LAJMI I FUNDIT:

E di ç’do të thotë të jesh i tmerruar

E di ç’do të thotë të jesh i tmerruar
John Lydon alias Johnny Rotten

Intervistë me liderin e dikurshëm të grupit Sex Pistols: John Lydon
Intervistoi: Tim Jonze / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
“Gjithmonë më kap paniku”, thotë papritur, anksiozi John Lydon. E kishte një detyrë sfiduese për t’u lidhur në këtë video-telefonatë, krejt vetë, nga shtëpia në Kaliforni. Dhe, habitet se si ia doli. “Gjithsesi, kam shikim të keq, kështu që nuk di çfarë po shikoj”.

66-vjeçari nuk e ka humbur krejtësisht sensin për ta ngacmuar audiencën, gjë të cilën e shfaqi me grupin Sex Pistols. Më vonë do ta shtojë një dozë të pikëpamjes së tij aktuale pro-Trump, kundër “Zgjimit” (lëvizje kundër racizmit – v.j.). Por, gjithnjë e më shumë është njeriu që e zbulon nivelin e vet të ndjeshmërisë.


Nuk janë vetëm lidhjet me laptopë me të cilat ai duhet të luftojë. Teksa flasim, po bëhet gati të marrë rrugën me grupin e tij Public Image Ltd dhe “frika e skenës, ankthi, si të duash quaje”, po fillon të shpërthejë përsëri. “Shqetësimi se do t’i zhgënjej njerëzit, se do të harroj se ku jam dhe se do të bllokohem”.

A ishte kështu në vitet 1970, me Sex Pistols?

“Edhe më keq, atëherë! Ishte diçka krejt e re për mua. Por, me kalimin e viteve kam kuptuar se duhet të kalosh nëpër të, sepse po i ngarkoni bateritë që të mund të dilni dhe ta vendosni kokën në gijotinë dhe të bëheni gati për t’u sakrifikuar. Nuk mund të maskoheni, atje. Jo, jo, jo … janë kocka të zhveshura, gjëra me zemër të thyer.”

Lydon ka qenë jashtë detyrës së tij si lider grupi, duke e kaluar pandeminë jo si këngëtar, por si kujdestar për gruan e vet, Nora Forster, e cila u diagnostikua me alzhimer në vitin 2018. Është i martuar me trashëgimtaren e një shtëpie botuese gjermane, që nga viti 1979, dhe që atëherë për shumicën e kohës kanë jetuar në Los Anxhelos. Forster është nëna e Ari Upit, këngëtares së grupit punk, The Slits, e cila vdiq në vitin 2010; John dhe Nora u bënë kujdestarë të djemve binjakë të Upit, në vitin 2000 …

“Izolimi e shkatërroi shpirtin e Noras”, thotë Lydon. “Ka qenë gjithmonë shumë e shoqërueshme, kështu që nuk mundte ta kuptonte pse askush nuk po i vinte vërdallë, dhe ata pak që vinin duhej të mbanin maska në fytyrë. Ishte shumë keq. Por, është shumë më mirë për momentin. Familja ime është me të tani; kemi një bashkim të vogël e të bukur. E gjithë puna është të mos e lini kurrë të ndihet e vetmuar.”

Nëse këto nuk janë fjalët që do të prisnit t’i dëgjonit nga ish-punkeri i ashpër i njohur si Johnny Rotten, atëherë ndoshta nuk po i kushtoni vëmendje të mjaftueshme muzikës së tij. “Nuk mund t’i shkruash këngët që bëj unë, pa pasur konsideratë për njerëzit tjerë. Mediat në atë kohë i shihnin gjërat e mia si të neveritshme – për këtë punë, për atë dhe tjetrën … jo, jo, jo, jo, të gjitha janë nga pikëpamja e empatisë”.

Lydon është keqkuptuar për pjesën më të madhe të jetës. Në shkollën katolike në veri të Londrës, u detyrua të shkruante me dorën e tij më të dobët të djathtë dhe, përkundër dashurisë së tij për të lexuar dhe për të shkruar, nuk parashikoi ndonjë fitim nga kjo. Ishin të kufizuara rrugët e karrierës për djalin e klasës punëtore, të emigrantëve irlandezë, dhe ai u mbyll si nga ndrojtja, ashtu edhe nga një periudhë e meningjitit që për disa vjet e fshiu kujtesën e tij. Nuk ishte kushedi çfarë fëmijërie. “Isha i sëmurë për pjesën më të madhe, pastaj shkova nga sëmundja në punë, në Sex Pistols – nuk kisha kohë për argëtim”, thotë ai.

A nuk ishte kënaqësi të jesh në Sex Pistols?

