LAJMI I FUNDIT:

Drejtori i Aleancës Kosovare të Bizneseve dënohet me 18 muaj burgim

Drejtori i Aleancës Kosovare të Bizneseve dënohet me 18 muaj burgim

Gjykata themelore e Mitrovicës, përkatësisht, dega në Vushtrri ka dënuar Agim Shahinin, që drejton Aleancën Kosovare të Bizneseve, dhe vëllanë e tij, Skënder Shahini, me nga 18 muaj burg, por dënimi nuk do të ekzekutohet në afat prej dy vitesh nëse të pandehurit nuk kryejnë vepra tjera penale.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, datë 09.02.2017 e të cilin e posedon Klan Kosova, të dy vëllezërit kanë dëmtuar qëllimshëm Bankën TEB në Vushtrri në vlerë prej 250 mijë eurosh.


TEB banka kishte ngritur aktakuzë në Prokurorinë publike të Mitrovicës në vitin 2012 se dy vëllezërit e kishin mashtruar bankën pasi që e kishin tjetërsuar pasurinë e kompanisë së tyre “Besarti Company” që e kishin lënë peng për të marrë një kredi në vlerë prej 250 mijë eurosh.

Poashtu pala e dëmtuar që në këtë rast është TEB BANK për realizimin e kërkesës pasurore juridike udhëzohet në Kontest civil.

Agim Shahini, që drejton Aleancën Kosovare të Bizneseve, ka thënë se nuk është në dijeni për këtë vendim.