LAJMI I FUNDIT:

Dr. Bujar Gjikolli: Radiologjia po e gjen vendin e merituar në shoqëri

Dr. Bujar Gjikolli: Radiologjia po e gjen vendin e merituar në shoqëri

Klinika e Radiologjisë ka një traditë relativisht të gjatë. Këtu orientohen pacientët për të vijuar procedurat diagnostikuese mjekësore dhe për të zbuluar sëmundjet e tyre. Në krye të saj, është dr. Bujar Gjikolli

Dashurinë ndaj mjekësisë e bartë që nga fëmijëria, ndërkaq sot e kultivon në praktikë me pasion e zell të pashoq.


Është kënaqësi të bisedosh me një personazh i cili reflekton pozitivitet duke dhuruar buzëqeshje me optimizëm në çdo moment.

Se radiologjia si shkencë dhe profesion mjekësor ka zënë vend të rëndësishëm në aplikim dhe në diagnozë, por edhe në intervenime është bërë e pashmangshme, mësoni nga kjo intervistë.

Çka ju ka shtyrë që të përcaktoheni për mjekësi duke ditur se ky profesion aq sa është human, poaq është edhe me rrezikshmëri?

Qysh në fëmijëri ne shqetësohemi për të afërmit tanë ose kur shohim pamje të njerëzve të tjerë direkt apo përmes medieve elektronike duke vuajtur dhe mos qenë në gjendje të kujdesen për vete, duke dëshiruar t’i ndihmojmë ata të kthehen në shëndet të plotë.

Me kohë, ballafaqohemi me rrethana kur prindërit tanë vuajnë dhe ne nuk kemi qenë në gjendje t’i ndihmojmë ose se mjekësia në atë kohë nuk ka qenë në gjendje t’i trajtojë ata. Kjo pastaj shndërrohet në imperativ, pa e vërejtur se jemi përcaktuar të jemi pjesë e atyre të cilët i ndihmojnë pacientët, të kontribuojmë që pacientët tjerë të kenë mundësi më të mirë të trajtohen. Për t’u arritur kjo, nga ne kërkohet të angazhohemi të mësojmë sa më shumë (të kemi suksesin maksimal në shkollë), së pari të arrijmë të japim provimin pranues e regjistrohemi në Fakultetin e Mjekësisë. Në studime mësimdhënësit tanë gjithmonë kanë kërkuar nga ne sa më shumë që të ngritemi e vlerësohemi (kam qenë bursist universitar me notë të lartë mesatare) dhe arrijmë të pajisemi me dituri për të shërbyer si pjesë e komunitetit mantelbardhë. Mirëpo, sfidat janë shumë të mëdha dhe kushtet në kohën kur kam marrë specializimin tim nuk kanë qenë të nivelit të lartë. Ambiciet për të ecur përpara, më kanë shtyrë që të shkoj për në specializim jashtë vendit me vetëfinancim, të lë pozitën që kam pasur në IOM, përkrahur me mirëkuptim nga familja dhe kam mbaruar specializimin në Sarajevë (Bosnje dhe Hercegovinë).

Rrezikshmëria është reale në secilën fazë të përgatitjes për të arritur përgatitjen, por ajo nuk mbaron me kaq, rrezikshmëria ekziston edhe në secilën fazë të punës të cilën ne e realizojmë dhe shoqëritë moderne e vlerësojnë lartë profesionin e punëtorëve shëndetësor në të gjitha format, që të ofrohet përkrahja dhe mundësia sa më e mirë që të jenë në gjendje t’u ofrojnë maksimumin pacientëve.

Pse jeni përcaktuar për radiologjinë dhe a mendoni se keni patur sinjale se posedoni me një talent për këtë degë të mjekësisë?