Në pak më shumë se dy vjet, Lydon, së bashku me Steve Jones, Paul Cook, Glen Matlock – dhe më vonë, zëvendësuesin e Matlock Sid Vicious – publikuan albumin përcaktues të punkut, “Never Mind the Bollocks, Here’s the Sex Pistols”, që shkaktoi bujë kombëtare duke sharë drejtpërdrejt në televizionin “Today” në shfaqjen televizive me moderatorin Bill Grundy – dhe duke e përmbysur jubileun e argjendtë të Mbretëreshës me himnin e tyre antikombëtar, “God Save the Queen”. Kryesorja, i treguan një brezi të tërë se nuk duhej të kënaqeshin me jetën e planifikuar për ta. Me siguri, e gjithë kjo mund të ketë qenë paksa qesharake?

“Jo, ishte shumë e ethshme”, thotë Lydon. “Shumë e kondensuar në një hapësirë kaq të shkurtër kohore. Dhe, ishte shumë e vështirë të merresha me grupin sepse ata ishin kaq indiferentë ndaj meje. Nuk kuptonin çfarë po bëja – ose nuk ua ndiente”.

Lydon ishte vetëm 19 vjeç kur u pa në “Kings Road” në Çelsi, i veshur me një bluzë të grupit Pink Floyd me mbishkrimin e tij sipër, “I urrej”. U prezantua shpejtë me pjesën tjetër të grupit nga menaxheri i Pistols-ave, Malcolm McLaren. Lydoni nuk e kishte asnjë plan të futej në muzikë, por e shfrytëzoi mundësinë kur ajo i erdhi. “Grupi nuk ishte shumë i aftë, gjë që e bëri punën më të lehtë”, thotë ai, me buzëqeshje djallëzore. “Një rimë e turpshme mund të shkojë shumë mirë me një notë të keqe. Por, ata kurrë nuk i kushtuan rëndësi teksteve, kështu që e kisha dorën e lirë”.

Gjërat po bëhen veçanërisht të turbullta, në këtë moment, mes Lydonit dhe ish-shokëve të tij të grupit – kjo për shkak të mini-serialit “Pistol” të realizuar për “Disney” nga regjisori Danny Boyle, bazuar në kujtimet e Jonesit, “Lonely Boy”. Lydon thotë se ai ishte përjashtuar tërësisht nga procesi dhe, pasi e humbi një betejë ligjore mbi kontrollin e muzikës së grupit, nuk ishte në gjendje të japë veto për asnjë prej vendimeve të marra nën emrin Sex Pistols. Është shumë i mërzitur që grupi që dikur kërcënonte ta rrëzonte gjithë establishmentin, ra në shtrat me “Disney”-in.

“Vdiq gjithçka kundër së cilës kemi rezistuar. Të vetmen gjë që kishte vlerë në jetën tuaj, do ta ulni atë sepse doni ekstra më shumë? Nuk ka shumë qenie njerëzore”.

Siç tregon Lydon, grupi mbajti gjithçka fshehtë prej tij, derisa e kuptuan se ishte në momentin më të dobët duke u kujdesur për Noran. “E zgjodhën momentin e duhur për të ta futur thikën. Pika ime më e dobët. Nuk mund të fokusohesha në këtë marrëzi”.

Lydon nuk ka parë ende asgjë pos trailerit të “Pistol”, dhe nuk i bëri përshtypje.

“Është karaoke, me të vërtetë. Zërat, mënyra se si flasin … tingëllon si një grup fëmijësh … të gjithë duke e diskutuar fatkeqësitë e fundit! Nuk është asgjë! Është shumë aut”.

Danny Boyle, kohët e fundit për “Guardian” tha: “Nuk dua që [Lydon] ta pëlqejë – dua që ai ta sulmojë.”

“Oh, sa ultë prej tij”! Lydoni kundërsulmon. “Është e neveritshme, me të vërtetë. Si mund të jesh i sinqertë kur nuk e përfshini liderin kryesor që i shkroi ato këngë dhe iu desh t’i merrte grushtet, shqelmat dhe qortimet publike”?

Me shprehjen e tij të paimitueshme në vokale dhe me tekstet që ekspozuan rënkimin e Britanisë së viteve 1970, Lydon ishte shkëndija e gjeniut që i bëri me nam Sex Pistols-ët. Por, ndoshta gjëja më befasuese në karrierën e tij është se gjatë asaj gjysme të dytë pjellore të dekadës, e ndryshoi muzikën popullore jo një herë, por dy herë. Në vitin 1978, në të njëjtin vit që Pistols u ndanë, e formoi grupin Public Image Ltd (PiL) me Keith Levene, Jah Wobble dhe Jim Walker, me të cilët e publikoi albumin e tyre debutues, “Public Image: First Issue”. Një vit më vonë erdhi Metal Box, një përplasje konfuze dhe e pakëndshme e kitarave, linjave të basit dhe atmosferave shpellore që ishte dokument bazik për revolucionin post-punk.

