Dy persona nën hetim për marrje shpërblimi për ndikim të paligjshëm

Nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit njoftojnë se është dhënë urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër dy personave të dyshuar për veprën penale “marrje e shpërblimit për ndikim të paligjshëm”.
Prokuroria njofton se të dyshuar janë një polic gjyqësor dhe një postier nga Gjykata Penale në Shkup, të cilët nga gushti 2025 deri më 7 prill 2026 kanë marrë drejtpërdrejt shpërblim prej 500 euro dhe 60.000 denarë nga një dëshmitar, për ndërmjetësimin e policit gjyqësor në gjykatat më të larta, me qëllim që të sigurohet një vendim lirues.
“Dëshmitari, i cili kishte paraqitur ankesë kundër një vendimi të shkallës së parë me të cilin ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me një vit burg, përmes një fqinji ka hyrë në kontakt me të dyshuarin dorëzues, i cili e ka drejtuar te polici gjyqësor si person që mund të ndërmjetësojë. Polici gjyqësor është prezantuar si person që prej shumë vitesh punon në gjykatë dhe ka lidhje me gjyqtarë në të gjitha shkallët, dhe se mund të ndikojë që vendimi të ndryshohet në lirues. I bindur në ndikimin e tij, dëshmitari gjatë vitit 2025 i ka dhënë dorëzuesit 500 euro, me qëllim që ato përmes policit gjyqësor t’i dorëzoheshin një gjyqtari në Gjykatën e Apelit në Shkup, i cili do të merrte një vendim lirues”, njofton PTHP.
Gjatë vitit 2026, dëshmitari i ka paguar të dyshuarit, polic gjyqësor, 30.000 denarë si shpërblim për ndërmjetësimin. Pasi Gjykata e Apelit në Shkup e ka konfirmuar vendimin e shkallës së parë, dëshmitari përmes avokatit të tij ka paraqitur mjet të jashtëzakonshëm juridik në Gjykatën Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Më 7 prill 2026, dëshmitari i ka dhënë të dyshuarit polic gjyqësor edhe 30.000 denarë si shpërblim për ndërmjetësim të supozuar para gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, që duhet të vendosnin në procedurë.
“Duke vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, prokurori publik i ka paraqitur gjyqtarit të procedurës paraprake një propozim që është pranuar pjesërisht. Me vendim të gjykatës, të dyshuarit polic gjyqësor i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, ndërsa dorëzuesit i është caktuar arrest shtëpiak. Për këtë vendim, prokurori i çështjes ka paraqitur ankesë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.




















