Gjatë rinisë sime kam kryer kursin për fotografi në Zagreb në vitin 1983 dhe në Prishtinë në vitin 1984, nëse tani mund t’i quajmë sinjale. Jam marrë me fotografi në shkollën fillore dhe të mesme, poashtu, por gjatë studimeve përkundër faktit se kam marrë notën 10 në provimin e radiologjisë, nuk është se kam pasur synime të bëhem radiolog. Jeta të sjellë rrethana interesante dhe në vitin 2000, si zyrtar i lartë i IOM (International Organization for Migration) i ndihmoja disa shërbime në QKUK, mes tjerash edhe Klinikën e Radiologjisë. Aty u ngjallë interesimi për radiologjinë dhe mora vendimin e kyçjes në specializim. Është njëri prej specializimeve më të vështira dhe të gjëra në mjekësinë moderne, mirëpo shumë i bukur, dinamik dhe shumë atraktiv.

Puna juaj është dinamike dhe nënkupton një përgjegjësi të lartë. Sa po arrini t’u dilni në ndihmë pacientëve që kërkojnë trajtim?

Keni të drejtë. Radiologjia bashkëkohore është shumë dinamike dhe me përgjegjësi shumë të lartë për çdo veprim që bëjmë. Nga puna jonë varen edhe shëndeti i pacientëve, por edhe trajtimi i suksesshëm nga ana e mjekut i cili ka kërkuar ndihmën tonë përmes realizimit të shërbimeve tona. Ne duhet t’i përgjigjemi informatave të cilat mjeku referues i kërkon, në bazë të të cilave përgjigje, kolegu e trajton më tutje pacientin. Me angazhim dhe profesionalizëm, mundohemi t’u ofrojmë pacientëve shërbimet e kërkuara.

Sigurisht për punën që bëni merrni falënderime nga pacientët, por edhe nga kolegët profesionistë. Çfarë ndjenje është kjo për ju?

Jemi njerëz dhe ndihemi të plotësuar kur palët të cilët i kemi shërbyer janë të kënaqur dhe trajtimet janë kryer si duhet. Për ne këto falënderime janë udhërrëfyes se jemi në rrugën e duhur dhe njëherazi obligues që të vazhdojmë më tutje edhe më mirë të kryejmë punën tonë.

Ju udhëhiqni Radiologjinë, por si funksionin ky staf dhe sa jeni të kënaqur me punën e tyre?

Klinika e Radiologjisë ka personelin shumë të përkushtuar i cili po dëshmohet çdo ditë e më shumë. Me punën dhe angazhimin e tyre janë hapur shërbime të reja, janë shtuar ato ekzistuese, janë konsoliduar shërbimet duke zbatuar principet e menaxhimit modern dhe reduktuar mbi angazhimin e resurseve humane për shërbime të njëjta. Të gjitha principet e reja të implementuara bashkërisht kanë sjellur në uljen e pritjes për shërbime radiologjike për pacientët e hospitalizuar, realizimin e tyre më të mirë derisa për pacientë ambulator lista e pritjes vazhdimisht po reduktohet.

Me angazhimin e personelit të Klinikës së Radiologjisë nga 5826 kontrollime me rezonancë magnetike në fund të vitit 2018 (me 28.12.2018 kam marrë pozitën e drejtorit), personeli jonë deri në fund të vitit 2019 ka realizuar 9133 kontrollime me RM. Nga 386 kontrollime me TK angiografi në fund të vitit 2018, ka realizuar 1086 TKA deri në fund të vitit 2019. E shumë të arritura të tjera. Sigurisht që jemi shumë të kënaqur dhe krenar me personelin fantastik të Klinikës së radiologjisë të cilët janë përkushtuar të shërbejnë pacientët kosovar sa më mirë.

Radiologjia si shkencë a ka hapësirë për zgjerim e zbulim të mundësive dhe metodave të reja, përkatësisht a i ka arritur limitet e veta?

Në parim, Radiologjia si shkencë mjekësore është në tërësi e drejtuar nga zhvillimet teknologjike dhe shkencore mjekësore në kërkim të formave të reja të vizualizimit të brendisë së trupit dhe pasqyrimit të ndryshimeve patologjike në trup – pa pasur nevojë të hapet trupi. Që nga nisja e imazhimit me valë nga Wilhelm Conrad Röntgen, radiografitë kanë mbetur me vlerën e tyre në diagnostikën osteomuskulare, të organeve torakale dhe nuk është zëvendësuar, por plotësuar me metoda të reja imazherike si ultratingulli, tomografia e kompjuterizuar, rezonanca magnetike. Të gjitha këto vazhdimisht po zhvillohen dhe nuk po kanë kufij, por vetëm se po bëhen më të mira dhe më kualitative. Marrë parasysh mënyrën principet fizike se si imazhet fitohen me rezonancë magnetike, ajo teoritikisht në parim ka mundësitë e pafundme – vetëm se po hynë në detaje më të vogla dhe po rritë mundësitë e diagnostikimit më të saktë. Zhvillimet nuk do të ndalen dhe shpresoj që të jemi në situatë që të jemi në gjendje të përcjellim risitë.

