LAJMI I FUNDIT:

A e mbajtën premtimin për të hequr dorë nga kompensimet e karburatit deputetët e Vetëvendosjes?

A e mbajtën premtimin për të hequr dorë nga kompensimet e karburatit deputetët e Vetëvendosjes?
Foto: Arkiv

Shpenzimet e larta për kompensimin e karburatit për deputetët të bëra nga ana e Kuvendit të Kosovës, në kushtet e rritjes se çmimit të energjisë elektrike dhe shtrenjtimit të çmimeve si pasojë e luftës, shkakuan një debat të madh publik në vend.

Pas publikimit të shifrave në televizionin Kanal 10, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje doli me një premtim publik, se deputetët e kësaj partie do të heqin vullnetarisht dorë nga kompensimi i shpenzimeve të tyre për udhëtim. Pavarësisht vendimit, dy deputetë të mazhorancës nuk “iu bindën” vendimit, ndërsa në muajin prill kreu i Kuvendit Glauk Kunjofca, vendosi që shpenzimi maksimal për udhëtim do të jetë 150 euro në muaj.


Përveç pagës bazë mbi 1 mijë e 500 euro, mëditjeve dhe mbulimit të shpenzimeve për telefonata e udhëtime, deputetët e Kuvendit të Kosovës kompensohen edhe për karburantin që harxhojnë për të shkuar në punë. Ndonëse këtë privilegj të përzgjedhurit e popullit, bazuar në Rregulloren e Punës së Kuvendit, e gëzojnë që nga viti 2011, publikimi i këtyre shpenzimeve në muajin shkurt të këtij viti, bëri jehonë të madhe. Fakti që disa deputetë kishin marrë nga 510 euro, sa tre paga minimale, vetëm për karburantin e shpenzuar gjatë një muaji, ishte kafshatë e pakapërdishme për qytetarët, të cilëve nga ai muaj u ishte shtrenjtuar rryma, e pritej t’u shtrenjtohet edhe mielli.

Lista e deputetëve, legjislatura e VIII, muaji nëntor dhe dhjetor

Më 4 shkurt 2022, Mimoza Kusari – Lila, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje përmes një postimi në Facebook, deklaroi se deputetët e kësaj partie do të heqin vullnetarisht dorë nga kompensimi i shpenzimeve të tyre për udhëtim.

 “Me anë të këtij njoftimi duam të informojmë opinion publik, se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, si shumicë parlamentare, vullnetarisht do të tërhiqen nga kompenzimi i shpenzimeve të udhëtimit dhe njëkohësisht thërrasin edhe deputetët tjerë të aplikojnë të njejtin standard. Gjithashtu, do të kërkojmë nga Kryesia e Kuvendit, rishikimin e vendimit për kompenzimin e deputetëve.”

Statusi në Facebook i Mimoza Kusari Lila

Në lidhje me përmbushjen e këtij premtimi, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Kuvendit të Republikës së Kosovës, për të marrë të dhënat e shpenzimeve për udhëtim të të gjithë deputetëve për muajin shkurt.

Nga këto të dhëna rezulton se vetëm dy nga deputetët e shumicës parlamentare kanë shkelur premtimin e shefes së tyre.

Ekrem Mustafa dhe Burim Meta, anëtarë të “Listës Guxo”, të cilët funksionojnë si pjesë e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, thyen premtimin e Kusari – Lilës, duke i pranuar kompensimet e shpenzimeve të karburantit për muajin shkurt.

Ndonëse nuk e mban mend nëse Mustafa dhe Meta ishin pjesëmarrës në takimin e Grupit Parlamentar, në të cilin u mor ky vendim, Kusari – Lila tha për Faktoje se kjo temë është diskutuar disa herë mes deputetëve të kësaj partie, kur kanë qenë të pranishëm edhe këta dy deputetë.

