Dymbëdhjetë vende, përfshirë Britaninë, Kanadanë dhe Francën, thanë të martën se do të vendosin sanksione mbi tregtinë me vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor, pas rritjes së sulmeve nga kolonët izraelitë kundër fshatrave palestineze në territorin e pushtuar.

Danimarka, Finlanda, Islanda, Irlanda, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Spanja dhe Suedia gjithashtu planifikojnë të kufizojnë tregtinë me vendbanimet, thanë ministrat e jashtëm të vendeve në një deklaratë të përbashkët, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.


Irlanda dhe Spanja kanë marrë tashmë masa kundër tregtisë me vendbanimet izraelite, dhe Franca ka javë që po shtyn për një vendim të ngjashëm nga Bashkimi Evropian, partneri kryesor tregtar i Izraelit, por është bllokuar nga disa anëtarë.

"Veprimet e qeverisë së Izraelit në Bregun Perëndimor po minojnë mundësinë e një zgjidhjeje me dy shtete", kanë thënë 12 ministrat, duke iu referuar një plani sipas të cilit dy shtete - një izraelit dhe një palestinez - do të jetonin në paqe “krah për krah” me njëri-tjetrin.

"Situata po përkeqësohet me shpejtësi mes niveleve të papara të dhunës së kolonëve dhe zgjerimit të vendbanimeve", paralajmëruan ata.

“Qeveria e Izraelit duhet të ndalojë menjëherë zgjerimin e vendbanimeve dhe të fuqive administrative civile, të sigurojë llogaridhënie për dhunën e kolonëve dhe të hetojë akuzat kundër forcave izraelite”, shtuan ministrat.

Ministrat thanë se 12 vendet “konfirmojnë qëllimin e tyre për të futur kufizime kombëtare dhe/ose për të mbështetur kufizimet evropiane në tregtinë e mallrave me vendbanime që janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar, ose se po i shqyrtojnë në mënyrë aktive këto dhe masa të tjera, në përputhje me procedurat e tyre kombëtare”. /Telegrafi/