LAJMI I FUNDIT:

Dyshimet për keqpërdorimin e rezervave shtetërore – dështon për të shtatën herë konstituimi i Komisionit Hetimor Parlamentar

Dyshimet për keqpërdorimin e rezervave shtetërore – dështon për të shtatën herë konstituimi i Komisionit Hetimor Parlamentar

Ka dështuar për të shtatën herë më radhë konstituimi i Komisionit Hetimor Parlamentar, lidhur me menaxhimin e rezervave shtetërore, për shkak të bojkotit nga ana e deputetëve të mazhorancës.

Kryetari i këtij komisioni nga radhët e PDK-së, Rashit Qalaj u shpreh se deputetët e mazhorancës në këtë rast të LVV-së, po e bojkotojnë me qëllim këtë komision.


“Sot është tentativa e shtatë për konstituimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për hetimin e dyshimeve lidhur me keqpërdorimin e rezervave shtetërore. Po e shihni se edhe pas shtatë tentative deputetët e LVV-së po e bojkotojnë punën e këtij komisioni me qëllim në mënyrë të planifikuar me qëllimin që të gjitha ato dyshime për keqpërdorime mos të dalin në publik dhe mos të njoftohen qytetarët e Kosovës”, tha Qalaj.

Ai shtoi se deputetët e partive opozitare pjesë e këtij komisioni janë konsultuar mes vete dhe kanë përpiluar një listë të personave që kanë planifikuar t’i thërrasin për të raportuar në këtë komison, shkruan Telegrafi.

“Pra në planet tona ka qenë të ftohet kryeministri dhe të na jap llogari se pse në mënyrë të njëanshme në mbledhjen e qeverisë mori vendimin për ndarjen e mjeteve në vlerë 10 milion euro… ka qenë në rend që të ftohet edhe zv.kryeministri Besnik Bislimi, ministrja Rozeta Hajdari, në plan kemi pasur ta thërrasim edhe Ridvan Muharremin pronarin e furrës “Bukë e Zemër” që është arrestuar nën dyshimin për keqpërdorime, me rastin e blerjes së rezervave shtetërore”, tha Qalaj.

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili u shpreh se Prokuroria duhet t’i intervistojë deputetët e LVV-së lidhur me dyshimet për keqpërdorim të rezervave shtetërore.

“Unë përtej të gjithë akterëve që kanë qenë implikuar drejtpërdrejtë në çështjen e rezervave shtetërore, shpresoj që Prokuroria t’i marrë në pyetje edhe anëtarët e këtij komisioni të cilët nuk po vijnë. Po e them për arsye se përtej faktit që kemi imunitet funksional, imuniteti funksional nuk tejkalon pjesën e përfshirjes potenciale në afera penale”, tha ajo.

Kica-Xhelili u shpreh se ku e kanë hallin deputetët e LVV-së që nuk po marrin pjesë në këtë komision.

“Nuk e di ku e kanë hallin që spo vijnë, a e kanë që dinë diçka më shumë se ne, a e kanë që janë në një formë apo tjetër bashkëkryerës të veprës penale në fjalë”, u shpreh Kica-Xhelili.

Deputetja e LDK-së më tej shtoi se kanë pranuar indikacione se po ushtrohet presion ndaj personave që është menduar se do të bashkëpunojnë me këtë komision, shkruan Telegrafi.

“Pas shfaqjes së këtij rasti kemi pranuar indikacione të shumta që ky është vetëm një rast i keqpërdorimit të rezervave shtetërore. Kemi indikacione se po ushtrohet presion i jashtëzakonshëm te secili person që ka menduar apo është dyfishuar që mund të bashkëpunoj me këtë komision”, deklaroi Kica-Xhelili.

Ajo u shpreh se duhet të mendojnë një alternativë tjetër, meqë ky komision nuk po arrin të konstituohet. “Të kërkojmë komision të ri hetimor parlamentar për të gjitha kontratat njëburimore”, tha ajo.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj u shpreh se me mospjesëmarrjen e tyre, deputetët e LVV-së po duan t’i ikin një të vërtete.

“Është hera e shtatë që nga mazhoranca injorohet ky komision hetimor. Ata duan që t’i ikin një të vërtete, një hajnie një procedure që nga fillimi ka një emërues të përbashkët e ajo është puro hajnia në rezervat shtetërore.

Kemi shkelje të procedurave, është e vërtetë që kjo nuk është e vetmja hajni nëse i marrim tenderët njëburimor në vlerë prej 75 milionë euro kanë zhvilluar procedura njëburimore të drejtpërdrejta duke anashkaluar ligjin e Prokurimit Publik.”, tha Lekaj.

Lekaj shtoi se është keq që të bëhet kaq shumë hajni nga ata që kauzë e kishin luftimin e korrupsionit.

“Nuk besoj që kemi pasur qeveri më të dështuar dhe më korruptive”, tha ai.

E pas këtyre deklarimeve, kryetari i këtij komisioni Rashit Qalaj mbylli punimet duke thënë se do ti adresohen Kryesisë së Kuvendit për këtë problematikë, dhe e njëjta të vendos për hapat e mëtutjeshëm. /Telegrafi/