“Në grupin parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, kemi diskutuar disa herë për domosdoshmërinë e rishiqimit të shtesave të deputetëve dhe lidhjen e përgjegjësive me kompenzimin. Jam e sigurt që në njëren nga këto diskutime prezentë kanë qenë edhe dy deputetët, Meta dhe Mustafa. Saktësisht nuk e di a kanë qenë në takimin kur kemi diskutu tërheqjen nga shpenzimet e udhëtimit, por e di se ka pasur koncenzus të përgjithshëm për këtë vendim”, tha ajo.

Sidoqoftë ajo thotë se njoftimi për t’u tërhequr vullnetarisht nga ky privilegj, që iu dërgua Administratës së Kuvendit, është nënshkruar individualisht nga të gjithë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, me përjashtim të Metës e Mustafës.

“Administrata e Kuvendit është njoftuar nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes me njoftimin i cili ka qenë i nënshkruar nga deputetët individualisht, përveç dy deputetëve të lartëpërmendur”- tha Kusari-Lila.

Përkundër zotimit, deputeti Mustafa i cili për muajin shkurt u kompensua me 200 euro, në një bisedë telefonike për Faktoje tha se nuk është i obliguar që të heqë dorë nga këto bonuse, kur një gjë e tillë i garantohet me rregullore. Atij i duket e paarsyeshme të pranojë kërkesën e kryetares së Grupit të tij Parlamentar, derisa thotë se nuk ka keqpërdorur asgjë.

 “Unë mendoj që nuk jemi të obliguar të heqim dorë nga kompensimet. Unë nuk e kam parë të arsyeshme ta pranoj, përderisa ne nuk kemi keqpërdorur asgjë, këtu është problemi. Përderisa nuk e kemi keqpërdorur (rregulloren) dhe as nuk është se si e kemi parë në media, ‘kanë marrë derivate me fatura, pa fatura’, ne e kemi nënshkruar një dokument, se sa herë kemi marrë pjesë në seancë edhe kjo është rregullore e Kuvendit. Kjo ka qenë arsyeja, asgjë tjetër. Unë nuk kam marrë pjesë fare (në mbledhjen ku është diskutuar vendimi), sepse nuk kam qenë në Kosovë, kam qenë në Zvicër.”

Arsyetim të ngjashëm pati edhe kolegu i tij, Burim Meta, i cili më 1 prill mori 180 shtesë për shpenzimet e udhëtimit të muajit më të shkurtë të vitit. Përmes telefonit deputeti Meta tha për Faktoje se premtimi i Kusari – Lilës ka qenë i ngutshëm, prandaj thotë se nuk hoqi dorë.

“Do të heqim dorë tash. Në propozimin tjetër të cilin e kemi bërë në Komisionin dhe Kryeparlamentarit, kemi kërkuar ndryshim të rregullores. Gjithashtu, pavarësisht ndryshimeve, do të heqim dorë. Nuk kam heqë dorë deri tani, sepse më është dukur që është ë ngutshme dhe kam mendu që ne na ka takuar një gjë e tillë, në bazë të rregullores. Nuk kam mendu që kemi bërë ndonjë shkelje, i ra sikur na zunë dhe ne u larguam nga ajo çështje, kështu kam mendu.”

Megjithatë, ai pohon se do e përkrah vendimin e Grupit Parlamentar dhe do të heqë dorë nga këto shtesa, nëse Komisioni për Buxhet dhe Kuvendi e mbështesin propozimin e kësaj partie për ndryshim të rregullores.

 “Kam mendu që deri sa të bëhet rregullorja tjetër, do të vazhdojmë kështu. Kur të bëhet rregullorja tjetër, do ta përkrahim mendimin e Mimoza Kusarit dhe Grupit Parlamentar. Ne jemi të pavarur për këtë vendim. Ajo (zonja Kusari) e ka kërkuar një gjë të tillë, unë kam dhënë qëndrimin tim, se nuk duhet, nuk kemi pasë nevojë të ngutemi deri në këtë stad, pasi që ka qenë një rregullore në fuqi dhe kjo është”, tha Meta.

