LAJMI I FUNDIT:

E vërteta e hidhur për emailin

E vërteta e hidhur për emailin
Ilustrimi: Kenneth Andersson / The Financial Times

Nga: Pilita Clark / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Kur është fjala te mërzia në zyrë, mendova se ka mbetur pak për të thënë në lidhje me atë gjënë e padëshiruar, shteruese dhe të pathyeshme të internetit, e që është emaili [posta elektronike] i punës.


Javën e kaluar mësova se kam çfarë për të thënë, kur një shoqe në punë më tha se sa i emocionuar ishte 10-vjeçari i saj që kishte hapur llogarinë e tij të parë të emailit.

“Emocionohet jashtëzakonisht shumë, sa herë që në kutinë e tij postare vjen një letër e re”, tha ajo. Shumica erdhën nga ajo ose nga mësuesi i tij, por ai i numëroi kur mbërritën dhe sapo e njoftoi se i kishte plot 175 të tilla.

Teksa zhyta në mendimin prekës se sa shpejt gëzimi i tij do të kthehet në tmerr përballë mbingarkesës së postës [inbox], shoqja më tha: “Qëlloja se sa email i kam. Të palexuar”.

“100 mijë?”, thashë, e sigurt se ajo do të ketë më pak se 120 mijë të miat. “Jo”, tha ajo. “300 mijë”. Kur i fola një kolegu tim të punës për këtë, ai tha se kjo nuk ishte asgjë, sepse ai kishte më shumë se 500 mijë. Duke supozuar se gazetarët paraqesin rrezik të veçantë për përmbytjet e tilla, e pyeta një investitore që të nesërmen takova, se sa emaile të palexuara ka. “Më shumë se 400 mijë”, tha ajo, duke u dridhur.

Ashtu si ne të tjerët, ajo kishte hequr dorë nga përpjekjet për ta luftuar bombardimin e pandërprerë digjital. Si zyrtare e lartë në firmën ku punon, u përshtat me llumin e pafundmë të brendshëm, ndërkohë që derdhja e jashtme e padëshiruar shpërndahej nga të gjitha llojet e reklamuesve, promovuesve dhe informuesve.

Kur ia përmenda këtë një kolegu tjetër, gjatë javës së kaluar, ai tha se po mendon të bëjë një gjë të cilën vetë unë e kisha parasysh: vendosjen e një mesazhi të përhershëm se jam jashtë zyrës, për të paralajmëruar kështu se për shkak të përmbytjeve të emailit nuk mundem të përgjigjem menjëherë.

Dhe, ky është thjesht një email, të cilin punëtorët amerikanë e kontrollonin për më shumë se tre orë në ditë në vitin 2019. Shtoni këtu ata tingujt e ndërprerë të lajmërimeve që vijnë nga [platformat tjera të komunikimit] Slack, Teams, G-chat ose WhatsApp, dhe është për t’u habitur nëse dikush ndonjëherë ia del të bëjë diçka të rëndësishme.

Sigurisht, disa mesazhe janë të nevojshme, siç janë disa nga takimet dhe telefonatat në internet të cilat janë shtuar që nga fillimi i pandemisë. Por, kemi arritur në pikën ku përfitimet nga komunikimi po tejkalohen nga humbjet dëshpëruese të prodhimit.

Kjo u vërtetua nga një raport i Microsoft-it i muajit të kaluar, që zbuloi se punëtorët në mbarë botën po përpiqen t’ia dalin mbanë me “bluarjen e të dhënave, të informacionit dhe komunikimeve nga qasja në internet”.

Hulumtimi tregoi se njerëzit e shpenzojnë 57 përqindëshin e ditës së tyre të punës në email, takime dhe komunikime të tjera, por vetëm 43 përqind për krijimtarinë produktive.

Sipas Microsoft-it, që është investitor i madh në inteligjencën gjeneruese artificiale [AI], zgjidhja e kësaj dileme është, në mënyrë të pabesueshme, inteligjenca artificiale. Gjigandi i teknologjisë pretendon se AI-ja do t’i çlirojë punonjësit e stresuar nga punët e vështira dhe se do ta zgjidh çështjen e kreativitetit të tyre.

Ndoshta. Por, duhet shumë më shumë se kaq.

Fillimisht, punonjësit nuk duhet të mendojnë më se u ndihmojnë këshillat e mërzitshme për “strategjitë e produktivitetit”. Mund të bëni sa të doni me filtrimin e postës elektronike, me bllokimin e abonimeve dhe ndalimin e njoftimeve, por kjo nuk do ta rregullojë kurrë problemin tuaj të mbingarkesës sepse nuk je ti ai që po e shkakton këtë.

Përkundrazi, buron nga organizatat që adoptojnë shtresa të njëpasnjëshme të teknologjive të komunikimit, pa menduar se si ato ndikojnë në qëllimet e tyre më të gjera – ose në produktivitetin dhe energjinë mendore të punonjësve.

Kam hasur në shumë pak kompani si GitLab, kompani kjo e softuerëve me udhëzime të detajuara se kur duhet përdorur emaili, Slack-u ose diçka tjetër për detyra të ndryshme.

E bëri këtë nga nevoja: prej kohësh i është dashur të mbledh një forcë të madhe të punëtorëve në distancë. Por, po zbatohen gjerësisht përpjekjet e saj për të shmangur atë që e quan “shpërbërja kaotike e komunikimit” e që po i shkatërron organizatat më të mëdha.

Është inkurajuese të shohësh një kompani si VW e Gjermanisë, që synon masat si mbyllja e qasjes në email jashtë orarit normal të punës, edhe nëse ato janë të vështira për t’u zbatuar në praktikë.

Më pëlqen gjithashtu hapi i grupit gjerman të makinave, Daimler, për t’i lejuar punonjësit që të përdorin aranzhimet që fshijnë automatikisht emailet që vijnë kur ata janë në pushim. Është gjithashtu e mirëpritur përhapja e politikave për të drejtën për t’u shkëputur, me çka jashtë orarit kufizohen kontaktet me punën.

Por, mënyra se si e bëjmë punën gjatë orareve, kjo kërkon vëmendje. Derisa kjo të rregullohet, jemi të dënuar ta durojmë një jetë në zyrë që do të jetë gjithmonë hije zhgënjyese dhe frustruese e jetës që ka mundur të jetë. /Telegrafi/