gjigant i demokracisë dhe i të drejtave të njeriut. Në një fjalim tuajin në Amerikë, madje duke u mahitur, keni thënë: “Kam marrë qindra medalje dhe mirënjohje sa që po t’i kisha me vete do t’ju duhet një vinç të më ngritni nga karriga”. A ka marrë fund lufta juaj?

WALESA: Lirinë e fituam me luftë dhe lirinë nuk na e sollën. Kështu na mëson Ati i Shenjtë. Unë gjithnjë dëshiroj të luftoj për çështjen kombëtare dhe për të vërtetën. I tillë do të mbetem gjithmonë.

– Ju jeni i angazhuar edhe në Institutin Walesa. Si e shpjegoni faktin që në Evropën Juglindore, në shumicën e shteteve të transicionit, pushtetin në duar e kanë marrë forcat social-demokrate, pra strukturat ish-komuniste?

WALESA: Njerëzit kanë gjakim për atë kohë. Komunistët janë mësuar të udhëheqin dhe ta mbajnë pushtetin. Për këtë e posedojnë kapitalin dhe i kanë të forcuara pozitat e mëparshme.

– Polonia integrohet në strukturat evropiane, ndërkohë që këto struktura tentojnë ta minimizojnë ndikimin amerikan në Evropë. Në librin e tij “A World Transformed”, George Bushi, seniori, thotë: “Nëse SHBA-ja nuk prinë, nuk do të ketë udhëheqësi (Bota)”. Në Middlebury College të vitit të kaluar ju u jeni drejtuar amerikanëve me fjalët: “Lufta, që kam udhëhequr dhe të cilën e fituam, hapi shanse të paparamenduara për ju, faktin që SHBA-të ngelën superfuqia e vetme në botë”. Lufta në Kosovë dëshmoi ngecjen ekonomike dhe ushtarake të evropianëve ndaj Amerikës? A mendoni se Evropa është e gatshme të mbijetojë pa Amerikën?

INSTITUCIONET E KOMBEVE TË BASHKUARA JANË “MUZEALE”

WALESA: Jo, në kohën e globalizimit dhe të kontinentalizimit është gjithsesi i nevojshëm bashkëveprimi. Bota, sot kërkon prijës të fortë. Superfuqia më e fuqishme botërore janë Shtetet e Bashkuara dhe roli i prijës i tyre është karakteristik.

– Të kthehemi tek lufta në Kosovë. Ju i keni kundërshtuar në fillim bombardimet e NATO-s. Ju keni thënë se lufta në ish-Jugosllavi ka mundur të shmanget, sipas parimit: “Liria e njërit grup nuk duhet ta rrezikojë lirinë e tjetrit”. Mirëpo, bombardimet e NATO-s ishin në përputhje me këtë parim dhe me slloganin e njohur polak: “Për lirinë tonë dhe tuajën”. Pse ishit kundër bombardimeve të NATO-s?

WALESA: Isha i bindur se sulmet masive ajrore nuk zgjidhin problemet dhe se zgjidhjen e problemeve mund ta gjesh vetëm pranë tryezës së diskutimeve. Asokohe u dërgova një letër laureatëve të çmimit Nobel për paqe, duke i lutur për një bashkëveprim tonë, përkitazi me zhvillimin e ndërmjetësimit si mediatorë të paqës, që të pengohen vdekjet dhe të zvogëlohen vuajtjet e popujve. Për paqen duhet menduar sipas tri kushteve – “jo”: për spastrime etnike, të dëbuarit e njerëzve nga shtëpitë e tyre dhe shkelja e të drejtave. “Jo” për zgjidhjet me forcë të konflikteve.

– Ju keni thënë se konfliktet në Kosovë dhe vendet me probleme të ngjashme do të ngelin nëse OKB-ja nuk përpilon ligje të reja në bazë të të cilave çdo individ dhe popull ka të drejtë për liri. Por, në anën tjetër, në bazë të këtyre ligjeve, kufijtë e vjetër nuk mund të ndërrohen. A mund të ketë liri në Kosovë, dhe në vende të ngjashme, pa ndërrimin e kufijve?

WALESA: Ngjarjet në Jugosllavi tregojnë se institucionet e Kombeve të Bashkuara janë “Muzeale”. Po ashtu, detyrat e reja të NATO-s, si mbrojtës të të drejtave të njeriut, që janë të denja dhe të arsyeshme, nuk mund të realizohen pa reforma të thella të institucioneve ndërkombëtare. E atëherë si të ndërtosh lirinë e popujve? Jeta ime dëshmon se gjithçka mund të arrihet në mënyrë paqësore, nëpërmjet diskutimeve dhe bisedave. Liria ka kufijtë e vet, të cilët i krijon liria e njeriut tjetër dhe e popullit tjetër.