Si mund të vendosë ekuilibrin radiologu midis mjekut, posaçërisht në komunikimin me pacientët dhe nevojën konstante që ta ndjekë teknologjinë?

Nevoja për balancim me teknologjinë buron nga kërkesat vazhdimisht në rritje si të pacientëve ashtu edhe të kolegëve të tjerë. Me ngritjen e kualitetit profesional të mjekëve të specializimeve tjera, rritet kërkesa për t’i shërbyer dhe plotësuar nevojat e tyre, e kjo arrihet me përdorimin e të arriturave të reja teknologjike të cilat duhet të përcjellim dhe sjellim ato në vendin tonë. Pra, e bukura e kësaj është se duhet vazhdimisht të zhvillohemi të gjithë bashkërisht.

Problem i madh i shëndetësisë, posaçërisht i degëve diagnostike të mjekësisë, janë pajisjet. Cila është gjendja në Klinikën e Radiologjisë?

Momentalisht kemi një TK 6 shtresore, një RM 1.5 T dhe 3 rëntgen aparate digjitale të digjitalizuara. Të gjitha pajisjet tjera i kemi mbi 13 vite nga prodhimi i tyre. Edhe pse janë të vjetra, aparatet e rëntgenit si nivel kualitativ për këto vite që i kemi, akoma janë më të mirat në vendin tonë. Kemi vështirësi me prishjet, por falë angazhimit dhe profesionalizmit të OE të kontraktuar për servisimin e tyre, ato rregullohen shumë shpejtë pa marrë parasysh kohën kur prishjet ndodhin (ditë apo natë).

Cili është niveli i shërbimeve të cilat njerëzit i marrin?

Ne jemi në fazën e tranzicionit, të përmirësimit të kushteve të punës, investimeve dhe të stabilizimit të shërbimeve dhe krijimit të shërbimeve të reja të cilat më parë nuk janë punuar. Klinika e Radiologjisë pas shumë viteve, me përkrahjen e menaxhmentit të SHSKUK në 2019 ka filluar renovimin i cili për fat u krye në masë të madhe para paraqitjes së pandemisë dhe na ndihmoi që personeli jonë të funksionojë në kushte më të mira dhe pa u infektuar asnjëri. Kemi sanuar rrjedhjet shumëvjeçare të rrezatimit nga kabinetet dhe tani jemi në fazën kur ato përfundimisht do të ngritën në standardet të përcaktuara me ligj, për çka është kontraktuar edhe eksperti i rrezatimit.

Së shpejti do të fillojnë punët në përmirësimin e kabineteve të cilat e shërbejnë Klinikën emergjente duke ofruar kushte të sigurta për punë dhe siguri. Kemi ndërruar në tërësi ventilimin dhe më në fund ky problem po zgjidhet në mënyrë të strukturuar në thelb. Poashtu është në proces blerja e një angiografi të ri dhe jemi në pritje të instalimit të softuerit për ndërlidhje të të dhënave të pacientëve si dhe shpresojmë që këtë vit të kryhet blerja dhe instalimi i PACS me çka do të ngritët niveli i shërbimeve në nivel bashkëkohor. Gjatë vitit 2019 kemi nisur edhe ciklin e prezantimeve të akredituara ku kanë ligjëruar edhe ekspertë nga jashtë, të cilat presim t’i vazhdojmë pas tejkalimit të pandemisë në tërësi. Kur këto kushte të sigurohen, atëherë bashkë me trajnimet e planifikuara jashtë vendit, do të kalojmë shtesë në ngritjen kualitative të shërbimeve të ofruara duke synuar zhvillimin e vazhdueshëm të Klinikës së Radiologjisë për t’i shërbyer pacientët dhe kolegët.