“Dhe, ju mendoni se nëse e bëni një film për një djalë të tillë, do të donit të flisnit me të”, thotë ai, duke mos vazhduar më për këtë. “Por, është aty ku janë gjërat e vërteta. U futa në emocione të vërteta dhe këngët u bënë gjithnjë e më personale – mes grupit dhe publikut. Ishte rreth kërkimit të së vërtetës … dhe kjo është gjë e vështirë. Me PiL ka këngë për vdekjen e nënës sime, të babait tim … këto janë tragjedi, vërtetë të vështira për t’u përballuar. Por, është publiku që më shikon drejtpërdrejt në sy, më thotë se kanë përvoja të ngjashme dhe se dhimbja po kuptohet dhe se po vlerësohet për ndershmërinë. Kjo është arsyeja pse unë them se PiL është si një kishë, por pa fe, pa Zot.”

Teksa Lydon është në turne në Mbretërinë e Bashkuar, vëllai dhe kunata e tij do të kujdesen për Noran. Ai thotë se përvoja e tij e humbjes së kujtesës e ka ndihmuar t’i kuptojë nevojat e saj. “E di frikën e izolimit. E di se si është të jesh plotësisht i frikësuar dhe të mos dish se ku je. Dhe, kështu e di si ta trajtoj atë. Ajo që më frikësonte ishin të huajt që vinin duke dashur të më përqafonin nga dhimbja. Ishte e tmerrshme; e bëri gjithë këtë edhe më të dhimbshme. Jo. Unë thjesht shikoj në sytë e saj dhe ajo do të më gjejë kur do të jetë gati dhe kjo do të na bëjë bashkë. Mos u thoni ta bëjnë këtë, të bëjnë atë dhe mos shtroni pyetje … lërini ta zgjidhin. Asnjëherë mos lejoni që dikush të mendojë se është vetëm – është emocioni më i keq nga të gjithë”.

Është prekëse ta dëgjosh duke folur për Noran dhe gjërat që diagnozën e saj e kanë bërë më të durueshme – të dy duke kërcyer, duke qeshur me programet e vjetra komike, madje duke parë së bashku shfaqje fantazmash (“E dini, kllounët vrapojnë nëpër bodrume, me pishtarë … hahaha!”). Paraqitja e tij e fundit publike ishte në versionin amerikan të “Këngëtarit të maskuar”. “Doja të shihja nëse ia qëllon, dhe ia doli. Tha, ‘Johnny, je ti!’ Ishte një nga përvojat më të mira të jetës sime: sa shpërblyese ta dëgjoja të fliste në atë mënyrë dhe ta pengoja fikjen e saj”.

Ai shton: “Nëse e drejton dikë në një qoshe, ai humbet nga trishtimi i plotë. Nuk mund të lejoja që kjo t’i ndodhte Noras – apo dikujt tjetër, me të vërtetë. Gjatë gjithë jetës sime nuk mund ta duroj mendimin se dikush vuan”.

Cili mendon se është sekreti për të pasur një marrëdhënie kaq të gjatë?

“Ndershmëri pa maskë”, përgjigjet, menjëherë. “Herën e parë që u takuam, ishim në fyt të njëri-tjetrit, duke i kërkuar të metat … gjetëm një bazë të madhe të përbashkët në këtë, sepse shpërthyem së qeshuri. Sa më e egër të jetë fyerja, aq më shumë argëtohesh, kështu që e çojmë këtë në nivele absurde”.

Cila është gjëja më e keqe që ajo ia ka thënë ndonjëherë?

“Oh, ti je vërtet i mirë. Si ia del me këtë”. Shpërthen në të qeshura.

Sigurisht, po flasim rreth kohës së jubileut të platinit të Mbretëreshës. Dyzet e pesë vjet më parë, Lydon i këndonte vargje e tilla si: “Dhe figura jonë / nuk është ajo që duket”. Këto ditë pohon se është adhurues i madhërisë së saj. Në fakt, thotë se ka qenë gjithmonë. “Si qenie njerëzore, si person.”

Edhe pse “God Save the Queen” e thotë pikërisht të kundërtën: “Ajo nuk është qenie njerëzore”?

“Por, bëhej fjalë për zyrën e Mbretëreshës. Më vjen keq për këtë, por pas gjithë atyre ekraneve shtetërore është një person dhe ajo ia ka dalë me guxim dhe për mrekulli, për mjaft kohë, të përmbajë ekseset e asaj, që do të thotë diçka mbretërore. Tani është afër fundit dhe plaka e gjorë do të vdesë e pakënaqur, kështu që unë ia dërgoj asaj dashurinë time si person”.