– Opinioni polak përkrahte bombardimet e NATO-s, pasi siç keni thënë ju: “Polakët kanë përjetuar në trupin e vet dramën e refugjatëve, deportimet, ndryshimet e kufijve”. Ju pastaj keni shtuar: “Është e domosdoshme të inkurajohet kjo (bombardimet), për t’i ardhur fundi këtij barbarizmi”. Pra, ju më vonë ndërroni mendjen, përkitazi me bombardimet e NATO-s, apo jo?

E ARDHMJA E EVROPËS ËSHTË BASHKIMI

WALESA: Gjithnjë jam pranë atyre, të mohuarve dhe të dëbuarve nga shtëpitë.

– Rendi i ri botëror bazohet në integrimet rajonale. Pra, nuk i përkrah parimet uillsoniane. Mirëpo, lufta në Kosovë tregoi se pikërisht këto parime janë garancë i paqes në botë?

WALESA: Nuk mund të krijosh parime artificiale dhe garancë. Më e rëndësishmja është vullneti i mirë dhe respekti për lirinë e tjetrit.

– A mund të ketë integrim rajonal pa pavarësi politike dhe territoriale? A do të mund të integrohej Polonia në UE, po t’ishte anëtare e paktit të Varshavës dhe e dominuar nga BRSS-ja?

WALESA: Shumë pak do të ndërronte, sikur në Poloni të staciononte edhe më tej Ushtria Sovjetike. Por, ne zgjodhëm një filozofi tjetër shtetërore. Tashmë jemi në NATO dhe synojmë në Unionin Evropian. Mirëpo, dëshirojmë njëkohësisht të kultivojmë marrëdhënie të mira dhe miqësore me fqinjtë lindorë.

– Evropa, më parë me Eurocorps dhe prapë tash së voni, inicon idenë e formimit të trupave të reja ushtarake. Kjo ide sfidon NATO-n dhe Amerikën. Si e shihni të ardhmen e NATO-s në rajon?

WALESA: Nuk ndërrohet roli stabilizues i NATO-s. Por, janë të nevojshme reformat, si të NATO-s ashtu edhe të institucioneve tjera ndërkombëtare. Duhet zvogëluar, likuiduar burokracinë dhe përshtatur në nevojat e reja të mijëvjeçarit të tretë. Krijimi i forcave të armatosura nëpërmjet Bashkësisë Evropiane, është një etapë natyrale dhe finale e integrimit të plotë evropian.

– Dhe një pyetje për fund: si e shihni të ardhmen e Evropës Juglindore?

WALESA: E ardhmja e mirë e tërë Evropës është bashkimi, me ruajtjen dhe kultivimin e respektit ndaj përkatësive dhe identiteteve kombëtare të popujve dhe e drejta e tyre për mëvetësi në suazat e bashkëveprimit më të gjerë. /Telegrafi/

Në trend Botë

Më shumë
Ukraina shkatërroi raketën 6.5 milionë dollarëshe të rusëve

Ukraina shkatërroi raketën 6.5 milionë dollarëshe të rusëve

Evropa
“Mos ia lejoni vetvetes këtë”, për çfarë pendohen më shumti njerëzit para se të vdesin

“Mos ia lejoni vetvetes këtë”, për çfarë pendohen më shumti njerëzit para se të vdesin

Botë
Duke përdorur Google Maps, zbardhet rasti i çuditshëm në Belgjikë - kjo foto zbuloi fatin e trishtueshëm të një gruaje të moshuar

Duke përdorur Google Maps, zbardhet rasti i çuditshëm në Belgjikë - kjo foto zbuloi fatin e trishtueshëm të një gruaje të moshuar

Evropa
Kush është Stormy Daniels - aktorja e filmave porno që po dëshmon kundër Donald Trumpit

Kush është Stormy Daniels - aktorja e filmave porno që po dëshmon kundër Donald Trumpit

Amerika
Parandalohet atentati ndaj Zelenskyt, pjesëtarët e inteligjencës ukrainase arrestojnë agjentët rusë – planifikonin rrëmbimin dhe vrasjen e tij

Parandalohet atentati ndaj Zelenskyt, pjesëtarët e inteligjencës ukrainase arrestojnë agjentët rusë – planifikonin rrëmbimin dhe vrasjen e tij

Evropa
Droni ukrainas hedhë në erë anijen ruse në Krime, pamje nga aksioni

Droni ukrainas hedhë në erë anijen ruse në Krime, pamje nga aksioni

Evropa
Kalo në kategori