Listat e pritjeve janë diçka që e ngarkojnë punën tuaj të përditshme?

Faktikisht, kërkesat janë më të mëdha se mundësitë dhe për faktin se incizimet janë individuale e marrin kohë. Kjo pastaj krijon radhën e pacientëve dhe listën e pritjes. Lista e pritjes ekziston edhe në qendrat më të avancuara në botë. Ajo që Klinika e Radiologjisë me personelin fantastik ka arritur të bëjë gjatë vitit 2019, është se nga pritja njëvjeçare, e kemi sjellur atë në pritje disamujore për realizimin e imazhimit me rezonancë magnetike RM për rastet ambulatore, derisa për ata të hospitalizuar, praktikisht ajo është sjellur në zero. Repartet kanë terminet e tyre dhe sjellin pacientët sipas gjykimit të nevojave të pacientëve në klinikën e tyre dhe realizohen rregullisht.

Radiologjia është e rrezikshme për mjekët dhe pacientët? Sa janë të rrezikshme dozat e rrezatimit dhe çfarë pasojash sjellin ato?

Radiografitë, tomografia e kompjuterizuar TK dhe angiografitë digjitale subtraksionale janë metodat imazherike të cilat përdorin rreze jonizuese të dëmshme për shëndetin. Me rregullimin e kushteve të punës, personeli i cili punon në kabinetet e rëntgenit dhe TK-së, praktikisht nuk është në zonë të rrezatimit të drejtë për drejtë – siç ndodhë në angio-sallë.

Pacientët janë të ekspozuar rrezeve jonizuese në mënyrë që të shikohet brendia e tyre, mirëpo është etika dhe profesionalizmi i personelit i cili realizon këto procedura ajo që kufizon sasinë e rrezeve të përdorura në minimumin e nevojshëm për t’u arritur imazhi kualitativ i brendisë së pacientit. Rrezet jonizuese në dozat të cilat përdoren në Radiologji, nuk shkaktojnë pasoja menjëherë. Efekti kumulativ (mbledhës) i rrezatimit është ajo që të gjithë duhet të kemi parasysh dhe kërkesat të planifikohen me kujdes.

Stafi juaj përveç procedurave të rëndomta, trajton edhe pacientët me procedurën minimale invazive radiologjike. Si po arrini të menaxhoni këtë volum të punës nga pacientet në rritje?

Klinika e Radiologjisë ka personel të trajnuar dhe vazhdimisht trajnojmë të tjerë në mënyrë që të jemi në gjendje t’u përgjigjemi kërkesave të pacientëve. Ne po punojmë që këto procedura të rriten për nga numri dhe llojllojshmëria, sepse pacienti përfiton shumë nëse trajtohet me procedurat minimale invazive radiologjike, duke arritur shërimin pa e hapur trupin.

Sa arrini t’i kontrolloni emocionet duke ditur faktin se tërë ditën keni të bëni me të sëmurë dhe menaxhim të stafit tuaj?

Ne udhëhiqemi prej parimeve madhore, të ndihmojmë dhe shërbejmë pacientin sa më mirë dhe kur kjo bëhet e përbashkët, atëherë nuk ka vështirësi. Emocionet janë ato të cilat na shtyjnë të shërbejmë pacientin dhe kolegun sa më mirë që mundemi.

Sikurse në çdo profesion tjetër, edhe këtu merrni kritika, por kërkesa të paarsyeshme. Si ju përgjigjeni atyre që kushtimisht janë të pakënaqur?

Ne ju përgjigjemi vetëm me punë dhe me angazhim edhe më të madh. Vizionin e menaxherit ndonjë individ mund mos ta shoh se çfarë synohet, por me punë kur ato arrihen, edhe pakënaqësitë dalin të paarsyeshme dhe me kohë zhduken.

A ofron puna e radiologut edhe kreativitet apo teknologjia ka procedura të ngurta të paracaktuara?

