Dy futbollistët e Kosovës, Lindon Emërllahu dhe Meriton Korenica, po shkëlqejnë me paraqitjet e tyre te Cluji, duke u bërë ndër lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës rumune.

Forma e tyre e mirë nuk ka kaluar pa u vënë re, pasi sipas raportimeve të mediumit rumun ProSport, për ta ka shprehur interesim një klub nga MLS, konkretisht DC United.


Sipas ProSport, vëmendja më e madhe është drejtuar te Meriton Korenica, i cili ka impresionuar drejtuesit amerikanë me kualitetet e tij.

“Zyrtarët e klubit të ligës MLS i pëlqejnë kualitetet fizike dhe teknike të 28-vjeçarit, të cilin e shohin si opsion për ta transferuar në afatin kalimtar dimëror”, shkruan mediumi rumun.

Korenica iu bashkua Clujit në verën e vitit të kaluar dhe këtë sezon ka pasur një ndikim të madh në skuadër, duke shënuar gjashtë gola dhe duke dhuruar shtatë asistime në 24 paraqitje në të gjitha garat.

Në rast se DC United ndërmerr hapin për të nënshkruar me mesfushorin kosovar, Cluji pritet të përfitojë një shumë të konsiderueshme financiare, për shkak të formës së tij dhe ndikimit në ekip.

Nga ana tjetër, pronari i Clujit, Nelutu Varga, ka deklaruar se nuk është i informuar për ndonjë ofertë konkrete.

“Sinqerisht, nuk e di. Jam në Dubai dhe nuk më është thënë për këtë asgjë”, u shpreh ai.

Interesimi i DC United vjen në një moment kur si Korenica, ashtu edhe Emërllahu, po tregojnë rritje të vazhdueshme dhe po tërheqin vëmendjen e klubeve jashtë Evropës./Telegrafi/

telegrafi sport app