LAJMI I FUNDIT:

Ekskluzive, Lajçak një ditë para vizitës në Kosovë flet për Telegrafin: Besoj se një marrëveshje gjithëpërfshirëse mund të arrihet brenda pak muajsh

Ekskluzive, Lajçak një ditë para vizitës në Kosovë flet për Telegrafin: Besoj se një marrëveshje gjithëpërfshirëse mund të arrihet brenda pak muajsh

Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në një intervistë ekskluzive për Telegrafin një ditë para së ta vizitojë Kosovën, ka folur për shumë çështje.

I deleguari i BE-së për dialogun, në intervistë me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, ka folur për takimin e radhës në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq si dhe ka treguar se për cilat tema janë pajtuar palët për të negociuar në Bruksel.

Ai ka folur edhe për marrëveshjet e arritura në Washington dhe rolin e BE-së në këto çështje.

Sipas përfaqësuesit të BE-së, një marrëveshje brenda muajve e jo viteve do të ishte ideale për dy vendet, por duke marrë në konsideratë se të dy palët do të jenë të gatshme të angazhohen dhe të bëjnë kompromis.

Lexo intervistën e plotë:

Telegrafi: Z.Lajçak, kur do të mbahet takimi i radhës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe në çfarë niveli do jenë diskutimet?

Lajçak: Ne do të shpallim datën për raundin tjetër të diskutimeve në Bruksel në kohën e duhur. Ne së pari do të vazhdojmë negociatat në nivelin e kryenegociatorëve, të cilat eventualisht do të çojnë në takimin e ardhshëm të liderëve. Ashtu si Presidenti Vuçiq, edhe Kryeministri Hoti e bënë shumë të qartë se ata janë të gatshëm të vijnë në Bruksel.

Telegrafi: A janë pajtuar Kosova e Serbia se për cilat tema do të diskutohen nën dialogun e lehtësuar nga BE në Bruksel?

Lajçak: Dialogu ofron një mundësi për të dy palët për të diskutuar të gjitha çështjet e hapura midis tyre. Kur rifilluam dialogun gjatë muajit korrik, të dy kryeministri Hoti dhe presidenti Vuçiq ranë dakord kryesisht për elementet kryesore që do të adresohen në marrëveshjen gjithëpërfshirëse. Në korrik, dy udhëheqësit, Përfaqësuesi i Lartë Borrell dhe unë gjithashtu ramë dakord për të hapur çështjet e para për diskutim, përkatësisht personat e zhdukur dhe të zhvendosur dhe bashkëpunimin ekonomik, dhe ne arritëm të arrinim progres të plotë gjatë verës. Në shtator, në takimin e fundit të udhëheqësve, ne hapëm dy çështjet e ardhshme për diskutim, të cilat janë shumë të vështira dhe të ndjeshme, por duhet të adresohen në mënyrë që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse që merret me të gjitha çështjet e pazgjidhura njëherë e përgjithmonë. Këto dy tema janë rregullimet për komunitetin jo-shumicë dhe këtu do të flasim për Asociacionin/Bashkësinë e Komunave Serbe, për të cilin ishte rënë dakord në Bruksel, por asnjëherë nuk u zbatua, dhe zgjidhjen e pretendimeve të ndërsjella financiare dhe të pronës.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak /Foto: Ridvan Slivova

Telegrafi:  Cilat tema momentale po diskutohen ndërmjet kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuqiq?

Lajçak: Të gjitha elementet e dakorduara që janë pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse duhet të adresohen. Aktualisht, ne jemi duke diskutuar zgjidhjen e pretendimeve të ndërsjella financiare dhe pronës dhe tashmë veçse i kemi njoftuar për diskutimet e liderëve në nivelin e kryenegociatorëve. Çështja e dytë, e cila u hap nga udhëheqësit por ende nuk është diskutuar nga kryenegociatorët janë rregullimet për komunitetin jo-shumicë. Dhe këtu, ne duhet të flasim për Asociacionin/ Bashkësinë. Ishte një nga elementet thelbësorë të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013. Një diskutim mbi këtë temë nuk mund të shmanget. Sigurisht, i mbetet Kosovës të propozojë një rrugë përpara për zbatimin e marrëveshjeve të 2013 dhe 2015, duke marrë në konsideratë edhe mendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Telegrafi: Z. Lajçak, si i vlerësoni marrëveshjet e arritura nga Kosova e Serbia në Shtëpinë e Bardhë në Amerikë?

