LAJMI I FUNDIT:

Edhe të pasurit mund ta luftojnë pabarazinë

Edhe të pasurit mund ta luftojnë pabarazinë

Nga: Kaushik Basu

Kur të pasurit përkrahin kauza të krahut të majtë, siç është shpërndarja e pasurisë, ata në të djathtë shpesh i quajnë hipokritë. “Nëse jeni aq të shqetësuar për barazinë, pse nuk jepni më parë disa nga të ardhurat tuaja?”, është përgjigjja e zakonshme.


Kjo përgjigje mund të ketë një efekt të fuqishëm zbutës. Shumica e njerëzve nuk duan ta mendojnë veten e tyre si hipokritë. Pra, të pasurit gjenden përballë një zgjedhjeje: ose të japin ca nga pasuria e tyre dhe pastaj të bëjnë fushatë kundër pabarazisë, ose thjesht të heshtin. Shumica e tyre preferojnë opsionin e dytë.

Kjo është për të ardhur keq, sepse pabarazia globale po arrin nivele të patolerueshme. Për më tepër, pasuria tenton të qëndrojë në familje me kalimin e kohës. Pabarazia po bëhet dinamike, me disa njerëz që lindin të pasur dhe shumë të tjerë që janë të varfër që nga momenti që vijnë në jetë.

Padrejtësia e kësaj është aq groteske, saqë vetëm kur e mendon dhe kur flet për këtë gjë të vjen dëshira të ndërmarrësh veprime korrigjuese. Por, duke ndaluar segmentin më me ndikim të shoqërisë që të shprehë mospajtimin e saj, e djathta ka penguar hapin e parë në këtë proces.

Tani kemi shumë dëshmi statistikore të pabarazisë, falë hulumtimeve nga Thomas Piketty, François Bourguignon, Branko Milanovic, Tony Atkinson dhe të tjerë. Për shembull, raporti vjetor i Oxfam-it vlerëson se 26 njerëzit më të pasur në tokë kanë të njëjtën pasuri, ose kanë të njëjtën vlerë neto, si 3.8 miliardë njerëz që përbëjnë gjysmën e poshtme të shpërndarjes së pasurisë në botë. Për më tepër, sipas Oxfam-it, pasuria e kombinuar e miliarderëve të botës u rrit me 900 miliardë dollarë vitin e kaluar, ose gati 2.5 miliardë dollarë në ditë.

Pabarazia brenda vendeve është po ashtu e dukshme. Raporti Botëror i Pabarazisë 2018 vlerëson se rritjet më të mprehta në përqendrimin e pasurisë në majë ndodhin në Shtetet e Bashkuara, Kinë, Rusi dhe Indi.

E vërtetë, një sasi e caktuar pabarazie është e pashmangshme dhe thelbësore për të nxitur ekonominë. Por, pabarazia në ditët e sotme e tejkalon këtë. Pavarësisht nga debati i vazhdueshëm rreth mënyrës se si matet saktësisht pabarazia e pasurisë dhe e të ardhurave, mund të ketë pak dyshime se të dyja këto janë pa dyshim të larta. Duke ecur nëpër lagjet e varfra të qyteteve të mëdha në vendet në zhvillim, duke dëshmuar mjerimin e të varfërve dhe të pastrehëve në vendet e pasura dhe duke parë shtëpitë dhe mënyrën e jetesës së të pasurve kudo, duhet të bëhet e qartë nevoja për të trajtuar situatën aktuale.

Për më tepër, e drejta për t’i kushtuar vëmendje kësaj nevoje nuk duhet të kufizohet te të varfrit. Përgjigja e krahut të djathtë që i hesht të pasurit me pikëpamje të majta mund të duket e arsyeshme në fillim, por ky nuk është një përfundim logjik. Mund të jeni në gjendje të mirë, të pasur ose super të pasur dhe nuk doni të hiqni dorë nga pasuria juaj në mënyrë të njëanshme, por megjithatë mendoni se sistemi që ju ka lejuar të fitoni dhe grumbulloni kaq shumë para është i padrejtë. Nuk ka asnjë kontradiktë apo hipokrizi në një qëndrim të tillë.

Disa nga mendimtarët më të mirë të botës pajtohen me këtë. Filozofi britanik Bertrand Russell argumentoi shkëlqyeshëm (qartazi duke pasur në mendje veten e tij) se pirja e purove të mira nuk duhet ta ndalojë dikë që të jetë socialist. Dhe ekonomisti amerikan Paul Samuelson hedh një ide të ngjashme te “Filozofia e jetës time”, një ese që ai botoi në vitin 1983. Samuelson u bë mjaft i pasur falë suksesit të jashtëzakonshëm të librit të tij “Economics”, i cili kërkohej të lexohej nga studentët universitar në të gjithë botën për dekada. Por, ai ishte i qartë për qëndrimin e tij politik. “E imja është një ideologji e thjeshtë që favorizon humbësin dhe neverit pabarazinë”, shkroi ai.

Në të njëjtën kohë, Samuelson pranoi se kur “të ardhurat e tij u ngritën mbi mesataren, nuk pati asnjë ndjenjë faji për këtë”. Dhe, ai shkroi me sinqeritet se edhe pse ai refuzonte të jepte pasurinë e tij në mënyrë të njëanshme, “kam votuar në përgjithësi kundër interesave të mia ekonomike kur kanë dalë në pah çështje për taksimin e rishpërndarjes”.

Ndoshta shembulli më i famshëm historik i një personi të pasur që përpiqet për barazi më të madhe ishte ai i Friedrich Engelsit, babai i të cilit kishte në pronësi fabrikat më të mëdha tekstile në zonën e Mançesterit në Angli dhe gjetkë. Engelsi ri u radikalizua kur pa fëmijët që punonin dhe vuajtjen e klasave të punës. Më vonë në jetë, Engelsi u rikthye të punonte për biznesin e tij të trashëguar në mënyrë që të mund të mbështeste përpjekjet e mikut të tij Karl Marx për t’i dhënë fund këtij lloj fitimi. Pavarësisht se çfarë mendon dikush për dëshirën apo qëndrueshmërinë e propozimit të saktë të Marxit, dëshira për të ndrequr pabarazitë e mëdha sociale është me siguri e admirueshme.

Edhe sot ka shpresë. Disa nga super të pasurit, në SHBA dhe vende të tjera, mbështesin haptazi majtën e gjerë dhe objektivin e saj për frenimin e pabarazive ekstreme. Ata janë të gatshëm të durojnë akuzat për hipokrizi për këtë qëllim të madh, gjë që e bën kauzën e tyre moralisht edhe më të fuqishme.

Individët progresivë që janë të gatshëm të heqin dorë nga përfitimet nga të ardhurat e tyre janë të admirueshme. Por, e ndërmarrin apo jo këtë hap, ata nuk mund të heshtin mbi nevojën për veprim kolektiv për të trajtuar pabarazinë ekstreme, një nga çështjet më urgjente globale të kohës sonë. /Project Syndicate/BIRN/