Drejtoria e Arsimit në Prishtinë obligon shkollat të mundësojnë prezantimin e teksteve nga shtëpitë botuese të licencuara


Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës ka njoftuar se, në kuadër të procesit të përzgjedhjes së teksteve shkollore, të gjitha institucionet arsimore në kryeqytet janë të obliguara t’u mundësojnë shtëpive botuese të licencuara nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë prezantimin e botimeve të tyre në ambientet e shkollave.
Sipas njoftimit, ky proces ka për qëllim që mësimdhënësit dhe aktivet profesionale të kenë mundësinë të njihen nga afër me tekstet shkollore, përmbajtjen e tyre dhe qasjen metodike që ato ofrojnë.
“Në kuadër të procesit të përzgjedhjes së teksteve shkollore, të gjitha shkollat e Kryeqytetit obligohen t’u mundësojnë shtëpive botuese të licencuara nga MASh prezantimin e botimeve të tyre në ambientet e shkollës”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Arsimit.
Tutje, theksohet se qëllimi i këtyre prezantimeve është që procesi i përzgjedhjes së teksteve të zhvillohet në mënyrë sa më transparente, profesionale dhe të bazuar në vlerësim.
“Qëllimi është që mësimdhënësit dhe aktivet profesionale të njihen nga afër me tekstet shkollore, përmbajtjen dhe qasjen metodike të tyre, në mënyrë që procesi i përzgjedhjes të jetë sa më transparent, profesional dhe i bazuar në vlerësim”, thuhet më tej.
Nga Drejtoria e Arsimit është sqaruar se prezantimet e shtëpive botuese kanë karakter informues dhe nuk përbëjnë vendim përfundimtar për përzgjedhjen e teksteve.
“Këto prezantime kanë karakter informues dhe nuk përbëjnë vendim për përzgjedhjen e teksteve. Vendimi përfundimtar merret sipas procedurave dhe kritereve të përcaktuara nga Ministria e Arsimit”, thuhet në njoftim.
Sipas afateve të përcaktuara, procesi i dorëzimit duhet të përfundojë më 9 korrik, deri në orën 18:00. /Telegrafi/


