Lajçak: Të gjitha shtetet anëtare të BE-së e shikuan me vëmendje nënshkrimin e dokumenteve nga presidenti i Serbisë dhe kryeministri i Kosovës në prani të Presidentit të SHBA-ve në Shtëpinë e Bardhë në Washington, DC.

Palët duhet të flasin vetë për premtimet që ata kanë bërë ndaj ShBA-së në dy dokumentet të veçanta që janë nënshkruar. Për ne, BE-në, dokumentet përmendin elemente të marrëveshjeve të kaluara të dialogut të lehtësuara nga BE-ja, çështje, të cilat ishin në atë kohë në diskutim si pjesë e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, projekteve të investimeve të financuara nga BE-ja dhe një sërë pozicionesh të politikës së jashtme të SHBA-ve.

Në lidhje me pikën e fundit, më lejoni të kujtoj se çdo angazhim i bërë ndaj palëve të treta, gjithashtu duhet të jetë plotësisht në përputhje me angazhimet që Serbia dhe Kosova kanë bërë në lidhje me përafrimin e legjislacionit të tyre me acquis të BE-së, rregullat dhe ligjet tona si dhe kontributin e tyre në stabilitetin rajonal.

Ne presim që të dy vendet të veprojnë në përputhje me këtë angazhim në mënyrë që perspektiva e tyre evropiane të mos minohet. Kjo veçanërisht i referohet mundësisë për të pasur ambasadat e tyre në Jerusalem. BE-ja ka qenë shumë e qartë; çdo hap diplomatik që mund të vërë në pikëpyetje qëndrimin e përbashkët të BE-së mbi Jerusalemin janë çështje serioze shqetësimi dhe keqardhjeje.

Në kontekstin e dokumenteve të nënshkruara në Shtëpinë e Bardhë, më lejoni të them se BE-ja është dhe mbetet investitori, donatori dhe partneri më i madh tregtar i rajonit dhe një pako e re investimesh sapo u njoftua nga Komisioneri Varhelyi më 6 tetor.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak /Foto: Ridvan Slivova

Telegrafi: A besoni se do të ketë marrëveshje finale në mes Kosovës dhe Serbisë, që mund të ndodh brenda këtij viti?

Lajçak: Përvoja më mësoi se nuk është kurrë një ide e mirë të imponosh afate kohore artificiale dhe kjo është arsyeja pse unë kurrë nuk vendos asnjë afat. Dialogu është një proces dhe një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila natyrisht ka nevojë për pak kohë pasi – siç thotë vetë emri – do të ketë kuptim gjithëpërfshirës që merret me të gjitha çështjet e pazgjidhura dhe duhet të ketë dispozita të qarta se si do të zbatohet dhe monitorohet.

Por, ajo që thashë më parë mbetet e vlefshme: Ekziston një ndjenjë e përgjithshme se është koha ta çojmë këtë proces në një përfundim. Unë besoj se një marrëveshje gjithëpërfshirëse mund të arrihet më parë brenda pak muajve sesa brenda disa viteve, duke marrë në konsideratë se të dy palët do të jenë të gatshme të angazhohen dhe të bëjnë kompromis.

Si lehtësues, BE-ja do t’i japë dialogut kohën e nevojshme pa u përshpejtuar artificialisht, por në të njëjtën kohë edhe pa e zvarritur atë pa nevojë./Telegrafi/.

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
E mohoi në Kuvendin e Serbisë, por Goran Rakiq ishte betuar si ministër në Kuvendin e Kosovës

E mohoi në Kuvendin e Serbisë, por Goran Rakiq ishte betuar si ministër në Kuvendin e Kosovës

Lajme
Votimi i Malit të Zi kundër Kosovës në KiE, Gjeloshaj: Qëndrimin tonë do ta japim kur të votohet në Këshillin e Ministrave

Votimi i Malit të Zi kundër Kosovës në KiE, Gjeloshaj: Qëndrimin tonë do ta japim kur të votohet në Këshillin e Ministrave

Lajme
Si do të mund t'i drejtohen kosovarët Gjykatës së Strasburgut?

Si do të mund t'i drejtohen kosovarët Gjykatës së Strasburgut?

Drejtësi
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
PDK voton kryesinë e re - pësojnë ndryshime në pozita disa prej figurave të njohura të kësaj partie

PDK voton kryesinë e re - pësojnë ndryshime në pozita disa prej figurave të njohura të kësaj partie

Lajme
Kalo në kategori