LAJMI I FUNDIT:

E rëndë në Durrës, katër të rinj marrin peng dhe dhunojnë një 15-vjeçar, policia ndërhyn për ta liruar

E rëndë në Durrës, katër të rinj marrin peng dhe dhunojnë një 15-vjeçar, policia ndërhyn për ta liruar

Një histori pengmarrjeje është zbuluar në qytetin e Durrësit. Mësohet se 4 të rinj kanë marrë me forcë një 15 vjeçar i cili është liruar falë ndërhyrjes së policisë.

Në operacionin e kodua “Case’ u vunë në pranga 2 prej autorëve dhe procedohen penalisht 2 të tjerët, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, morën me forcë, në automjet, 15-vjeçarin, dhe e goditën me sende të forta, për motive të dobëta.

Njoftimi i policisë së Durrësit:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh, pas marrjes së njoftimit se një 15-vjeçar ishte marrë me forcë nga disa shtetas, kanë organizuar menjëherë punën në kuadër të operacionit të koduar “Case”, për gjetjen e 15-vjeçarit dhe kapjen e autorëve. Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetin me të cilin 4 shtetas kishin marrë 15-vjeçarin, pa dëshirën e tij, dhe kanë ndërhyrë për ta liruar të miturin.

Nga veprimet hetimore dyshohet se pasditen e djeshme, në lagjen nr. 13, Durrës, shtetasit D. S., D. Xh., K. S. dhe E. S., kanë marrë me forcë, në automjet, 15-vjeçarin, dhe e kanë goditur me sende të forta, për motive të dobëta.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast u ndaluan shtetasit D. S., 21 vjeç dhe D. Xh., 16 vjeç, si dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit K. S., 25 vjeç dhe E. S., 16 vjeç, banues në Durrës.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti tip “Fiat” i përdorur për këtë rast, një përforcues grushti dhe një shkop druri. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/