LAJMI I FUNDIT:

Dramaturgu Kristo Floqi për tezat e Cvijiqit për Kosovën si “Serbi e Vjetër”

Dramaturgu Kristo Floqi për tezat e Cvijiqit për Kosovën si “Serbi e Vjetër”
Kristo Floqi

Nga: Haqif Mulliqi

“Kosova ka qenë e akuzuar për qëndrime reaksionare karshi luftës së jugut (të Shqipërisë – plot. i H.M.)”, shkruan Ali Roka, për të shtuar se artikulli i tij, në fakt tregon se qëndrimi i Kosovës ndaj kësaj lufte ishte i kushtëzuar nga shumë faktorë. Ky artikullshkrues, i cili me qëndrimin e tij e zgjoi interesimin e studimit tek britanikët, thekson ndër të tjerat se vetë politika e ndjekur nga partizanët ishte një ndër faktorët që ka ndikuar në qëndrimet e kosovarëve, pasi që, ata, pra partizanët, kishin për qëllim zhdukjen ose shfarosjen e Kosovës dhe kthimin e dominimit serb. “Kosovarët kanë vuajtur më shumë se ç’mund të paramendohet”, shkruan Roka, “Ata ua shtrinë duart fqinjëve të vetë, por këta i qëlluan, ndaj dhe është shumë i natyrshëm reagimi i tyre”, shkruan Roka për të shtuar se, po ta vinte në sprovë jugu vëllazërinë kosovare, ata do të befasoheshin se çka mund të bënin kosovarët për ta.


Në vazhdim të këtij artikulli do të sjellim një shkrim jashtëzakonisht interesant të komediografit të shquar shqiptar Kristo Floqit, gjegjësisht një polemikë e tija me tezat e Jovan Cvijiqit, profesorit hegjemonist të Universitetit të Beogradit i cili ndërtoi me dhjetëra dhe dhjetëra teza dhe doktrina të rrejshme mbi atë se si Kosova është “djep i Serbisë”, apo edhe “Serbi e Vjetër”.

Ja se si fillon ky shkrim i Floqit, që është i radhitur si artikulli “M” i dosjes britanike të Foreign Office-it, që mban titullin: A është Kosova Serbi e Vjetër?

“Serbët dhe kroatët e pushtuan Ballkanin e me këtë edhe Shqipërinë rreth vitit 640 të erës sonë”, shkruan ky autor. Ata erdhën në Kosovë e cila ishte e banuar nga shqiptarët, pjesëtar të fisit dardan. Gjatë historisë, ky territor u sundua nga serbët dhe nga shqiptarët, por elementi shqiptar ishte origjinal (vendas), ndërsa elementi sllav, siç e dëshmon edhe vetë historia, erdhi më vonë”, shkruan Floqi.

“Emri ‘Serbi e vjetër”, shton ky autor, “është i trilluar nga prof. Cvijiqi dhe nuk haset në asnjë vepër përveçse në veprën e tij. Historiani tjetër serb, Vuk Karaxhiq, i cili ka udhëtuar nëpër Kosovë dhe i cili kishte njohuri të dorës së parë për këtë vend dhe këtë popull, këtë vend e quan Kosovë e jo Serbi e Vjetër”, konstaton Floqi.

“Një shkrimtar tjetër, bullgar, Dr. Ichirkoff (emri mund të jetë i pasaktë pasi që në dokument është shkruar në anglisht e jo sipas origjinalit – vr. E H.M.), në veprën e tij ‘Etudde ethnologichues sur les slavs de Macedonie’, këtë vend e quan Kosovë e jo Serbi e Vjetër’. Pas luftës ruso-turke, më 1878, u revizuan kufijtë e Gadishullit Ballkanik, mirëpo asgjëkund nuk haset termi Serbi e Vjetër, i aplikuar për Kosovën, por vetëm emërtimi Kosovë”.

“Edhe hartat e Kiepertit asnjëherë nuk e kanë përdorur termin Serbi e Vjetër, kur flitet për Kosovën. Në të gjitha statistikat e mbajtura nga Perandoria Otomane”, thekson Floqi, “është përdorur emri Kosovë për këtë regjion. Në të gjitha korrespodencat e ambasadorëve të huaj përdoret vetëm emri Kosovë, jo Serbi e Vjetër. Në të gjitha gjeografit e vjetra serbe, ekskluzivisht përdoret emri Kosovë, ndërsa atë Serbi e Vjetër nuk e hasim asnjëherë. Në veprën e G. Verdenit (diplomat francez) për Maqedoninë, kurrë nuk është përdorur emri Serbi e Vjetër, por gjithnjë është përdorur Kosovë.