Nënshkrimi i Konjufcës zhvleftëson vendimin e Lëvizjes Vetëvendosje

Katër ditë pasi premtoi publikisht, më 8 shkurt, Kusari – Lila publikoi në Facebook kërkesën që kjo parti e procedoi në Kuvend, me të cilën kërkonin nga kryekuvendari, Glauk Konjufca, të autorizojë Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere që ta rishqyrtojë rregulloren.

Ndërkaq, më 23 mars, partia në pushtet dërgoi në këtë komision sugjerimet e saj, përmes të cilave parashihej që të përgjysmohet shuma për kompensimin e këtyre shpenzimeve.

Ndërkaq, më 23 mars, partia në pushtet dërgoi në këtë komision sugjerimet e saj, përmes të cilave parashihej që të përgjysmohet shuma për kompensimin e këtyre shpenzimeve.

Ndryshimi i rregullores i dha fund vendimit të shumicës parlamentare për t’u tërhequr vullentarisht nga ky privilegj, pasi që dy ditë para se Konjufca të vendoste firmën e tij në vendimin e ri, shefja e deputetëve të LVV-së tha për Faktoje se bashkëpartiakët e saj nuk do të pranojnë shtesa për shpenzimet e tyre të udhëtimit deri në momentin e këtij nënshkrimi.

“Parimisht, ky vendim do të të jetë në fuqi deri në miratimin e vendimit të ri nga Kryetari i Kuvendit, vendim ky i cili do të ulte të gjitha shpenzimet e udhëtimit për deputetët deri në 50% nga shpenzimet aktuale. Sygjerimet tona i janë dorëzuar Komisionit funksional të cilat në formë propozim vendimi i përcjellën Kryetari të Kuvendit për nënshkrim”, thuhet në përgjigjet e saj.

Me vendimin e ri, shuma maksimale me të cilën do të mund të rimbursohen kuvendarët për shpenzimet e udhëtimit, do të jetë 150 euro në muaj, transmeton Telegrafi.

Artikulli nga Donjeta Murselaj

*Shkrimi u publikua si pjesë e “Unë bëj Fact-Checking”, që ka si qëllim të trajnojë dhe mentorojë gazetarë në Shqipëri, nën projektin e UNESCO-s “Ndërtimi i besimit në media në Evropën Juglindore dhe Turqisë- Faza II” i financuar nga Bashkimi Evropian.

Në trend Lajme

Më shumë
Sondazhi i IRI: Kosova e sheh Serbinë si kërcënim, ndërsa Serbia i konsideron SHBA-të

Sondazhi i IRI: Kosova e sheh Serbinë si kërcënim, ndërsa Serbia i konsideron SHBA-të

Lajme
Çfarë thuhet në aktakuzën e vitit 2021 ndaj të dyshuarit për vrasjen e gruas në Pejë?

Çfarë thuhet në aktakuzën e vitit 2021 ndaj të dyshuarit për vrasjen e gruas në Pejë?

Drejtësi
Komiteti i KiE-së ia rrëzon amendamentet Serbisë që anëtarësimi i Kosovës të lidhet me Asociacionin

Komiteti i KiE-së ia rrëzon amendamentet Serbisë që anëtarësimi i Kosovës të lidhet me Asociacionin

Lajme
“Pasnesër do t'i mbushte 43 vjet, ai që e deshi shumë ia mori jetën” – familjarja tregon për raportin që kishte me bashkëshortin e ndjera që u vra sot në Pejë

“Pasnesër do t'i mbushte 43 vjet, ai që e deshi shumë ia mori jetën” – familjarja tregon për raportin që kishte me bashkëshortin e ndjera që u vra sot në Pejë

Lajme
Specialja shenjëstron tre raste të reja - të përfshirë 30 persona, konfiskon mijëra euro, vetura e telefona

Specialja shenjëstron tre raste të reja - të përfshirë 30 persona, konfiskon mijëra euro, vetura e telefona

Drejtësi
Benjamina Kariq: Për herë të parë, zyrtarisht vendosen lidhjet mes Sarajevës dhe Prishtinës

Benjamina Kariq: Për herë të parë, zyrtarisht vendosen lidhjet mes Sarajevës dhe Prishtinës

Politikë
Kalo në kategori