Kjo është e bukura e Radiologjisë, se radiologu është dirigjenti i cili më së miri i orkestron mjetet imazherike dhe nga ato nxjerrë maksimumin. Teknologjia është vetëm mjet i realizimit derisa radiologu i përdor ato në formën e duhur për të arritur deri tek diagnoza. I modifikon procedurat e protokollet për secilin pacient veç e veç, si dhe për diagnoza ose varësisht nga dyshimet për patologjinë e dyshuar.

Për shkak të numrit të madh të metodave nga fusha në të cilën radiologjia vepron, a kemi mjaft kuadër dhe sa është interesimi për këtë degë të mjekësisë?

Kjo llojllojshmëri e procedurave dhe komplementarizimi i tyre – njëra-tjetrën e ndihmojnë, është e bukura e punës sonë e cila në fakt paraqet sfidë – duke e bërë punën tonë edhe më të bukur. Kjo bëhet tërheqëse për mjekët e ri dhe ka interesim të vazhdueshëm si në botë ashtu edhe tek ne. Mezi presim të zgjidhet çështja e specializimeve në vendin tonë, shpresojmë tani në ministrin e ri, dhe të pranojmë specializant të rinj sipas planifikimit që kemi bërë.

A janë ‘fajtorë’ njerëzit për sëmundjet e tyre? A janë të pakujdesshëm për shëndetin vetjak?

Nëse moskujdesin e tyre për t’u ruajtur nga sëmundjet infektive (distanca, higjiena, etj), mosndërprerja e shprehive jo të mira (duhani dhe alkooli), moskujdesi dhe mosrespektimi i rregullave të komunikacionit duke mos ju adaptuar kushteve në të cilat vozitësi ngas veturën e tij duke sjellur deri tek aksidentet ndonjëherë fatale, ose këto situatat e reja duke dashur të bëjnë selfi në kushte të skajshme rreziku, atëherë mund edhe të jenë në një masë përgjegjës që kanë shëndetin e rënduar. Por në parim nuk mund të fajtor mirëpo, sigurisht që mund të përmirësohen dhe parandalojnë përkeqësimin e shëndetit të tyre.

Ju jeni edhe mësimdhënës, sipas mendimit tuaj, a ofron sot sistemi arsimor mundësi solide që studentët të arrijnë shkathtësitë dhe dijet për punë?

Çdo vit këto kushte po përmirësohen mbi të gjitha ndihmesë shumë e madhe është qasja e hapur për informacione në epokën e internetit. Kjo ka ndikuar shumë në hapjen e horizonteve dhe mundësive për studentët e interesuar për ngritje profesionale. Teknologjia 3D dhe mjetet personale elektronike vizuele mundësojnë kompensimin e mungesave të shumta të mullazheve duke ofruar një formë të re të mësimit cilësor.

Ju dhe KOMC vazhdimisht mbështetni profesionalizimin e plotë të mjekëve tanë në Austri. Si ofrohen këto trajnime?

Për 15 vite kam qenë në KOMC, tani Dea e udhëheq. Në bashkëpunim me Austrian American Foundation udhëhequr nga Prof. Dr. Wolfgang Aulitzky, janë mundësuar rreth 500 pjesëmarrje të specialistëve dhe specializantëve kosovar që të marrin pjesë në seminaret njëjavore në Salzburg, në Austri, ku ligjërojnë ekspertë eminent austriak dhe amerikan. Rreth 50 ‘observership’ njëmujor nëpër spitalet e Austrisë janë realizuar në këtë periudhë. Janë organizuar tre simpoziume satelitore me 2008, 2013 dhe 2016, ku KOMC ka sjellur ekspert nga Austria, SHBA, Republika Çeke, Meksika, Lituania, Maqedonia, në bashkëpunim me AAF, MSHRKS, të cilët kanë ligjëruar para auditoriumit të mjekëve kosovar.

