E konfirmon mediumi turk: Muriqi arrin marrëveshje personale me skuadrën e re

Fenerbahçe ka nisur lëvizjet për sezonin e ardhshëm dhe ka arritur një marrëveshje paraprake me sulmuesin kosovar Vedat Muriqi për një rikthim të mundshëm në Stamboll.
Klubi verdhë-blu, që aktualisht ka mungesë opsionesh në repartin ofensivë përveç të riut Sidiki Cherif, e sheh Muriqin si zgjedhjen ideale për të udhëhequr sulmin në sezonin e ri.
Drejtuesit kanë vepruar shpejt, duke mos pritur hapjen zyrtare të merkatos së verës.
Mediumi turk Sabah ka raportuar se Fenerbahce tanimë ka arritur marrëveshje personale me sulmuesin kosovar.
Sulmuesi 30-vjeçar, i cili është aktualisht pjesë e Mallorca, është i hapur për t’u rikthyer te ish-klubi i tij, ku ka luajtur gjatë sezonit 2019-2020.

Fenerbahçe pritet të nisë së shpejti negociatat me klubin spanjoll për të finalizuar transferimin. Sipas raportimeve, Mallorca do të kërkojë rreth 10 milionë euro për kartonin e lojtarit.
Muriqi po kalon një sezon të shkëlqyer në La Liga, ku ka shënuar 21 gola dhe renditet i dyti në garën për “Pichichi”, pas Kylian Mbappé të Real Madrid.
Me 30 paraqitje zyrtare këtë sezon, nga të cilat 29 si titullar, Muriqi mbetet një nga sulmuesit më në formë në Evropë, duke e bërë rikthimin e tij një prioritet për Fenerbahçen. /Telegrafi/





















