Ta dëgjosh tani, duket se janë keqkuptuar shumë nga pikëpamjet e Lydonit si pjesë e Sex Pistols.

“Nuk mund të bëja gjë nëse shtypi donte të kthente gjithçka në fitim të ndyrë, gjëra të ndyra”, thotë ai. “Ironia ishte: ata na urrejnë, ndaj le ta vazhdojnë me këtë, ta hanë veten të gjallë me xhelozi dhe përbuzje. Çka ishte kaq tronditëse? Djaloshi i klasës punëtore ka këndvështrim? Duhet të ndalet”!

Në atë kohë, Lydon thotë se ndarja më e madhe në shoqëri ishte midis klasave dhe ai e vlerëson punkun se këtë realitet e prishi. Në ditët e sotme, sipas tij, ndarja e vërtetë ka të bëjë me politikën. “Nuk ka mirëkuptim, nuk ka empati për këndvështrim tjetër. Nuk ka vend për të qenë individ. Interneti i ka bërë njerëzit kaq të paqëndrueshëm! Kjo është arsyeja se pse është e lehtë për mua të them: ‘Më pëlqen Trumpi’ dhe të pres të shoh se si shkon kjo”.

Vitet e fundit, Lydon i ka zhgënjyer disa adhurues me entuziazmin e tij për ish-presidentin; madje ka shkuar aq larg sa ka mbajtur kapele me mbishkrimin “Bëje Amerikën sërish të madhe”. Pra, a e bëri vetëm për t’i tronditur të tjerët?

“Është ky element aty, po”, pranon ai. “Do të isha budalla të mos gjeja kënaqësi në këtë”. Por, duket se ai me të vërtetë e admiron Trumpin, duke përmendur një listë të arritjeve të tij, shumicën e të cilave me dashamirësi mund ta përshkruani si “për debat”, përpara se lidhja papritur të shkëputet, për të gjetur një mënyrë për ta rikthyer atë.

Kur u lidhëm me telefon disa ditë më vonë, pothuajse do të doja të mos e kisha bërë këtë. Nuk është se Lydon është i turpshëm për mendimet e veta, ose se e ka humbur aftësinë për t’i thënë ato me përbuzje përvëluese. Është se ato janë kryesisht jokoherente.

Pra, po, Lydon ende e mbështet Trumpin. Por, ai e cilëson kryeministrin tonë trumpian si “arush pelushi” i cili nuk mund të bëjë asgjë. Pastaj, bën një kthesë tjetër duke goditur me stilin xhonsonian për patriotizmin dhe problemet e tij me “’Jetët e zeza kanë rëndësi’, ‘Zgjimi’, dhe të gjitha këto – duke krijuar probleme që me të vërtetë ishin pothuajse gjysmë-inekzistente”.

Mbi të gjitha, thotë më pas, nuk ka fare problem me luftën për të drejtat e transgjinorëve – “fantastike. Nëse si i rritur keni arritur në këtë përfundim, atëherë janë të gjitha mundësitë të keni të drejtë” – përpara se të vazhdonte me një histori zbavitëse, por krejtësisht të gabuar nga rinia e vet. “Më kujtohet se kur isha adoleshent, shkova te mjeku sepse një nga thithkat e mia, e majta, ishte pak e fryrë dhe më kapi paniku, mendova se po më rriteshin cicat. Dhe, tani mendoj se si në duart e një doktori të gabuar, kjo mund ta kishte ndryshuar të ardhmen time … mund të isha Joan Rotten, nga një diagnozë e gabuar”!

Fillova t’i them se nuk funksionon kështu, por ai tani është në tangjente tjetër: rënia kognitive e Joe Bidenit, pse nuk duhet t’i heqim pasazhet raciste nga letërsia e vjetër, urrejtja e tij ndaj epokës së viteve 1990 të “fuqisë së vajzave” … Ky, mendoj, është personi klasik i Johnny Rottenit, duke e pështjellur audiencën e vet, një akt aq i vjetër sa koha e tij. Duket e kotë të hysh në debat për diçka nga këto. Në vend të kësaj, mendoj se si u bë e mundur telefonata pasuese: Lydoni po flet nga dhoma e tij e gjumit, ku ka vendosur një video-monitor që të mund ta ketë njëri sy te Nora. “Ajo nuk e kupton se me kë po flas teksa e mbaj telefonin në dorë, e kuptoni”, thotë ai, përpara se të shtojë: “Nuk është aq keq sa mendoni. Nuk më pëlqen trishtimi. Jam i lumtur që ajo është atje dhe po frymon dhe se personaliteti i saj natyror po shkëlqen”.

Këtu, dyshoj unë, është vendi ku banon John Lydoni i vërtetë. Pjesa tjetër, siç thonë, është vetëm zhurmë. /Telegrafi/