Ndërkohë, Qendra Kombëtare e Informacionit dhe Qendra Kërkimore për Zhvillimin e Këshillit të Shtetit bënë të ditur gjithashtu se rritja e ekonomisë kineze do ta kalojë nivelin 8 për qind, por nuk përjashtojnë mundësinë e një luhatjeje të madhe të çmimeve në sektorin e pasurive të paluajtshme.

Ndërkaq, Banka Botërore vuri në dukje në një raport se, me nxitjen e madhe nga financa qendrore dhe zbatimin e projekteve të mëdha të investimeve, ekonomia kineze do të sigurojë një rritje prej 8.4 për qind.


Ish-zëvendësdrejtori dhe kryeekonomist i Bankës Botërore Justin Yifu Lin shprehu të hënën në Nju-Jork besimin e tij tek ekonomia kineze, duke theksuar se ajo ka mundësi për rritje të shpejtë edhe në 20 vjetët e ardhshëm.

Lidhur me prirjet makroekonomike për vitin 2013, Lini parashikon se efekti i investimeve në nxitjen e zhvillimit të ekonomisë kineze do të vijojë të jetë relativisht i fortë dhe të ardhurat e konsumi i brendshëm do të rriten shpejt. Ai pret që ekonomia kineze të ruajë një rritje 8 për qind - 8.5 për qind, pak më e shpejtë se ajo e vitit të kaluar.

Kurse kryeekonomisti i Bankës HSBC Qu Hongbin u shpreh se, edhe pse kërkesa e jashtme ndodhet në ulje të vazhdueshme, politikat për stabilizimin e situatës ekonomike do të vijojnë të ndihmojnë në shtimin e kërkesës së brendshme, duke e çuar Kinën në një rritje të GDP-së me 8.6 për qind sivjet. /Telegrafi/