Të gjithë pjesëmarrësve ju mundësohet të kenë qasje në ligjëratat e incizuara gjatë seminareve. Të gjitha këto pjesëmarrje janë mundësuar pa pagesë për mjekët kosovarë dhe në një periudhë disavjeçare, MSH ka paguar biletën pjesëmarrësve deri para tre viteve. Poashtu për një periudhë kohore, Ambasada Austriake i ka ndihmuar mjekët pjesëmarrës edhe me përkrahje në marrjen e vizave Schengen. Këto seminare për vite kanë shërbyer si dritare e vetme e edukimit në dispozicion mjekëve kosovar, dhe KOMC ka arritur që të vazhdojë bashkëpunimin për vitet në vijim si dhe organizojë edukime në Kosovë edhe në të ardhmen.
Aplikimi për pjesëmarrje në seminaret e Salzburgut është elektronik përmes http://aaf-online.org/index.php/omi-salzburg-medical-seminars.html.

Ndonëse keni arritur një profesionalizëm të lartë, a ju mbetet kohë që hullinë e dijes tuaj ta zgjeroni e thelloni edhe më tutje?

Çdo sfidë e re, e shtynë të arriturën paraprake. Kjo e mbanë vazhdimësinë e punës sonë, e cila besoj është tipare e të gjitha fushave mjekësore se ne për sa kohë jemi mjek – vazhdimisht mësojmë dhe zhvillohemi. Klinika e Radiologjisë synon të zgjerojë diapazonin e shërbimeve të cilat do t’i ofrojë si diagnostike ashtu edhe ato terapeutike minimale invazive radiologjike. Shpresojmë se shpejt do të fillojë implementimi i sigurimeve shëndetësore si parakusht për çdo nismë për stabilizimin e shërbimeve shëndetësore e veçmas ato në fushën e radiologjisë.

Përveç rutinës ditore në vendin e punës, a ju mbetet kohë për aktivitete të lira?

Familja ime është primare në kohën e cila mund të jetë jashtë fushës së mjekësisë, edhe pse ne vazhdimisht jemi të ndërlidhur me punën. Udhëtojmë bashkërisht sa herë që të kemi mundësi. Duke qenë se Mik-u (djali i dytë) merret edhe me basketboll, luajmë shpesh në mënyrë rekreative derisa edhe notin e kemi aktivitet të lirë. Takimi me miqtë e shumtë dhe koha të cilën e kalojmë bashkë, si me sport ashtu edhe me ahengje e mbledhi, ku skara është vlerë e shtuar zakonisht. Në anën tjetër, oborrin e kemi përplot me trëndafila dhe ato janë kënaqësi për t’u mos u quajtur aktivitet.

Në parim, në kohën e lirë e veçmas kur udhëtojmë e gjithë familja preferon të lexojë libra. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Djegia e shtëpisë dyshohet të jetë shkaktari i vrasjes së djeshme në Pejë – viktima dhe i dyshuari ishin miq

Djegia e shtëpisë dyshohet të jetë shkaktari i vrasjes së djeshme në Pejë – viktima dhe i dyshuari ishin miq

Jehona Hulaj
Skandali i ri diplomatik i Vuçiqit në New York – ofendoi sllovenët, vjen reagimi i ashpër i Lubjanës zyrtare

Skandali i ri diplomatik i Vuçiqit në New York – ofendoi sllovenët, vjen reagimi i ashpër i Lubjanës zyrtare

Botë
Paka para se të lansonte raketat mbi pozicionet e ukrainasve, sistemi raketor rus Buk-M1 shkatërrohet – goditet direkt

Paka para se të lansonte raketat mbi pozicionet e ukrainasve, sistemi raketor rus Buk-M1 shkatërrohet – goditet direkt

Evropa
Fitim Doda ndalohet për vrasjen në tentativë në rrugën 'Haxhi Zeka', prokuroria kërkon paraburgim

Fitim Doda ndalohet për vrasjen në tentativë në rrugën 'Haxhi Zeka', prokuroria kërkon paraburgim

Drejtësi
KSHZ pas numërimit të 99.85% të votave, Osmani 13.36%, Taravari 9.21%

KSHZ pas numërimit të 99.85% të votave, Osmani 13.36%, Taravari 9.21%

Politikë
U arrestua për sulm fizik ndaj një vozitëse dhe kanosje ndaj vozitësit tjetër, Policia jep detaje të rastit në Prishtinë

U arrestua për sulm fizik ndaj një vozitëse dhe kanosje ndaj vozitësit tjetër, Policia jep detaje të rastit në Prishtinë

Kronika e Zezë
Kalo në kategori