Në fjalorin e madh historiko-gjeografik të Ahmet Rifat Pashës (Grand Dicionare Historique e Geographique -1884), asnjëherë nuk haset termi Serbi e Vjetër, por vetëm Kosova. Në koleksionin e hartave të quajtura ‘Nona Europae Tabula e Decima Europae Tabula’, të botuar në Romë më 1940, botuar në veprën e Ptolemitit, termi Serbi e Vjetër nuk përdoret asnjëherë kur flitet për këtë territor, por vetëm termi Kosova. Kjo që vijon është lista e hartave të cilat dëshmojnë se Kosova, gjithmonë është quajtur Kosovë e kurrë ‘Serbi e vjetër’, dhe se Kosova ka qenë gjithmonë shqiptare:

  1. Theatrum orbis terrareumm sive atlas novees paro tertia, nga Guillaume dhe F. Blaeu, Amsterdam 1650.
  2. Mercuric geographico, nga G. Rossi, Romë 1674
  3. Troisiome partie de la carte d’Europe, Auville 1760
  4. Nuovo atlante geographico universale, Causini 1792
  5. European Domination of the Ottoman or Turkey in Europe nga W. Fadeni, Londër 1795
  6. Karte von dem Osmanischen Reiches ih Europa, nga Franz von Kelly, Vienë 1769
  7. Imperii Osmani sive turcici Europae Tabula ad norman recentessimarum observbationum conciuata Samitibus, botuar nga John Walka, 1979
  8. The European Map, nga A. Arroësmith, Londër
  9. Care de la Turquie en Europe en 15 feuilles, nga p. G. Chaulaire, 1800
  10. Atlanto Veneto, 1694

Përveç kësaj, Pjetër Bogdani, arqipeshkvi i Shkupit, në një letër të shkruar më 10 shkurt 1675, përmend këtë territor duke e quajtur Kosovë, jo Serbi e Vjetër.

Dy shkrimtarët serb, V. Karaxhiq dhe Ivan Raiq kurrë nuk e quajtën këtë territor Serbi e Vjetër në veprat e tyre (ata kanë shkruar më 1887 dhe 1794). Bile, edhe Vladimir Ivanoviqi, një përkrahësi i flaktë i pansllavizmit në Ballkan, në librin e tij ‘Les Sebes et la mision l’Europe de la serbie fans Europe d’Orient’, Bosnjën dhe Hercegovinën e quan Serbi e vjetër, kurse Kosovën e konsideron Shqipëri. Këtë e konfirmon edhe bashkëvendësi i tij Dimitrije Stefanoviq”, shkruan Kristo Floqi në studimin e tij mjaft informativ dhe kurioz për britaniket.

“Edhe Pougueville”, shkruan më tej Floqi, “ambasadori francez te Ali Pasha i Janinës, në veprën e tij ‘Voyage en Moree, a Constantinopole, et en Albanie 1865’, por edhe Boue, shkrimtari francez, në librin e tij ‘Redull d’itineraires fans la Turquie d’Europe 1884’, pohojnë se Kosova është plotësisht shqiptare dhe kurrë nuk e quajtën atë Serbi e Vjetër. Të gjithë këto argumente të dokumentuara që dëshmojnë se Kosova është shqiptare janë prova të mjaftueshme për të kënaqur edhe studentin më skeptik dhe më kritik të historisë”, shkruan Floqi.

“Është evidente”, shton ky autor, “lakmia për pasurinë e te tjerëve në veprën e prof. Cvijiqit, lakmi e cila e udhëheq gjykimin e tij, gjer në atë masë, saqë e bënë atë të verbër dhe qesharak. Shumë truqe kanë përdorur serbët për të marr Kosovën dhe për të çrrënjosur elementin shqiptar, por, fakti se këtë nuk e arritën është një argument me shumë që shpie drejt të konkluduarit e vërtetë se Kosova ka qenë dhe është shqiptare.

‘Dashuria e ujkut të vjetër ndaj qengjit’, shtrembëron madje edhe të vërtetën më evidente historike duke e turpëruar historinë dhe pasionin e shkencëtarit për objektivitet, duke përdorur terma të tillë të shëmtuar siç është ai Serbi e Vjetër”, përfundon komediografi i shquar shqiptar, Kristo Floqi, në polemikën e tij me shkencëtarin serbe Jovan Cvijiqi rreth emërtimit të vërtetë të Kosovës.